10 Gusht 2020

Vihet gurthemeli i stadiumit ndihmës në fshatin Studenqan të Suharekës

Suharekë, 30 korrik - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit së bashku me zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj, zëvendësministrat Halil Matoshi e Nexhat Ramadani dhe një pjesë të stafit të MKRS-së morën pjesë në vënien e gurthemelit të stadiumit ndihmës në fshatin Studenqan të Suharekës.

Ministrja Dumoshi tha se është jashtëzakonisht e lumtur kur i sheh qytetarët duke pritur fillimin e ndërtimit të këtij stadiumi ndihmës, i cili financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me kryetarin e komunës i cili e ka siguruar këtë tokë komunale.

Ajo përmendi se në vitet ’90-ta, pikërisht në këtë fshat kanë luajtur në atë kohë lojtarët e Kosovës.

“Është jashtëzakonisht ndjenjë e mirë kur i sheh të lumtur qytetarët të cilët kanë ardhur për të na pritur që po fillojmë ndërtimin e këtij stadiumi. MKRS është duke e financuar së bashku me kryetarin Bali Muharremaj këtë projekt.  Ky fshat e do futbollin dhe ka shumë histori”, shtoi Dumoshi.


Ajo tha se MKRS-ja do të angazhohet që nga afër dhe do të inspektojë punimet e këtij stadiumi deri në përfundimin e tij.

Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj  tregoi për përshtypjen dhe dashurinë që kanë pasur banorët e kësaj ane për futbollin.

“Unë kam pasur fatin të vij dy herë për të luajtur në stadiumin që ndodhet afër shkollës. Megjithatë më ka lënë përshtypje dashuria që kanë pasur këta banorë për futbollin. Duhet të kujtojmë një njeri shumë të madh që ka dhënë shumë për këtë vend – punëtorin e palodhshëm Skënder Berisha”, shtoi Selmanaj.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, falënderoi ministren e MKRS-së, Vlora Dumoshi, dhe zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj, të cilët ishin të pranishëm në ceremoninë e fillimit të punimeve. Ai tha se Kuvendi Komunal i Suharekës ka ndarë 7 hektarë tokë për stadiumin në fshatin Studenqan, ndërsa ndërtimi i tij do të bëhet me 500 mijë euro të ndara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 Gusht 2020

- Qendra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës organizon Tubimin e parë interaktiv virtual me Kryeministrin e katërt të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për të diskutuar situatën aktuale politike në Republikën e Kosovës dhe rolin që mund të luajnë shqiptaro-amerikanët dhe shqiptaro-kanadezët në zgjedhjet e ardhshme. (Virtualisht në Zoom:  https://bit.ly/LVVShBAAug9, 13:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, mban dëgjim publik për Projektligjin për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës. (Kuvendi salla C 301, ora 13:00)