21 Janar 2020

Google do të kufizojë reklamat politike

New York, 21 nëntor - Gjiganti Google nuk do të lejojë që fushatat politike të shënjestrojnë njerëz bazuar në qëndrimet e tyre të supozuara politike.

Kjo politikë do të nisë së zbatuari në Mbretërinë e Bashkuar “brenda një jave” duke vazhduar më pas me rajone tjera.

Megjithatë, fushatat për reklamim do të mund të shënjestrojnë persona bazuar në moshë, gjini dhe lokacion.

Kjo kompani ka thënë se do të marrë masa edhe për qëndrimet mashtruese në reklama, gjë të cilën nuk e ka bërë rrjeti social, Facebook.

Mark Zuckerberg ka thënë se nuk do të analizojë vërtetësinë e fushatave të kandidatëve politikë që bëhen në Facebook.

Rrjeti tjetër social, Twitter ka thënë se nuk do të lejojë fare fushata të reklamimit.

Politika e re e Google e vendos këtë kompani në situatë për të vepruar vetëm kur mashtrimet janë të shkallës së lartë.

“Ne e pranojmë se dialogu politik është pjesë e rëndësishme e demokracisë dhe se askush nuk mund të gjykojë secilin pretendim politik apo kundërpadi”, ka thënë udhëheqësi i Departamentit për Reklama në Google, Scott Spencer.

“Prandaj ne presim që numri i reklamave politike të cilat do t’i rishikojmë do të jetë shumë i kufizuar, mirëpo ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë për të shmangur shkeljet”, ka thënë ndër të tjera ai.

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 janar 2020 - Komuna e Rahovecit mban mbledhjen e parë të rregullt të Komiteti për Politik dhe Financ. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, ora 10:00)

- Me rastin e 14-vjetorit të vdekjes së Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova bëjnë homazhe te varri i tij. (Velani, ora 10:30) 

- Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj bën homazhe te varri i ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, në përvjetorin e vdekjes së tij. (Velani, ora 10:30)

- Anëtarë të Kryesisë së Lidhjes Demokratike vizitojnë Familjen Rugova. (Velani, ora 10:45)

- Qendra e Lëvizjes në Prishtinë mban konferencë për media në lidhje me projektet e ndërtimit në Liqenin e Badovcit. (Qendra e Lëvizjes në Prishtinë, ora 11:00)

- Komuna e Prishtinës shënon Ditën e Arkivit me promovimin e katallogut të dokumenteve Osmane në Arkivin Komunal të Prishtinës. (Salla e Kuvendit Komunal, ndërtesa e vjeter e Komunës, ora 11:00)

- Prokuroria Themelore në Prizren mban konferencë për media ku do të prezantohet raporti i punës për vitin 2019 dhe objektivat e kësaj prokurorie për vitin 2020. (Zyra e Kryeprokurorit në Prokurorinë Themelore në Prizren, rruga William Walker, ora 11:00)

- Lidhja Demokratike e Kosovës organizon Akademi Përkujtimore për Presidentin Historik Dr. Ibrahim Rugova. (Hotel Emerald, ora 12:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë të Lidhjes Demokratike e Kosovës. (Selia e LDK-së, ora 14:00)

- Fondacioni Kosovar Trashëgimia Kulturore pa Kufij, CHwB Kosova organizon prezantimin e librit "Qyteti në Miniaturë". (Shkolla speciale për të verbër në Pejë, ora 14:00)

- Komuna e Gjilanit organizon Akademi Përkujtimore për Presidentin Historik Dr. Ibrahim Rugova. (Teatri i qytetit te Gjilanit, ora 16:30)

- Komuna e Rahovecit organizon debat publik me banor të fshatit Opterushë dhe fshatrave për rreth për krijimin e Zonës Ekonomike. (Objekti i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët ”Lidhja e Prizrenit” në fshatin Opterushë, ora 17:00)