11 Dhjetor 2018

Facebook kishte marrëveshje me kompani kineze

New York, 7 qershor - Facebook-u ka pranuar se ka patur marrëveshje për ndarjen e të dhënave me katër kompani kineze që operojnë në fushën e teknologjisë, mes tyre edhe një kompani e konsideruar si kërcënim për sigurinë kombëtare nga komuniteti amerikan i zbulimit.

Kjo ka ngritur shqetësime të reja rreth mënyrës se si i ka trajtuar të dhënat personale të konsumatorëve gjigandi i medias sociale.

Facebook-u e pranoi dje këtë fakt, vetëm dy ditë pasi gazeta “The New York Times” zbuloi se media sociale kishte bërë marrëveshje të posaçme për shkëmbimin e të dhënave me 60 prodhues pajisjesh elektronike, përfshirë Huawei-n, Lenovo-n, OPPO-n dhe TCL-në, për ta bërë më të lehtë për përdoruesit e Facebook-ut për të pasur qasje në llogaritë e tyre nga një gamë e gjerë aparatesh elektronike.

Për vite me radhë zyrtarët amerikanë kanë ngritur shqetësime për kompaninë kineze Huawei, duke pasur frikë se qeveria kineze mund të kërkojë qasje në të dhënat e ruajtura në pajisjet apo serverat e tyre.

Shqetësimet bënë që ushtria amerikane të ndalonte shitjen e aparatëve celularë inteligjentë Huawei në bazat e saj.

Një nga zyrtarët e lartë të Facebook-ut, Francisco Varela, tha dje se shkëmbimi i të dhënave me Huawei-n dhe kompanitë e tjera kineze "u kontrolluan që në fazat e para".

Facebook-u ka qenë nën kritika të forta pasi u zbulua se një kompani këshilluese politike me bazë në Britani “Cambridge Analytica”, kishte patur qasje në dhjetëra miliona të dhëna personale të përdoruesve.

Vetë kompania ka qenë nën kritika kur në shtator u zbulua se rusët, duke përdorur emra të rremë, përdorën mediat sociale për të ndikuar tek votuesit përpara zgjedhjeve të vitit 2016 në SHBA.

Kalendari

Ngjarjet e datës 11 dhjetor 2018 - Organi Shqyrtues i Prokurimit fillon me transmetim të drejtpërdrejtë “live stream” të sesioneve të tij, një hap ky në drejtim të një qasjeje më transparente nga ana e këtij institucioni. (Zyra e Organit Shqyrtues të Prokurimit, ish-Banka e Lubjanës, kati i 5-të, ora 10:00)

- Koalicioni i OJQ-ve “Java Kundër Korrupsionit 2018” do të mbajë tryezën e diskutimit me temë “Zbatimi i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik në pushtetin legjislativ”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Shoqata “Miqtë e Amerikës” dhe Komuna e Gjakoves hapin Librin e Zisë, në nderim të Presidentit George H.W. BUSH. (Pallati i Kulturës "Asim Vokshi" në Gjakovë, ora 10:00)

- Në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” do të organizohet aksion pastrimi në Komunën e Rahovecit. (Rruga kryesore në fshatin Zaqisht të Rahovecit, ora 10:00)

- Shefi i Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, do të diskutojë me nxënësit e shkollave të mesme me temë "Të mbështesë ndryshimin kulturor: roli i gjeneratave të reja për formësimin e vlerave të së nesërmes".  (Kafiteria Dit' e Nat', ora 10:00)

- Kompania vendore 'Produktet Natyrale të Kosovës' organizon ceremoninë e inaugurimit të linjës së re me teknologji të avancuar për përpunimin e farave të kungullit. (Fabrika 'Produktet Natyrale të Kosovës' në fshatin Loxhë në Pejë, ora 11:00)

- Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës të mbajë konferencë për shtyp lidhur me gjendjen e punëtorëve të sektorit privat. (Zyret te BSPK, së ora 11:00)

- Instituti Demokraci për Zhvillim organizon ngjarjen vjetore të shpërblimeve në kuadër të projektit “Leja prindërore për barazi gjinore” që financohet nga Qendra Ndërkombëtare Olof Palme dhe mbështetet nga Qeveria Suedeze. (Libraria Dukagjini, ora 11:00)

- Mbahet tryeza në të cilën do të diskutohet për pakon ligjore kundër korrupsionit, si dhe për punën e institucioneve të drejtësisë në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C-405, ora 11:00)

- Asociacioni i Arkitektektëve të Kosovës dhe Komunës së Gjilanit bën prezantimin e “Bienales së Arkitekturës 2018”, ku do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e Komunës së Gjilanit dhe arkitektët në nivel Kosove dhe ata regjional. (Gjilan, ora 13:00)

- Instituti për Politika Zhvillimore organizon konferencën për shtyp me temë “Standardizimi i produkteve vendore: Shpërndarja dhe shitja e standardeve. (Resource Center Kosovo, në lagjen Pejton, në zyre të Forumit për Iniciativa Qytetare, ora 13:00)

- Koalicioni i OJQ-ve “Java Kundër Korrupsionit 2018” do të organizoj tryezen e diskutimit me temë “Zbatimi i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik në pushtetin ekzekutiv”. (Hotel Sirius, ora 14:00)

- Partia Socialdemokrate mban konferencë për media lidhur me çështjen e dialogut me Serbinë, për të cilën do të flasin nënkryetarët Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani. (Zyrat e PSD-së, në lagjen "Arbëria", ora 14:00)

- Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në prag të përfundimit të vitit 2018, organizon ngjarjen vjetore për shënimin e të arriturave në vetëqeverisjen lokale në Kosovë si dhe të prezantojë orientimet për vitin e ardhshëm. (Sheshi 21, ora 18:00)