19 Mars 2024

NASA publikon fotot e plota të marra nga teleskopi më i fuqishëm hapësinor

Washington, 12 korrik - Agjencia Hapësinore amerikane (NASA) publikoi sot grupin e plotë të fotografive të para me ngjyrë, të realizuara nga teleskopi hapësinor “James Webb”, duke përfshirë fotografinë e një ylli që po shuhet.

Një ditë më parë NASA ndau vetëm një fotografi, ku shfaqeshin si kurrë më parë, yjet dhe galaktikat që ndodhen në thellësi të universit.

Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Joe Biden tha se teleskopi ishte "një dritare e re në historinë e universit".

Teleskopi me një vlerë prej 10 miliardë dollarësh, më i madhi dhe më i fuqishmi i lëshuar ndonjëherë në hapësirë, arrin të vëzhgojë më në thellësi të universit se kurrë më parë.

Shkencëtarët i krahasojnë imazhet që teleskopi arrin të kapë “me një vështrim pas në kohë”.

Kjo për shkak se ai mundëson të shihen galaktika që ndodhen aq larg, sa që dritës që vjen prej tyre, i duhet miliarda vjet për të arritur tek teleskopi.

Teleskopi “Webb” mund të kapë dritën që u krijua menjëherë pas asaj që njihet në astronomi si teoria e “Big Bang-ut”, “Shpërthimit të Madh”, e cila shënoi momentin e krijimit të universit.

“Webb”, pasardhës i teleskopit hapësinor “Hubble”, është rreth 100 herë më i ndjeshëm se paraardhësi i tij 30-vjeçar.

Teleskopi është aq i përpiktë, sa shkencëtarët do të jenë në gjendje të shohin përbërjen kimike të planetëve që ndodhen në thellësi të hapësirës e të përcaktojnë nëse ata janë të jetueshëm ose jo.

Gjatë konferencës për shtyp Nënpresidentja Kamala Harris tha se teleskopi do të "forconte njohuritë që shkenca ka sot lidhur me origjinën e universit, sistemit tonë diellor dhe ndoshta vetë jetës".

Teleskopi u lëshua më 25 dhjetor nga Guiana franceze në Amerikën e Jugut. Ai përshkoi 1.6 milionë kilometra, përpara se të fillonte të kapte imazhet e para.

Administratori i NASA-s Bill Nelson tha se imazhet e ardhshme do të sigurojnë një vështrim edhe më të thellë në origjinën e universit me pamje që i takojnë 13.5 miliardë viteve më parë.

Shkencëtarët do ta përdorin teleskopin “Webb” për të studiuar yjet, galaktikat dhe planetet që ndodhen në skaje të kozmosit, si dhe do të ofrojnë pamje më të detajuara të objekteve që ndodhen më pranë nesh, duke përfshirë sistemin tonë diellor.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)