28 Mars 2024

Tre futbollistët e Zvicrës, ndëshkohen me gjobë

Gjenevë, 25 qershor - Federata Ndërkombëtare e Futbollit, FIFA, gjobiti tre futbollistët e Zvicrës, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka dhe Stephan Lichtsteiner dhe i paralajmëroi ata lidhur me festimin e tyre pas golave që shënuan në ndeshjen kundër ekipit të Serbisë, të cilin Zvicra e mundi me 2 me 1 të premten në kuadër të kampionatit botëror të futbollit.

Por FIFA nuk i ndaloi ata të marrin pjesë në lojrat e ardhshme.

Të dy futbollistët shqiptarë, me prejardhje nga Kosova, festuan duke bërë shenjën e shqiponjës, që është simboli në flamurin kombëtar shqiptar.

Serbia kundërshton pavarësinë e Kosovës që u shpall dhjetë vjet më parë më mbështetjen e fuqive kryesore perëndimore.

Të dy futbollistët u gjobitën e nga 10 mijë franga zvicerane, (afërsisht 10 mijë e 126 dollarë amerikanë) për "sjellje josportive në kundërshtim me parimet e lojës fer", ndërsa kapiteni i ekipit të Zvicrës, Lichtsteiner, i cili u bashkua me festimet, u gjobit me 5 mijë franga zvicerane dhe u paralajmërua.

FIFA gjobiti me 54 mijë franga Federatën Serbe të futbollit dhe e paralajmëroi atë për "shpalosjen e parullave dhe mesazheve diskriminuese" nga tifozët, ndërsa presidenti i saj Slavisha Kokeza dhe trajneri Mladen Kërstajiç, u gjobitën me nga 5 mijë franga.

Futbollistët shqiptarë, i kanë hedhur poshtë pohimet se veprimet e tyre kishin prapavijë politike.

“Për mua ishte vërtetë një ditë e posaçme", ka deklaruar Granit Xhaka pas ndeshjes së të premtes. "Kjo është një fitore për familjen time, për Zvicrën, Shqipërinë e Kosovën. Veprimi ishte për të gjithë ata që më mbështesin dhe nuk kishte të bënte me kundërshtarët. Ishte një lojë vërtetë emocionale", tha ai.

Xherdan Shaqiri tha se "nuk ka të bëj asgjë me politiken, kjo ka të bëjë me futbollin".

Trajneri serb Mladen Kërstajiç, është gjobitur "për shkak të deklaratave pas ndeshjes". Mediet cituan atë të ketë thënë se gjyqtari gjerman Felix Brych, që sipas tij nuk akordoi një penalti për ekipin e tij, "duhet të vihet para gjykatës së Hagës" duke ju referuar Gjykatës Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Zvicra fitoi kundër Serbisë me rezultatin 2 me 1 të premten në një ndeshje që nxiti shume emocione e reagime ne Serbi dhe në Kosovës. Golat për Zvicrën u shënuan nga futbollistët Xhaka e Shaqiri.

Fitorja e Zvicrës u kremtua edhe në Kosovë si dhe u mirëprit edhe nga udhëheqës politik shqiptarë, ndërsa politikanë në Serbi e cilësuan të trishtueshme humbjen në ndeshjen e së premtes.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)