21 Mars 2019

Palestra e Rahovecit së shpejti në funksion

Prishtinë, 22 shkurt - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi vizituan palestrën sportive në Rahovec për të parë nga afër punimet e realizuara deri më tani në këtë objekt sportiv, projekt kapital në të cilin MKRS-ja ka investuar.

Ministri Gashi deklaroj se ndodhet në këtë palestër për të parë nga afër punimet e realizuara deri më tani në këtë objekt sportive dhe për të rikonfirmuar përkushtimin e tij për mbështetjen e vazhdueshme që kjo palestër të përfundohet sa më parë.

“Ndodhem për herë të tretë në Rahovec dhe pikërisht në këtë palestër dhe jemi në fazën përfundimtare të kryerjes së punimeve ashtu që kjo palestër të jetë e gatshme për të zhvilluar gara”, u shpreh ministri Gashi.

“Natyrisht, se puna më e madhe është kryer në këta tre-katër muajt e fundit prej kurse jemi dakorduar me kryetarin Latifi që ta kemi të gatshme palestrën për zhvillimin e Kupës së Kosovës në basketboll. Është një moment jashtëzakonisht i mirë që përmes këtyre garave që ta testojmë palestrën e Rahovecit”, theksoi tutje ministri, duke vlerësuar se është fat i mirë dhe ditë e madhe për Rahovecin, për sportistët e sportdashësit që ta kenë një projekt kaq të madh i cili ka një vlerë rreth 3 milion euro.

Ministri shpjegoi tutje se palestra do të ketë një kapacitet me 2200 ulëse statike me mundësi të ulëseve teleskopike nëse do të jetë e nevojshme. “E kemi edhe një fazë të fundit për të përfunduar në tërësi projekti dhe kjo palestër do t’u dorëzohet juve si kryetar i Komunës dhe përmes juve sportistëve dhe të gjithë qytetarëve të Rahovecit”, tha ministri duke pohuar se është palestra e dytë këtë vit që do të inaugurohet në Kosovë.

Ministri tha se këtë vit do të përfundohen edhe palestrat tjera punimet në të cilat kanë zgjatur me vite. “Do të punojmë me një përkushtim të madh që të finalizojmë projektet e mbetura me vite”, tha ai.

Ndërkaq kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, falënderoi ministrin Gashi për angazhimin për kujdesin dhe mbështetjen e projektit të palestrës në Rahovec. “Edhe pse ka zgjatur si projekt me vite të tëra, falë ministrit dhe stafit të tij objekti gati plotësisht është i shfrytëzueshëm për të filluar ndeshjet për kupën e Kosovës në basketboll”, u shpreh mes tjerash kryetari Latifi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 mars 2019 - Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë me mbështetje të GIZ - CDBE organizon konferencën e rishikimit vjetor të planit strategjik të arsimit të Kosovës 2018. (Hotel Sirius, ora 9:00)

- Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkë organizim me MASHT,  komunën e Prishtinës, OJQ “Lets Do it Kosova”, “Green Art Center”, SHUKOS, CDI dhe shoqërinë civile do të shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Ujit dhe Ditës ndërkombëtare e Meteorologjisë. (Liqeni i Batllavës, ora 10:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon tryezën me rastin e publikimit të “Raportit të Monitorimit të Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës 2018”, në një diskutim me shefat e grupeve parlamentare, përfaqësues të institucioneve dhe shoqërisë civile. (Orion Conference Center përballë Kino ABC, ora 10:00)

- Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit organizon tryezën e rrumbullakët - Zëri i Popullit rreth 'Finales së Madhe' ndërmjet Kosovës dhe Serbisë - (Tek ABC Group, Gjilan, rr. Xhemajl Mustafa, nr. 99, ora 10:00)

- Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e 49 deputetëve për seancë të jashtëzakonshme. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C-301 10:30)

- Lëvizja Vetëvendosje mban aktivitet simbolik. (Takimi me media bëhet te shtatorja e Zahir Pajazitit, ora 10:45)

- Ambasada e Francës në Kosovë, Klubi afarist, France Albanie Bussiness në bashkëpunim me Klubin afarist frankofon në Kosovë do të organizojë një simpozium lidhur me investimet në Kosovë. (Hotel Sirius, ora 10:45)

- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj raporton para Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës për raportin vjetor të punës për vitin 2018. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës mban konferencë për shtyp lidhur me diskriminimi i punëtorëve ne sektorin privat. (Selia e BSPK-së, ora 11:00)

- Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme, për të diskutuar lidhur me kërkesën e deputetëve nënshkrues. ​(Ndërtesa e Kuvendit,  ora 11:00)

- Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj merr pjesë në fillimin e punimeve në segmentin e ri, Lum Madh-Gojbule, të rrugës Nacionale M2, Prishtinë - Mitrovicë, “Rruga e Tre Heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha”. (Fshati Lum Madh i Vushtrrisë në drejtim të Mitrovicës, ora 12:00)

- Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Fushë Kosovë mban aktivitet. (Para objektit të Komunës së Fushë Kosovës, ora 13:00)

- Komuna e Prishtinës mban konferencë për media. (Ndërtesa e vjetër e Komunës në katin e parë, ora 13:30)

- Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherit Kryeministër i Republikës së Kosovës, do të jetë prezent në ngjarjen e organizuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës- Dega në Rahovec, ku me këtë rast do bëhen edhe aderime të reja të disa figurave të rëndësishme, njerëz të profileve dhe moshave të ndryshme. (Shtëpia e Kulturës ″Mensur Zyberaj″ në Rahovec, ora 18:00)