11 Gusht 2020

Kompanitë amerikane tërheqin reklamat nga Facebook shkaku i gjuhës se urrejtjes

New York, 3 korrik - Reklama nga më shumë se 400 kompani, përfshirë “Coca-Cola" dhe “Starbucks” u hoqën nga Facebook-u të mërkurën, pas dështimit të bisedimeve të minutës së fundit për të ndaluar një bojkot të këtyre kompanive që po mbajnë qëndrim ndaj gjuhës së urrejtjes që sipas tyre lejohet në këtë faqe interneti.

Është një listë e gjatë e kompanive amerikane që kanë tërhequr reklamat e tyre nga Facebook-u në mbështetje të një fushate që i tërheq vërejtje gjigantit të mediave sociale se nuk ka bërë sa duhet për të ndaluar gjuhën e urrejtjes në platformat e tij.

Grupet e të drejtave civile kanë mobilizuar korporata të fuqishme për t’i bërë presion Facebook-ut të marrë masa konkrete për të bllokuar gjuhën e urrejtjes pas vdekjes së George Floyd-it dhe protestave kundër racizmit. Bisedimet e minutës së fundit midis drejtuesve ekzekutivë të Facebook-ut dhe atyre të reklamave të martën nuk arritën të ndalonin bojkotin. Burimet thonë se Facebook-u nuk ofroi asnjë hollësi të re për mënyrën se si do të zgjidhte problemin e gjuhës së urrejtjes në platformat e tij duke përmendur thjesht njoftimet për shtyp.

Facebook gjeneron 70 miliardë dollarë të ardhura në vit nga reklamat dhe rreth një e katërta e tyre vijnë nga kompani të mëdha si Unilever. Megjithatë pjesa dërrmuese e të ardhurave të tij vijnë nga bizneset e vogla.

Por publiciteti rreth politikave të tij për gjuhën e urrejtjes ka dëmtuar perceptimin e kompanisë dhe çmimin e aksioneve të saj. Të premten aksionet e Facebook-ut ranë 8.3%, duke fshirë 56 miliardë dollarë të vlerës së kompanisë në treg.

"Facebook-u është përballur me vështirësi më të mëdha me Cambridge Analytica-n dhe disa kriza të tjera që Zuckerbergu ka kaluar. Por mendoj se duke pasur parasysh shqetësimet rregullatore, kjo krizë ka ardhur me të vërtetë në kohë të pavolitshme. Dhe them se investitorët kanë filluar ta llogarisin atë rrezik. Është një moment delikat për Zuckerbergun dhe Facebook-un se si e trajtojnë këtë problem, për të parë nëse ky rrezik zgjerohet ", thotë Daniel Ives, me kompaninë WedBush Securities.

Duke iu përgjigjur kërkesave për më shumë veprime, Facebook të dielën pranoi se duhet bërë më shumë punë dhe se po bashkohet me grupet e të drejtave civile dhe ekspertët për të zhvilluar më shumë mjete për të luftuar gjuhën e urrejtjes. Mark Zuckerberg premtoi se kompania do të jetë e rreptë në mos publikimin e postimeve ofenduese.

"Nuk ka përjashtim për lajme me përmbajtje që nxisin dhunën ose shtypin të drejtën e votës. Edhe nëse një politikan ose zyrtar qeveritar e thotë një gjë të tillë, nëse ne përcaktojmë se përmbajtja mund të çojë në dhunë ose privojë njerëzit nga e drejta e tyre për të votuar, ne do ta heqim atë postim, nuk ka rëndësi se kush e thotë. Dhe në mënyrë të ngjashme, nuk ka përjashtime për politikanët në ndonjë nga politikat që po njoftoj këtu sot ", tha Mark Zuckerberg të djelën.

Facebook tha që investimet e saj në inteligjencën artificiale i kanë lejuar që të gjejë 90% të gjuhës së urrejtjes para se përdoruesit ta raportojnë atë.

Bojkoti është intensifikuar duke përfshirë platforma të tjera të reklamimit dixhital, siç është Twitteri. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 11 Gusht 2020

- Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, do t’i vizitojë punimet në hekurudhën e Kosovës, linjën 10, në stacionin hekurudhor në Miradi. (Miradi, ora 10:00 - nisja për medie nga parkingu i Ministrisë së Infrastrukturës, ora 9:30)

-  Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton Raportin e Auditimit për Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2019. (Salla e seancave plenare, ora 10:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, do të vizitojë Komunën e Malishevës ku do te takohet me kryetarin Ragip Begaj. (Objekti i Komunës, ora 10:00)

- Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi raporton para Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit diskuton lidhur me programin legjislativ për vitin 2020 respektivisht të Projektligjeve të Ministrisë së Drejtësisë si dhe për gjendjen në Institucionet Korrektuese në Republikën e Kosovës për shkak të Pandemisë me Covid-19. (Salla e seancave plenare, ora 13:00)

- Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri viziton Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës për të diskutuar rreth rimëkëmbjes ekonomike. (Ndërtesa e TRUST-it, Rruga "Agim Ramadani", ora 11:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon konferencën për media ku do të shpalosen gjetjet nga analiza e burimit të problemeve në mos zbatimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm nga komunat. (Zyrat e KDI-së, ora 11:00)

-  Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione shqyrton raportin e panelit përzgjedhës për shqyrtimin e aplikacioneve, intervistim dhe listën e ngushtë të kandidatëve për Avokat të Popullit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-I9 nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës dëgon dëshmitë e dëshmitarëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 14:30)

- Organizata ETEA dhe Biblioteka “Hivzi Sulejmani” organizojn takim me shkrimtarin dhe kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Mehmet Kraja. (Qendra për Edukim dhe Kulturë “Libart” në objektin e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në lagjen “Dardania”, ora 18:00)  .