19 Prill 2024

Lansohet sistemi elektronik për Organizata Jo-qeveritare

Prishtinë 18 janar - Në Ministrinë e Administratës Publike (MAP) u bë promovimi i Sistemit Elektronik për Organizata Jo-qeveritare, që do të krijojë lehtësira për regjistrimin e OJQ-ve.

Ministri i MAP-it Mahir Yagcilar, gjatë kesaj ceremonie tha se me Strategjinë për Modernizimin e Administratës Publike 2015-2020 dhe me Planin e Veprimit, ndër objektivat kryesorë është edhe ofrimi i shërbimeve më të mira për qytetarët, bizneset dhe OJQ-të. 

MAP-i si institucion përgjegjës për regjistrimin e organizatave jo-qeveritare, është i përkushtuar në lehtësimin e procedurave për regjistrimin e organizatave jo-qeveritare, për faktin se shoqëria civile  ka qenë dhe mbetet ndër partnerët bashkëpunues edhe në zbatimin e Strategjisë për bashkëpunim me Shoqërinë Civile 2013-2017.

Projekti për Sistemin Elektronik të OJQ-ve, të cilin po e promovojmë, sot , theksoi ministri Yagcilar, ofron të gjitha shërbimet të cilat i ofron edhe Departamenti për OJQ-të. Ky projekt është realizuar në kuadër të projekteve të e-Qeverisjes, ku Sistemi Elektronik i OJQ-ve, do të ketë mundësi ndërveprimi për shkëmbimin e informatave me sistemet tjera elektronike të cilat funksionojnë në kuadër të institucioneve shtetërore.

Ministri Yagcilar, me këtë rast foli edhe për Kornizën Ligjore, në kuadër të së cilës po punohet në hartimin e Ligjit të ri për Lirinë e Asociimit në OJQ i cili ligj do të jetë në përputhje me standardet evropiane. Ky proces i këtij Ligji është duke u zhvilluar në bashkëpunim të plotë me shoqërinë civile.

Ndërkaq, drejtori i DROJQ-ve Bajram Kosumi, pasi elaboroi përparësitë e këtij sistemi, që bën pjesë në modernizimin e administratës publike, theksoi se realizimi i këtij projekti është në funksion të zbatimit të Strategjisë për Modernizimin e Administratës Publike 2015-2020 dhe të Strategjisë për Qeverisje Elektronike.

Para pjesëmarrësve të këtij promovimi, përfaqësues nga institucionet dhe shoqëria civile, ekspertet demonstruan në mënyrë praktike mënyrën e përdorimit të këtij sistemi, kurse gjatë debatit të zhvilluar, me këtë rast, u dhanë përgjigje në pyetjet e të pranishmëve.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)