17 Korrik 2019

Përurohet Stadiumi në Komunën e Kamenicës

Kamenicë, 19 qershor  - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar sot Komunën e Kamenicës ku mori pjesë në përurimin e Stadiumit të Komunës së Kamenicës. Gjatë kësaj vizite, ministri Gashi është pritur nga kryetari i kësaj komune Qëndron Kastrati me të cilin nënshkroi dy memorandume bashkëpunimi.

Memorandumet e nënshkruara kanë për qëllim mbështetjen financiare të projekteve: “Rregullimi i Stadiumit të Qytetit të Kamenicës” me 350 mijë euro dhe “Renovimi i Qendrës Rinore në Kamenicë” me 75 mijë euro.

“Memorandumet e nënshkruara me Komunën e Kamenicës vijnë si rezultat i kërkesave dhe nevojave të këtij qyteti në fushën e sportit dhe të rinisë dhe po ashtu edhe i vendosmërisë tonë për të mbështetur projektet të cilat kanë për qëllim plotësimin e kushteve për realizimin e aktiviteteve të ndryshme sportive dhe rinore”, u shpreh ministri Gashi.

Ai po ashtu tha se memorandumi i nënshkruar për Stadiumin i cili u përurua sot u bë me qëllim të avancimit të stadiumit në mënyrë që ky stadium të jetë në shërbim edhe të ekipeve elitare të Kosovës.

“Më vjen mirë që më në fund po e përurojmë këtë investim të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ka qenë një stërzgjatje e projekteve në komunën tuaj por ne e kemi një përkushtim të veçantë për këtë lokalitet, për këtë komunë e cila ndoshta nuk ka pasur ndonjë përkujdesje të duhur të Ministrisë në të kaluarën por ne jemi të interesuar që edhe ky projekt që po përfundon sot por edhe projektet tjera siç janë Pallati i Sporteve e në të njëjtën kohë edhe Qendra Rinore të përfundojnë sa më parë që të jenë në shërbim të zhvillimit të aktiviteteve sportive, kulturore dhe rinore”, tha ministri Gashi.

Ai po ashtu theksoi: “Ne jemi duke investuar në të gjitha komunat e Kosovës por Kamenica e ka një trajtim të veçantë dhe pjesa e investimeve për periudhën e ardhshme do të jetë shuma rreth 660 mijë euro”.

Në takimin me kryetarin e Komunës, Qëndron Kastrati, përveç tjerash u diskutua edhe për projekte të tjera në fushën e trashëgimisë kulturore. Konkretisht u fol rreth projektit “Kompleksi Rexhep Malaj” dhe me theks të veçantë rreth projektit për Kullën e Nuhi Berishës.

Pas njoftimit nga ana e kryetarit Kastrati në lidhje me këto projekte, ministri Gashi u tregua i gatshëm për bashkëpunim dhe përkrahje të këtyre projekteve për restaurimin dhe konservimin e këtyre objekteve pasi siç tha ai realizimi i tyre ka rëndësi të madhe në ruajtjen e trashëgimisë kulturore të këtij qyteti.

Në anën tjetër, kryetari Kastrati u shpreh i kënaqur me nënshkrimin e memorandumeve të bashkëpunimit. Ai falënderoi ministrin Gashi për mbështetjen e tij e veçanërisht për gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar në të ardhmen për realizimin e projekteve të tjera edhe në fushën e kulturës dhe të trashëgimisë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 17 korrik 2019 - Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë organizon konferencë të jashtëzakonshme për media lidhur me rastin e fundit i vdekjes së fëmijës në rrethana të dyshimta në Fushë Kosovë. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Lansohet Plani i Integritetit të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Ministrisë se Mbrojtjes, ora 10:00)

- Me rastin e shënimit të “Epopesë së Korrikut 1998’’ në Rahovec, Komuna e Rahovecit do të bëj homazhe dhe ndërim për të rënet. (Rahovec, ora 10:00)

- Kryetari i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Ramiz Azizi do të mbajë konferencë për media. (Objekti i Gjykatës Themelore në Gjilan, Kati i III, Salla 306, ora 10:30)

- Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi mban dëgjim publik lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Trashëgiminë Kulturore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 203, ora 11:00)

- Policia e Kosovës do të mbajë një konferencë për media, ku do prezantohet raporti gjashtëmujor  janar-qershor 2019 duke u fokusuar edhe në aktivitetet më të rëndësishme të policisë gjatë kësaj periudhe. (Stacioni policor Qendra në Prishtinë, ora 11:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj pret në takim Azgan Haklaj, president i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 11:00)

- Ministria e Tregtisë dhe Industrisë organizon panairin “Gratë në Biznes dhe artizanate tradicionale” në të cilin do të marrin pjesë rreth 32 biznese dhe shoqata të grave ndërmarrëse nga komunitete të ndryshme të Kosovës. (Sheshi “Para Teatrit” në Gjilan, ora 11:00)      
 
- Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës lanson fushatën vetëdijësuese “10 Rregullat e Arta të Sigurisë Rrugore. (Pika kufitare e Merdares, ora 11:00)

- Partia Socialdemokrate mban konferencë për media. (Zyrët qendrore të PSD-së në lagjen Arbëria, ora 11:30)

- Komuna e Rahovecit organizon akadmi përkujtimore me rastin e 21 vjetorit shënimit të “17 korrikut - Epopesë së Rahovec’’. (Shtëpia e Kulturës 'Mentor Zyberaj" në Rahovec, ora 12:00)

- Agjencia Kosovare e Privatizimit mban ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve përmes Likuidimit nr.48. (Hoteli Grand, ora 12:30)

- Mbledhja e komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale në të cilën do të behët shqyrtimi i Projektligjit për Inspektoratin e Punës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 13:00)

- Komuna e Rahovecit organizon dëgjim publik për përgatitjen e buxhetit për vitit 2020 më banorët e fshatit Hoçë e Madhe. (Shtëpia e Kulturës në fshatin Hoçë e Madhe, ora 14:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj zhvillonë një vizitë pune në Komunën e Malishevës. (Malishevë, ora 15:00)

- Komuna e Rahovecit organizon dëgjim publik për përgatitjen e buxhetit për vitit 2020 më banorët e lagjeve III- dhe IV të qytetit të Rahovecit. (Shkolla fillore “Isa Boletini” në Rahovec, ora 19:00)