21 Shtator 2020

I bashkohen fushatës kundër dezinformimit në rrjetet sociale

New York, 16 shtator - Disa të famshëm amerikanë thanë se do të mbyllin llogaritë e tyre në Facebook dhe Instagram për një ditë të vetme, më 16 Shtator, si pjesë e një fushate për të frenuar përhapjen e urrejtjes dhe propagandës në platformat e mediave sociale.

Ndër të famshmit që kanë thënë se do të marrin pjesë në mbylljen njëditore të llogarive, janë aktorët e Hollivudit, Leonardo DiCaprio, Sacha Baron Cohen, Kim Kardashian dhe Jennifer Lawrence.

Kardashian, e cila ka 188 milionë ndjekës në Instagram, ishte e fundit që iu bashkua fushatës.

"Keqinformimi i shpërndarë në mediat sociale ka një ndikim serioz në zgjedhjet tona dhe minon demokracinë tonë", tha Kardashian në Instagram, më 15 Shtator.

"Unë nuk mund të rri dhe të hesht ndërsa këto platforma vazhdojnë të lejojnë përhapjen e urrejtjes, propagandës dhe dezinformimi - krijuar nga grupe për të mbjellë ndarjen dhe për të ndarë Amerikën”, tha ajo.

Aktorja Kerry Washington, e njohur për rolin e saj në serialin "Skandali" shkroi: "I takon Facebook-ut dhe platformave tjera që të ndalojnë përhapjen e urrejtjes dhe minimin e demokracisë."

Fushata po organizohet nga “Ndal urrejtjen për përfitim”, një koalicion që i bën thirrje Facebook-ut të ndërmarrë "hapa të arsyeshëm për të adresuar racizmin, dezinformimin dhe urrejtjen e shfrenuar" që shpërndahet në platformën e tij.

Kompania e mediave sociale, që ka 2.7 miliardë përdorues në të gjithë botën, është vënë nën presion nga aktivistë, qeveri dhe kompani që reklamojnë në platformat e saj për veprim më të ashpër për të bllokuar promovimin e diskriminimit, urrejtjes dhe dhunës.

Fushata “Ndal urrejtjen për përfitim” fitoi mbështetjen e qindra kompanive të mëdha në një bojkot të reklamimit në Facebook në muajin korrik.

Facebook raportoi një fitim tremujor prej 5.2 miliardë dollarësh në fund të korrikut, pavarësisht fushatës.

Kreu i Facebook-ut, Mark Zuckerberg u takua me organizatorët e koalicionit në korrik, por ata u zotuan se do të vazhdojnë të nxisin bojkotin e reklamave duke thënë që kompania e mediave sociale nuk kishte arritur të trajtonte përmbajtjen e tillë.

Facebook ka njoftuar se nuk do të lejojë që reklamat e reja politike të shfaqen në platformë një javë para zgjedhjeve, sepse nuk do të kishte kohë të mjaftueshme për t'i kontrolluar ato.

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 Shtator 2020

- Mbahet mbledhja e Qeverisë së Republikë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 8:30)

- Fillon Shkolla Verore e BE-së në të cilën do të shtjellohet temat për zhvillimin ekonomik, qëndrueshmërinë mjedisore dhe shfaqjen e pandemisë globale. (Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ora 9:00)

- Mbahet mbledhja e komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në të cilën do të votohet raporti i panelit përzgjedhës për shqyrtimin e aplikacioneve, intervistim dhe listën e ngushtë të kandidatëve për Avokat të Popullit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj Stublla takohet me Ambasadorin japonez, Mizutani Akira. (Kabineti i ministres Haradinaj Stublla, ora 10:00 - pa prezencen e mediave)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, pret në takim delegacionin e Qeverisë së SHBA-ve, të udhëhequr nga Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA Adam Boehler, të cilit do t’i bashkohet edhe i dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë - Serbi, Richard Grenell, përfaqësues të USAID, Kryetarin e Bankës së Eksport-Importit të Shteteve të Bashkuara, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë nga Departamentet e Energjisë dhe Tregtisë në SHBA. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:00)
 
- Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj Stublla dhe Ambasadori japonez, Mizutani Akira, nënshkruajnë marrëveshjen për donacionin e radhës të Japonisë për Kosovën. (Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ora 10:30)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë shqyrton listen e dëshmitarëve, përzgjedh ekspertët e jashtëm si dhe publikon adresën për dorëzimin e dëshmive nga qytetarët. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti merr pjesë në përurimin e shtatores së Heroit Ahmet Krasniqi, si dhe në inaugurimin e sheshit, i cili do të mbajë emrin e tij. (Sheshi “Ahmet Krasniqi” në Vushtrri, ora 11:00)  

- Mbahet ceremonia e dorëzimit të pajisjeve mjekësore për Sallën e Operacionit dhe Sallën e Lindjes për gratë e infektuara me COVID-19, pajisje këto të financuara nga partneri jonë Raiffeisen Bank në Kosovë dhe AMC. (QKUK, ora 11:00)

- Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, do të takohet me U.D i Kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji Arsim Janova, ku do të  nënshkruajnë një Marrëveshje Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi mes dy institucioneve, pas nënshkrimit të marrëveshjes do të ketë konferencë për medie. (Ish-objekti i Bankës së Lubjanës, kati i IV, ora 11:15)

- Seanca plenare e Kuvendit, e ndërprerë të premten do të vazhdojë sot. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 13:00) 

- Kryeministri Avdullah Hoti pret në takim delegacionin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 18:30)