17 Janar 2019

Instituctionet të jenë më aktive në aspektin e sigurisë kibernetike

Prishtinë, 12 janar - Siguria kibernetike në Kosovë është fushë relativisht e re e cila duhet të gjejë trajtim të shtuar gjatë periudhës në vijim, veçanërisht në aspekt të informimit të bizneseve për rëndësinë që të investojnë në këtë fushë gjatë afarizmit të tyre.

Kjo u tha sot në tryezën e mbajtur nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, e cila u organizua në kuadër të Projektit për Themelimin e Njohurive mbi Bashkimin Evropian të mbështetur nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS).

Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Amerikane theksoi se rritja e ekonomisë digjitale në vend përpos të mirave të shumta që i sjell vendit në zhvillimit ekonomik, me veti sjell edhe një sërë rreziqesh në aspekt të sulmeve kibernetike, qoftë kjo në nivel shtetëror apo edhe tek bizneset.

Prandaj, është me rëndësi që të shtohen investimet dhe t’i kushtohet rëndësi më e veçantë sigurisë kibernetike.

Ai shtoi se Oda Amerikane do të vazhdojë të trajtojë tema të tilla gjatë periudhës në vijim edhe me qëllim që bizneset të informohen dhe vetëdijesohen për rëndësinë që investimi në sistemet e sigurisë kibernetike ka për zhvillimin afatgjatë të ndërmarrjeve.

Abduselami Shkodra, Zëvendësministër i Punëve të Brendshme, sqaroi se krimi kibernetik paraqet një nga format më të shpeshta të krimit dhe me rritjen më të shpejtë në nivel global, dhe Kosova nuk përjashtohet nga kjo dukuri.

Megjithatë, ai theksoi se në nivel shtetëror Kosova qëndron relativisht mirë në këtë fushë sidomos në krahasim me vendet rajonale. Zëvendës Ministri sqaroi se legjislacioni i Kosovës në këtë fushë është mjaft i gjerë, mirëpo ende po punohet në përmirësimin e mëtejmë të tij, veçanërisht marrë parasysh edhe obligimet e dala nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit.

Nga ana tjetër, Agim Bekaj, përfaqësues i Microsoft për Kosovë, tha se Kosova është një ndër vendet më të zhvilluara në Evropë në aspekt të shkallës së penetrimit të internetit. Përderisa kjo ka efekte shumë pozitive në shoqëri, në anën tjetër kjo edhe e shton rrezikun që individët, bizneset por edhe institucionet shtetërore të jenë më të cenueshme nga krimet kibernetike.

Ai theksoi se investimi në parandalim të krimeve kibernetike është shumë më i arsyeshëm dhe më pak i kushtueshëm se investimi në rikuperimin e dëmeve të shkaktuara pasi ai krim të ketë ndodhur.

Arben Ymeraga, partner menaxhues në Melita & Partners, fokusoi diskutimin e tij edhe në nevojën që kompanitë t’i kushtojnë rëndësi sigurisë kibernetike edhe në aspekt të rreziqeve të brendshme që mund t’i ketë një kompani. Ai sqaroi nevojën që kompanitë të vendosin procedura dhe sisteme për të siguruar integritetin e të dhënave dhe pasurive të paprekshme të organizatës. Poashtu, Ymeraga diskutoi edhe mbi rëndësinë që bizneset të përdorin softuerë dhe pajisje të licencuara gjatë veprimtarisë së tyre, si masë për të rritur sigurinë nga sulmet e mundshme kibernetike.

Në vazhdim, pjesëmarrësit në tryezë patën rastin të shpalosin përvojat dhe njohuritë e tyre mbi këtë fushë, duke u dakorduar se përkundër progresit të shënuar në aspekte të caktuara, ende ka hapësirë për përmirësime të mëtejme.

