01 Dhjetor 2021

Microsoft paralajmëron mbylljen e faqes LinkedIn në Kinë

New York, 14 tetor - Kompania Microsoft bëri të ditur të enjten se më vonë gjatë këtij viti do të ndalë funksionimin e rrjetit social profesional LinkedIn në Kinë.

Rrjeti social profesional, që nisi të funksionojë në Kinë në 2014, po përballet me një “mjedis shumë më sfidues e me kërkesa më të mëdha për t’u pajtuar me rregullore të brendshme”, thuhet në një postim në blog.

“Ne kemi pranuar se funksionimi i një versioni të LinkedIn-it për Kinën do të thotë respektim i kërkesave të qeverisë kineze nga platforma“, thuhej në një njoftim të kompanisë.

“Ndërsa ne mbështesim fuqishëm lirinë e shprehjes, kemi marrë këtë qasje, në mënyrë që të krijojmë vlera për përdoruesit tanë në Kinë dhe në mbarë botën“.

Por duket se barra rregullatore ndaj kompanisë është rritur shumë.

Në fillim të këtij viti sipas gazetës The Wall Street Journal, entet rregullatore kineze i kishin kërkuar kompanisë të shqyrtonte me më shumë vëmendje përmbajtjen që postohej.

Kompania nisi të bllokojë disa përmbajtje e profile të ndaluara nga entet rregullatore kineze, përfshirë edhe profile të gazetarëve.

Por LinkedIn nuk po largohet plotësisht nga tregu kinez. Ai do të ofrojë një platformë të re të quajtur InJobs, e cila sipas agjencisë “Reuters” nuk do t’i lejojë përdoruesit që të ndajnë përmbajtje.

LinkedIn është faqja e vetme mes rrjeteve sociale me qendër në SHBA, që funksionon në Kinë.

Microsoft-i e bleu kompaninë në vitin 2016 dhe kjo faqe ka tashmë 774 milionë përdorues.

Kalendari

Ngjarjet e datës 1 dhjetor 2021 - Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe OJQ Të Drejtat e Grave organizojnë diskutimin për manipulimin mendor dhe keqtrajtimin psikologjik si elemente të dhunës në familje. (Hoteli Emerald, ora 9:45)
    
- Bëhet betimi i kryetarit të komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe nënshkruhen deklaratat  solemne për marrjen e detyrës nga anëtarët e Kuvendit të komunës. (Salla e Kuvendit të komunës në Deçan, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja inauguruese e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Jugut. (Salla e Kuvendit të Komunës, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja inauguruese e Kuvendit të Komunës së Malishevës, ku do të bëjnë betimin anëtarët e Kuvendit dhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Malishevës, ora 10:00)
    
- Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës mban konferencë të jashtëzakonshme për shkak të mos aprovimit të kërkesave për lirim të masave. (Te ish-Rilindja, kompleksi III nr. 42, ora 12:00)
    
- Grupi Parlamentar i AAK-së, në Kuvendin e Kosovës mban tryezën me temën: Ngritja enorme e çmimeve dhe jostabiliteti ekononomik. (Salla N – 506, ora 13:00)
    
- Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale, dhe Hulumtime (SIT), bën lansimin e platformës: Ofrimi i shërbimeve online dhe fizikisht për kryerësit e veprave të dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore. (Hotel “Prishtina”, Prishtinë, ora 14:00)

- Galeria 17 me mbështetjen nga Swiss Cooperation Office në Kosovë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prishtinës organizojnë ngjarjen Dinner party/ Make me coffee make me a sandwich, në kuadër të ekspozitës së kuruar nga Natalija Vujošević. (Galeria 17 rruga Henrik Bariç, nr.10, ora 18:00)

- Mbahet hapja zyrtare e edicionit të dytë të Festivalit “Art Without Limit International Film Festival”. (Kino Armata, ora 18:00)

- Asociacioni i Artistëve Vizual të Kosovës organizojnë hapjen e ekspozitës vjetore të anëtarëve të Asociacionit të artistëve vizual të Kosovës. (Galeria e Artëve të Kosovës, ora 19:00)