25 Qershor 2018

Të rinjtë e Suharekës përmes investimeve në sport, përkrahen nga MKRS-ja

Prishtinë, 11 qershor - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar komunën e Suharekës, ku është pritur nga kryetari Bali Muharremaj.

Me këtë rast, të dy kanë nënshkruar 3 memorandume: Memorandumin për ndërtimin e stadiumit në fshatin Studençan, Memorandumin për përfundimin e fazës finale të stadiumit të qytetit, Memorandum për kullën e Familjes Tafollaj në fshatin Çadrak të Suharekës.

Ministri i Kulturës Kujtim Gashi tha se përveç 3 memorandumeve të planifikuara ata së bashku me kryetarin Muharremaj do të ndajnë buxhet edhe në ndërtimin e stadiumit në Mushtisht.

“Në kuadër të vizitave që jam duke i bërë në komunat e Kosovës sot po qëndrojmë edhe në Suharekë. U dakorduam të nënshkruajmë 3 memorandume bashkëpunimi. E para ka të bëjë me stadiumin në Studençan, ku ka qenë edhe premtim i imi."

"Sot u dakorduam që ta fillojmë këtë projekt, dhe së shpejti do të fillojmë fazën e parë të këtij projekti. Jemi dakorduar që ta përfundojmë edhe fazën e fundit të projektit të stadiumit të qytetit."

"Gjithashtu do të ketë edhe një restaurim në kullën e familjes Tafolli. Unë i premtova kryetarit që do të ndajmë mjete financiare edhe për stadiumin në Mushtisht. Buxheti është shtuar për 9 milion euro. Dhe më vjen mirë që për herë të parë Ministria e Kulturës ka mbi 40 milion euro”, ka thënë ministri Gashi.

“Projekti i shtëpisë së kulturës është një investim i Ministrisë së Kulturës. Bashkë me kryetarin po mundohem që ta shtyjmë më tutje edhe përkundër vështirësive që ka. Problemet teknike i kem gjetur të trashëguara mirëpo do t’i tejkalojmë”, u shpreh Gashi.

Ndërkaq lidhur me premtimin e tij për zhvendosjen e ministrisë në Prizren ai tha se një pjesë e kabinetit do të zhvendoset muajin e ardhshëm.

Ministri tha se “Jemi afër për të kaluar në Prizren, i kemi disa çështje administrative dhe besoj që nga muaji i ardhshëm një pjesë e stafit do të kalojë në Prizren”.

Kryetari i komunës Bali Muharremaj tha se bashkë me Ministrin e Kulturës nënshkruan 3 memorandume ndërkaq paraqiten kërkesat kryesore të komunës.

“Sot arritëm me i nënshkru 3 memorandume ku vlera është mbi 600 mijë euro. Kryesisht janë Memorandumi për ndërtimin e stadiumit në fshatin Studençan, Memorandumi për përfundimin e fazës finale të stadiumit të qytetit, Memorandum për kullën e Familjes Tafollaj në fshatin Çadrak të Suharekës.

Ministri së bashku me të parin e Suharekës vizituan edhe punimet që po bëhen tek shtëpia e kulturës në këtë komunë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 Qershor 2018  - Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi Inject, organizon tryezën me temë 'Si ta parandalojmë dhunën ekonomike?', ku edhe do të prezantohet Iniciativa për Ndryshimin e Ligjit për Familjen, gjegjësisht saktësimi i dispozitave ligjore në lidhje me ndarjen e pasurisë së përbashkët bashkëshortore. (Hotel Sirius, ora 9:00)

- Komuna e Gjilanit dhe organizata “Let’s Do It Kosova' te mbështetur nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor organizojn aksion pastrimi në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” në Gjilani. (Para teatrit të Gjilanit, ora 10:00)

- Mbahet ceremonia e diplomimit të kadetëve të Forcës  së Sigurisë së Kosovës. (Kazerma 'Skënderbeu’, në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes,  në Ferizaj, ora 11:00)

- Zyra e Bashkimit Evropian dhe Ministria e Integrimit Evropian organizojn takimin iniciues për nisjen e programimit të programeve kombëtare për Kosovën, IPA 2019 dhe IPA 2020, të financuara nga Bashkimi Evropian. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P-38, ora 11:00)

- Komisioni për Buxhet dhe Financa mban dëgjim publik lidhur me Projektligjin nr.06/L-072 për Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jobankare. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 203, ora 11:30)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj e viziton Komunën e Klinës ku do te takohet me Kryetarin Komunës, drejtorët dhe asamblistët. (Objekti i Komunës se Klinës, ora 14:00)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj takohet me familjarë  të dëshmorëve, biznese lokale, persona nga fusha e artit, sportit, muzikës, OJQ, etj, të Komunës së Klinës. (Objekti i Komunës se Klinës, ora 15:00)