30 Shtator 2020

ORCA përgëzon Fakultetin e Sporteve

Prishtinë, 7 gusht - Përfaqësuesit e ORCA-s Rron Gjinovci e Gramos Buçinca kanë vizituar sot Dekanin Musa Selimi të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe të Sportit të Universitetit të Prishtinës, me ç’rast e kanë përgëzuar për përmirësimin e performancës shkencore të këtij Fakulteti, i cili për shkak të rritjes së punimeve shkencore nuk është më në vendin e fundit në radhën e fakulteteve të UP-së. Në takim morën pjesë edhe emra të njohur të sportit kosovar që shërbejnë si profesorë në Fakultet.

Sado që rritja e numrit të punimeve është e vogël, pasur parasysh rrethanat dhe kushtet e vështira në të cilat punon Fakulteti, ORCA e sheh si të rëndësishëm faktin që është rritur publikimi shkencor në këtë Fakultet. Kjo tregon se edhe në kushte të rënda shkenca është e mundur dhe jep shpresë që Universiteti i Prishtinës të avancojë tutje në këtë drejtim.

ORCA u njoftua për së afërmi me punën dhe sukseset e jashtëzakonshme të studentëve dhe stafit akademik të Fakultetit në rrafshin ndërkombëtar. Po ashtu pati dakordim që Fakulteti i Edukimit Fizik dhe i Sportit së bashku me ORCA-n të avokojnë për përmirësimin e mëtutjeshëm të infrastrukturës, për hartimin e një rregulloreje të veçantë të avancimeve për këtë Fakultet e cila i përshtatet karakteristikave të Fakultetit, si dhe për shtimin e orëve të Edukatës Fizike në nivel vendi në sistemin arsimor parauniversitar me qëllim të ruajtjes së shëndetit dhe rritjes së mundësive për punësim të studentëve të këtij Fakulteti.

ORCA përveç kritikës së zellshme për parregullsitë kudo në hapësirat publike universitare, thekson rëndësinë e afirmimit të sukseseve të vogla si ai i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe të Sportit. ORCA do të qëndrojë pranë dhe me të gjithë ata që angazhohen për rritjen e cilësisë së arsimit në vend.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 1 Tetor 2020

- Me rastin e Ditës Botërore për të Moshuarit, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica do të bëjë një vizitë në Shtëpinë për Persona të Moshuar pa Përkujdesje Familjare në Prishtinë. (Shtëpia për Persona të Moshuar pa Përkujdesje Familjare, ora 9:00)

- Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica do të bëjë një vizitë në zyrat e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës në Prishtinë. (Zyrat e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, ora 9:30)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi do të ndajë çmimet vjetore për kinematografi. (Kabineti i ministres Dumoshi, ora 10:00)

- Komisioni Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-I9 nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës voton për ekspertin e shëndetit publik si dhe diskuton me ekspertët rreth angazhimit të tyre. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan nis vitin e ri akademik 2020/2021. (Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, ora 11:30)

- Nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Visar Shehu do të merr pjesë në aktivitetin sensibilizues të organizuar nga Drejtoria e Shëndetisë dhe QKMF me rastin e shënimit të muajit të Kancerit të Gjirit. (Sheshi “Shatërvan” në Prizren, ora 11:30)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, do të merr pjesë në përurimin e klasave parashkollore të SHFMU “Mati Logoreci”, të renovuara nga KFOR-it Turk në Kosovë. (Shkolla “Mati Logoreci” në Prizren, ora 12:00)

- - Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka do të merr pjesë edhe në fillimin e punimeve të rrugës Arbanë - Landovicë në Prizren. (Në afërsi të varrezave të dëshmorëve në Landovicë, ora 12:30)

- Kryeministri Avdullah Hoti merr pjesë në fillimin e punimeve të rrugës Arbanë-Landovicë. (Landovicë, Varrezat e Dëshmorëve, ora 12:30)  

- Kryeministri Avdullah Hoti viziton komunitetin boshnjak në Reçan. (Reçan, ora 13:30)

- Në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë do të mbahet paraqitja e parë e Hysni Gucatit. (https://www.scp-ks.org/sq/transmetim, ora 15:00)

- Kryeshefi Ekzekutiv i Korporates Financiare te Zhvillimit Ndërkombëtar të ShBA-ve, Adam Boehler mban një konferencë telefonike për shtyp në të cilën do të diskutojë sesi delegacioni i fundit i qeverisë amerikane në Greqi, Kosovë, Serbi, Izrael dhe Marok avancoi marrëveshjet ekonomike dhe investimet e sektorit privat për të mbështetur zhvillimin global dhe politikën e jashtme të SHBA. (https://www.eventbrite.com/e/telephonic-press-briefing-with-us-international-development-finance-tickets-123158497381, ora 17:00)