28 Mars 2024

Pallati i kulturës dhe stadiumi i ri pritet të ndërtohen në Ferizaj

Prishtinë, 24 shtator - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, e shoqëruar nga zëvendësministri Halil Matoshi dhe një pjesë e stafit të MKRS-së, ka vizituar sot Komunën e Ferizajt, ku është takuar me kryetarin e kësaj komune, Agim Aliu, me të cilin kanë diskutuar për projektet që janë në interes të përbashkët në fushën e kulturës, trashëgimisë, sportit e rinisë.

Bëhet fjalë për projekte që do të përmbushin kërkesat e qytetarëve të kësaj komune nga fusha e trashëgimisë ku u diskutua për futjen e festivalit të këngës “Kosovarja këndon” në kuadër të trashëgimisë shpirtërore, ndërkaq në 50 vjetorin e teatrit të Ferizajt që po shënohet sivjet, ministrja ka thënë se objekti i teatrit do të restaurohet me përkrahje të ministrisë.

Edhe në kuadër të përkrahjes së drejtpërdrejtë organizata që veprojnë dhe merren me kulturë në Ferizaj, çdo vit përfitojnë nga thirrja që bën MKRS-ja për përkrahje të projekteve kulturore. Këtë vit i kemi mbështetur 12 organizata të komunës së Ferizajt, u shpreh mes tjerash ministrja.

Edhe në kuadër të sportit sqaroi ministrja, MKRS-ja është prezent me investime kapitale, siç është projekti i palestrës sportive në Greme të Ferizajt, kompleksin e fushave të tenisit, pishinën gjysmë-olimpike, por projekti më i rëndësishëm të cilin e paralajmëroi ministrja është ndërtimi i stadiumit të ri të Ferizajt.  

“Bashkë me kryetarin Aliu u pajtuam që të nisim procedurat për projektin e ndërtimin të një stadiumi të ri të Ferizajt. E dimë që është stadiumi i vjetër është në Ferizaj dhe ne do të mundohemi që të punojmë edhe aty ashtu që t’u japim mundësi sportistëve dhe komunitetit që të zhvillojë gara. Por është vlerësim dhe kërkesë e Ferizajt që të ndërtohet stadiumi i ri me standarde ndërkombëtare”, shpjegoi ministrja.  

Nga ana e tij, kryetari Aliu e falënderoi ministren dhe MKRS-në për përkrahjen e projekteve që realizohen në Ferizaj.

“Ferizaji ka një jetë të pasur me aktivitete kulturore dhe sigurisht që nuk do të ishte kështu nëse do të mungonte përkrahja e MKRS-së ngase këto nuk do të ishin të mundura pa pasur mbështetjen e ministrisë”, ka theksuar kryetari Aliu.

Ai tregoi se mes tjerash me ministren Dumoshi kanë biseduar që shumë shpejtë të vënë gurthemelin edhe të pallatit të ri të kulturës, i cili sipas kryetarit Aliu, pritet të jetë objekti i parë i atij lloji në Kosovë.
 
 Projekti i muraleve, atraksion që është përkrahur nga MKRS-ja

Në vizitën e sotme në Ferizaj, ministrja Dumoshi dhe stafi i MKRS-së, bashkë me kryetarin Aliu kanë parë për së afërmi Festivalin e Muraleve, i cili ka për qëllim promovimin e artit vizual të jetës kulturore në Ferizaj.

“Në Ferizaj po qëndrojnë 15 artistë duke filluar nga SHBA, të Barcelonës dhe nga shumë vende tjera, të cilët përveç vizatimeve ose pikturave të cilët ata i bëjnë, ata mishërohen edhe me traditën tonë”, tha ministrja, duke e konsideruar këtë lloj bashkëpunimi dhe shkëmbimi të artistëve edhe si një lloj diplomacie kulturore, sepse këta artistë kur të kthehen në vendet e tyre, do të tregojnë për përvojën të cilën kanë kaluar në vendin tonë.

Edhe kryetari Aliu tha se Festivali i Muraleve i ka dhënë një impuls më të madh jetës kulturore në Ferizaj dhe ky festival ka kaluar përtej kufijve të Kosovës duke pasur një rëndësi edhe më të madhe sa që kishte vite më parë dhe për këtë falënderoi edhe ministren për përkrahjen e këtij festivali. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)