Kalendari

Ngjarjet e datës 17 janar 2019 - Kryeministri Ramush Haradinaj bën homazhe te Shtatorja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, me rastin e 550 vjetorit të vdekjes. (Shtatorja e heroit Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Prishtinë, ora 9:00)

- Kryetari i Sindikates së Bashkuar të Arsimit, Shkencës, Rrahman Jasharaj do t'i vizatoj grevistët e komunës së Malishevës. (Gjimnazi “Hamdi Berisha” në Malishevë, ora 9:15)

- Ministri i Financave Bedri Hamza dhe udhëheqësi i Divizionit për Slloveninë, Kroacinë, dhe Ballkanin Perëndimor në Bankën Evropiane për Investime Matteo Rivellini nënshkruaj Marrëveshje Grant për Mbështetje të Projektit për Ndërtimin e Autostradës Kijevë-Zahaq. (Ndërtesa e  Qeverisë, kati 11, ora 9:30)

- Kryetari i Sindikates së Bashkuar të Arsimit, Shkencës, Rrahman Jasharaj do t'i vizatoj grevistët në çerdhen e komunës së Malishevës. (Objekti i çerdhes në Malishevë, ora 9:45)
 
- Kryeministri Ramush Haradinaj zhvillon takim pune me përfaqësuesit e Odës Ekonomike Gjermane. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Misioni i OSBE-së do të publikojë raportin mbi gjendjen e strehimoreve për viktimat e dhunës në familje në Kosovë. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:15)

- Kryetari i Sindikates së Bashkuar të Arsimit, Shkencës, Rrahman Jasharaj do t'i vizatoj grevistët e shkollës fillore “Ganimete Tërbeshi” në Astrazub të komunës së Malishevës. (Astrazub, ora 10:40)

- Administrata Tatimore e Kosovës nesër do të shënoj 19 vjetorit të themelimit të saj. (Qendra e Shërbimit të Tatimpaguesve, ish-ndërtesa e Gërmisë, ora 11:00)

- Mbahet takimi i përbashkët në mes kryetarit të Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri dhe Kryeshefit Ekzekutiv të KRU"Hidromorava" Muhamet Suliqi, du do të zyrtarizohet Njësitit për Implementimin e Projektit - Impiantit dhe Kolektorëve  për ujëra të zeza. (Zyra e Kryetarit Haziri, ora 11:00)
 
- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në shënimin e 19-vjetorit të themelimit të Administratës Tatimore të Kosovës. (Qendra e Shërbimit të Tatimpaguese, ish ndërtesa e Gërmisë, ora 11:00)

- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, do të bëjë hapjen zyrtare të Zyrës për programin “Evropa Kreative Kosovë”. (Biblioteka Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, ora 11:00)

- Nën organizimin e Grupit Parlamentar të LDK-së dhe Kryetarit të Komunës së Pejës Gazmend Muhaxherit në 17 vjetorin e vrasjes, organizohen homazhe në nderim të jetës dhe veprës së ish-deputetit të Republikës së Kosovës, Komandantit të Shtabit Rajonal Rugova, Heroit Smajl Hajdaraj. (Tek varrezat e fshatit Zahaq të Pejës, ora 12:00)

- Në 37 vjetorin vrasjes së heronjve të kombit Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Grupi Parlamentar i LDK-së, në nderim të jetës dhe veprës së tyre do të vendos kurora lulesh tek varrezat e heronjve. (Fshati Dubovik në Deçan, ora 12:30) 

- Kryeministri Ramush Haradinaj pret në takim Komisionerin Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 16:45 - vetëm pamje)
 
- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e përmbylljes së aktiviteteve në 550 vjetorin e Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut. (Sheshi 21, ora 18:00)

- Dega e LDK-së në Pejë do të bëjë ndezjen e qirinjve në vendin e vrasjes te ish-deputetit të Republikës së Kosovës, Komandantit të Shtabit Rajonal Rugova, Heroit Smajl Hajdaraj. (Lagja “Fidanishte” në Pej, ora 19:50)