17 Janar 2018

Turqia do të mbështesë Kosovën në ndërtimin e infrastrukturës sportive

Prishtinë, 21 dhjetor - Turqia do të mbështesë sportin e Kosovës, me theks të veçantë në infrastrukturë fizike. Kësisoj e premtoi Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Kujtim Gashi homologu i tij, Ministri i Sportit dhe Rinisë i Republikës së Turqisë, Osman Aşkın Bak, në takimin që është zhvilluar sot në Ankara.

Ministri Gashi e falënderoi Ministrin Aşkın Bak për pritjen dhe i shprehu mirënjohjen për mbështetjen e deritashme që Turqia ka dhënë për sportin e Kosovës, sidomos në procesin e ndërkombëtarizimit të tij, por edhe në fushat tjera.

Ministri Gashi e njoftoi ministrin turk të sportit për organizimin dhe rregullimin e jetës sportive në vendin tonë si dhe arritjet e sukseset e sportistëve dhe në fushën e sportit. Ai e informoi ministrin Bak për talentet që Kosova ka në sport, me theks të veçantë për sukseset në xhudo, ku Kosova përmes xhudistes Majlinda Kelmendi, ka arritur të fitojë medalje olimpike në LO RIO 2016. Gjithashtu, ministri foli edhe  për procesin e ndërkombëtarizimit të sportit kosovar, për angazhimet që po bën ministria në përmirësimin dhe plotësimin e infrastrukturës fizike e ligjore në sport, ku veçoi planin për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar të Kosovës, nevoja këto që kanë dalë pas pranimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare të sportit.

Ministri Gashi shprehu nevojën e rritjes së bashkëpunimit mes Kosovës e Turqisë përmes nënshkrimit të marrëveshjeve në sferat e sportit e të rinisë, duke shkëmbyer përvoja dhe ekspertë në fusha të ndryshme të sportit si dhe duke zhvilluar ndeshje miqësore në shumë sporte si dhe shkëmbimin e aktiviteteve e kampeve mes të rinjve të të dy vendeve ashtu që ata të njihen, komunikojnë e bashkëpunojnë më shumë mes vete duke nxjerrë ide e plane të reja për sektorin e tyre por edhe për të ardhmen.

Ministri Kujtim Gashi kërkoi nga shteti mik i Turqisë që të ndihmojë Kosovën edhe me një stadium tjetër të dytë, pasi që për Stadiumin Kombëtar kanë filluar procedurat. Ai me këtë rast mori premtime se Ministria e Sportit dhe e Rinisë e Republikës së Turqisë do të angazhohen në këtë drejtim që ky projekt kapital të realizohet sa më shpejt, fillimisht me takimin e profesionistëve për të hartuar një plan dhe më pas të diskutohen modalitetet e financimit të stadiumit dhe ndërtimit të tij.

Nga ana e tij, Ministri turk Bak, foli për marrëdhëniet e mira mes Turqisë dhe Kosovës në të gjitha fushat, me theks në bashkëpunimin në sport. Ai nënvizoi fokusin e Turqisë në vendet e Ballkanit duke veçuar raportin me shtetin e Kosovës.

Ministri Bak shprehu kënaqësinë e tij për sukseset që ka arritur Kosova në fushën e sportit, sidomos në procesin e ndërkombëtarizimit dhe tha se është e nevojshme që bashkëpunimi në sport me Kosovës e Turqisë të intensifikohet edhe më tej duke e zyrtarizuar edhe përmes një marrëveshjeje bashkëpunimi.

Ministri Bak shprehu gatishmërinë e tij të plotë në mbështetje të Kosovës në fushën e sportit duke e siguruar homologun Gashi se do të angazhohet pa asnjë kursim që të ndihmojë Kosovën në shumë projekte, qofshin ato të natyrës së investimit të drejtpërdrejtë ose të shkëmbimit të përvojave dhe ekspertëve.

Të dy ministrat u pajtuan që të shtohet komunikimi dhe kontaktet mes dy institucioneve të dy vendeve në mënyrë që të konkretizohen planet që do të arrihen nga të dy palët për realizim.

Po ashtu, në kuadër të takimeve që ka zhvilluar Ministri Gashi në Turqi, u prit nga zëvendëskryetarja e Kuvendit të Madh Kombëtar të Turqisë, Ajshe Nur Bahçekapili dhe Zeyid Aslan, Kryetar i Grupit të Miqësisë Turqi-Kosovë të Kuvendit të Turqisë.

