26 Shkurt 2020

Goditet grupi ndërkombëtar i krimit kibernetik

Washington, 3 gusht - Autoritetet amerikane njoftojnë se janë kapur vjedhësit kibernetikë, të cilët përvetësuan miliona numra kartash krediti dhe debiti nga disa prej rrjeteve të mëdha komerciale në SHBA.

Autoritetet ligjzbatuese njoftuan arrestimet dhe aktakuzën ndaj tre drejtuesve të grupit të njohur FIN-7 në Evropën Lindore, i dyshuar për disa sulme kibernetike ndaj më shumë se 120 kompanive amerikane midis viteve 2015 dhe 2017.

Kompanitë e vëna në shënjestër nga grupi ishin kryesisht në industrinë e restoranteve, lojrave të fatit dhe mikpritjes, sipas prokurorëve.

Autoritetet identifikuan vetëm shtatë nga bizneset viktima.

"Hetimi vazhdon, nuk kemi asnjë iluzion se e kemi mposhtur plotësisht këtë grup, por i kemi dhënë një goditje të madhe: këta hakerë mendojnë se mund të fshihen pas tastierave në vende të largëta dhe se mund t'i shpëtojnë krahut të gjatë të ligjit amerikan, por e kanë të pamundur,” tha prokurorja e çështjes, Annette Hayes.

Zyrtarët i identifikuan tre të arrestuarit si shtetasit ukrainas Dmytro Fedorov, 44 vjeç, Fedir Hladyr, 33 vjeç dhe Andrii Kolpakov, 30 vjeç.

Hladyr, administratori i sistemeve të dyshuara të grupit, është në paraburgim në Seattle, pas arrestimit në Gjermani në janar dhe ekstradimit në Shtetet e Bashkuara në fillim të majit.

Dy të tjerët janë në paraburgim në Poloni dhe Spanjë në pritje të ekstradimit në Shtetet e Bashkuara.

"Ka qenë një hetim afatgjatë dhe i sofistikuar ndaj një grupi të krimit të organizuar që i kalonte kufijtë e vendeve dhe që e identifikuam përmes ekspertizës së avancuar kibernetike," thotë Jay Tabb, Agjent i posaçëm i FBI-së.

Krimi kibernetik është një biznes global prej 600 miliard dollarësh, sipas ekspertëve. Hakerët janë bërë gjithnjë e më të sofistikuar vitet e fundit, duke e bërë kapjen e tyre më të vështirë.

Por rritja e bashkëpunimit midis kompanive private, firmave të sigurisë në internet dhe agjencive të zbatimit të ligjit ka çuar në një varg goditjesh të këtij lloji krimi gjatë vitit të shkuar.

Kalendari

Ngjarjet e datës 26 shkurt 2020 - Qytetarët e komunës së Rahovecit do të takojnë përfaqësuesit e Institucionit të Avokatit të Popullit. (Kati i parë i objektit të ri të administratës komunale të Rahovecit, në zyrën për të Drejtat e Njeriut, ora 9:00)

- Konstituohet Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike. (Ndërtesa e Kuvendit N 302, ora 10:00)

- Fakulteti i Mjekësisë, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës dhe Klinika e Kirurgjisë Torakale organizojnë mban mbledhje komemorative me rastin e vdekjes së prof.dr. Safet Beqiri. (Dekanati i Fakultetit të Mjekësis, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Transfere. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 10:00)

- Bibloteka Kombëtare e Kosovës dhe Shoqata e të Burgosurve Politik organizojnë hapjen e ekspozitës "Kujtesa e Kosovës, portrete të Adem Demaqit në pikturë dhe fotografi". (Bibloteka Kombëtare, ora 11:00)

- Në një pritje e cila do të organizohet në rezidencën e Francës, ambasadorja e Francës, Marie-Christine Butel do të ketë nderin të dekorojë zonjën Arta Dobroshi me urdhërin "Kalorëse e Arteve dhe Letrave". (Rezidenca e Francës, ora 18:00)

- Më rastin e 22 vjetorit të Betejës së Parë në Likoshan - Qirez, mbahet ceremonia e hapjes së ekspozitës të studentëve të Fakultetit të Arteve, kushtuar heronjve të parë të UÇK-së Beqir e Rexhep Rexhepi. (Muzeu Kombëtar të Kosovës, ora 19:00)

- Edona Reshitaj do të prezantojë koncert - recitalin “Zonjat e Kanges”. (Teatri Kombetar i Kosoves, ora 20:00)