23 Janar 2020

Rusia përjashtohet nga lojërat ndërkombëtare për katër vjet

Paris, 9 dhjetor - Agjencia Botërore Anti-Doping (WADA), tha se Rusisë i është ndaluar pjesëmarrja në Lojërat Olimpike dhe kampionatet botërore në një gamë sportesh për katër vjet, si ndëshkim për manipulimin e të dhënave laboratorike.

Komiteti Ekzekutiv i WADA-s e mori këtë vendim pasi që konkludoi se Moska kishte ndryshuar të dhënat laboratorike duke mbjellë prova të rreme dhe duke fshirë skedarët e lidhur me provat pozitive të dopingut, që mund të ndihmonin në identifikimin e mashtrimeve.

Një zëdhënës i agjencisë tha se vendimi i komitetit ishte i njëzëshëm.

Rusia, e cila është përpjekur të tregojë veten si një fuqi botërore sportive, është përfshirë në skandale dopingu që kur një raport i vitit 2015 i porositur nga WADA, gjeti prova të dopingut masiv tek sportistët rusë.

Problemet e saj me dopingun janë shtuar, që kur shumë nga atletët e saj u përjashtuan nga Olimpiadat e kaluara dhe vendi u shfaq pa flamur ne Lojërat Olimpike Dimërore në Pyeongchang vitin e kaluar, si ndëshkim për fshehjen e skandaleve nga shteti në Lojërat Olimpike të Sochit në vitin 2014.

Sanksionet e së hënës ishin rekomanduar nga një komiteti i vlerësimit i WADA-s në përgjigje të të dhënave laboratorike të manipuluara të ofruara nga Moska në fillim të këtij viti.

Një nga kushtet për rikthimin e anëtarësisë së agjencisë ruse anti-doping RUSADA, e cila u pezullua në 2015, por u rikthye vitin e kaluar, kishte qenë që Moska të sigurojë një kopje autentike të të dhënave laboratorike. Sanksionet i heqin në mënyrë të menjëhershme akreditimin kësaj agjencie.

Ministri rus i Sportit, Pavel Kolobkov, muajin e kaluar fajësoi çështjet teknike për mospërputhjet në të dhënat laboratorike.

Vendimi, megjithatë, lë dyert e hapura për sportistët “e pastër” rusë që të konkurrojnë në ngjarje të mëdha sportive ndërkombëtare pa flamurin apo himnin e tyre për katër vjet, siç kishte ndodhur gjatë Lojërave Olimpike në Pyeongchang në vitin 2018.

Zyrtarët rusë pretendojnë se akuzat dhe dënimet janë pjesë e një konspiracioni të perëndimit për të dëmtuar vendin e tyre.

Kalendari

Ngjarjet e datës 23 janar 2020 - Mbahet mbledhja e parë e rregullt e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi në komunën e Rahovecit për vitin 2020. (Salla e Kuvendit Komunal në Rahovec, ora 10:00)

- Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Eliza Hoxha dhe asambleisiti i komunës së Prishtinës, Leutrim Retkoceri, do të mbajnë konferencë për media lidhur me situaten rreth liqenit të Badovcit. (Zyret e Degës së PDK-së, afër stadiumit dhe ambasadës kroate, ora 11:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, do të bëjë shpërndarjen e librave për nxënësit fitues të nivelit komunal të garës nacionale në Dituri dhe Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik në komunën e Prizrenit. (Shtëpia e Kulturës, ora 11:00)

- Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa pret në takim të dërguarin e posaçëm të ShBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, Ambasadorin Richard Grenell. (Mediet mund të marrin pamje në fillim të takimit, ora 11:30)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane organizon sesionin e diskutimit me Ndihmës Asistentin e Sekretarit të Departamentit të Shtetit, Jorgan K. Andrews, Byroja Ndërkombëtare e Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit. (Hotel Swiss Diamond, ora 11:30)

- Promovohet partneriteti në mes të Kolegjit Iliria dhe Swiss UMEF University. (Kolegji Iliria, ora 12:00) 

-  Zëvendës-ndihmës sekretari i ShBA-ve Jorgen Andrews do të marrë pjesë në ceremoninë e dhurimit te donacionit në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, ku Byroja për Çështje ndërkombëtare të narkotikëve dhe zbatimit të ligjit pajisje me vlerë rreth 100,000.00 dollarë. (Shërbimi Korrektues in Kosovës, Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, ora 14:00)

- Universiteti i Gjakovës "Fehmi Agani" organizon ceremoninë e diplomimit të studentëve. (Pallati i Kulturës "Asim Vokshi" në Gjakovë, ora 14:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, do të bëjë shpërndarjen e librave për nxënësit fitues të nivelit komunal të garës nacionale në Dituri dhe Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik në komunën e Suharekës. (Shkolla e Mesme Profesionale "Abdyl Rama" në Shirokë, ora 14:30)

- Bëhet lansimi i platformës digjitale për pjesëmarrje të publikut, projekt ky i cili është realizuar në Komunën e Prizrenit, me financim të OSBE-së dhe e implementuar nga ana e kompanisë Appdec. (Shtëpia e Bardhë, ora 15:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon konferencën për media në të cilën do të publikohet “Indeksi i perceptimit të korrupsionit 2019” për Kosovën i përgatitur nga Transparency International. (Zyrat e KDI-së, ora 18:00) 

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do të zhvillojë darkë pune me të Dërguarin e Posaçëm të Presidentit Trump për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, ambasadorin Richard Grenell. (Restoranti “Renaissance” në Prishtinë, ora 19:30)