Ministri Gashi i falënderoi për pritjen dhe shprehu mirënjohjen për popullin dhe shtetin turk në ndihmë shtetit të Kosovës në tërë etapat e shtetformimit dhe ndërtimit të jetës demokratike. Ministri u shpreh se po viziton Republikën e Turqisë me qëllim të thellimit të marrëdhënieve mes dy shteteve dhe ta forcojmë bashkëpunimin, ku edhe është bërë nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit në kulturë.

“Kosova dhe Turqia kanë shumëçka të përbashkët dhe kjo përbën një potencial të madh që bashkëpunimi të rritet dhe më shumë dhe kjo gjë avancon komunikimin e komunitetit shqiptar që jetojnë Turqi por edhe atij turk që jeton në Kosovë”, tha ministri duke i informuar nikoqirët edhe për përfaqësimin dhe integrimin e komuniteti turk në Kosovë në jetën institucionale në Kosovë në të gjitha nivelet.

E pala turke i uroi mirëseardhjen ministrit Gashi në Turqi dhe theksuan raportet e mira që kanë dy shtetet duke përmendur edhe të kaluarën e përbashkët që kemi pasur si dy popuj. Zëvendëskryetarja e Kuvendit foli për përkrahjen që ka bërë Turqia edhe në arenën ndërkombëtare në kuadër të lobimit për shtetin e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në shumë mekanizma ndërkombëtare.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 17 Janar 2018 - Mbahet mbledhje e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale në të cilën do të behët shqyrtimi i projektligjit për ndërmarrjet sociale. (Ndërtesa e Kuvendit, sallaN 303, ora 10:00)

- Në kuadër të organizimeve në 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut dhe Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, nesër më 17 janar 2018, zhvillohen homazhe te shtatorja e Skënderbeut. (Shtatorja e Skënderbeut, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në të cilën do të behët shqyrtimi i raportit të punës së Komisionit, për vitin 2017 si dhe shqyrtimi i draft-planit të punës së Komisionit, për vitin 2018. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Për nder të 18 vjetorit të themelimit të Administratës Tatimore të Kosovës, do të mbahet shënimin simbolik të këtij përvjetori, në të cilin pjesëmarrës do të jenë Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, Ministri i Financave Bedri Hamza, palët e interesit dhe donatorët. (Qendra e Shërbimit të Tatimpaguesve, ish-ndërtesa e Gërmisë, ora 11:00) 

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit,  salla  C 301, ora 11:00)

- Prezantohen projektet e studentëve, të cilët do të pasqyrojnë punën që është bërë gjatë semestrit dimëror 2017/18. (Fakulteti i Edukimit, ora 11:00)

- Mbahet mbledhje e Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim në të cilën do të behët shqyrtimi i Projektligjit për Tatimin në Pronën e Paluejtshme, me raport amandamente të Komisionit funksional për Buxhet dhe Finanaca. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 12:00)

- Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj do të vizitojë kompaninë e prodhimit të produkteve farmaceutike “Trepharm”. (Hapësirat e “Trepharm” në Sllatinë, ora 12:30)

- Komuna e Gjilanit ben zbulimin e bustit te heroit Gjergj Kastrioti - Skenderbeu. (Sheshi kryesore para zyres se kryetarit ne Gjilan, ora 13:00)

- Mbahet Akademi kushtuar 550 vjetorit të Skënderbeut, me ç ‘rast do të promovohet pulla postare e Postës së Kosovës dhe Postës së Maqedonisë në të cilen do të nderohen edhe figurat e shquara të shqiptarëve, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, në 36-vjetorin e vrasjes së tyre. (Teatri Kombëtar të Kosovës, ora  15:00)

- Komuna e Gjilanit organizon akademin e Flakes se Janarit 2018, qe i kushtohet 550 vjetorit te vdekjes se heroit kombetar Skenderbeu dhe 50 vjetorit te protestave masive per flamurin kombetar. (Teatri i Qytetit, ora 16:00)

- Muzeu i Kosovës, me nismën e "Museum Illyricum" - Zvicër, organizojnë ekspozitë me libra; pulla dhe bankënota nga mesjeta e deri në vitet '30-ta. (Lapidariumin e Muzeut të Kosovës, ora 18:00)

- Hapet ekspozitë 55 portrete për 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut dhe Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut. (Swiss Diamond Hotel, ora 18:00)

- Në 550 vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar Skenderbeu dhe 50 vjetorit të protestave masive për flamurin kombëtar organizon aktivitetin Peneli i Flakes. (Teatri i Qytetit të Gjilanit, ora 19:00)