21 Shtator 2018

Në maj stadiumi i Prishtinës do të jetë i gatshëm

Prishtinë, 11 janar - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar Federatën e Futbollit të Kosovës, ku është pritur nga kryetari, Fadil Vokrri, ku ka parë kushtet dhe hapësirat ku punon FFK-ja.

Ministri Gashi dhe kryetari Vokrri biseduan për zhvillimet në futbollin e Kosovës, për objektin në të cilin është i vendosur federata dhe për mundësinë që pronësia e objektit të kalojë nën menaxhimin e federatës.

Ata po ashtu diskutuan për infrastrukturën sportive dhe investimet e shumta që po bënë MKRS-ja për të krijuar kushte të volitshme për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare.

Ministri Gashi u shpreh se do të angazhohet për finalizimin e procedurës së kalimit të objektit në pronësi të FFK-së.

“Bashkërisht jemi pajtuar që ta procedojmë në një mbledhje të Qeverisë në mënyrë që ky objekt të largohet nga procesi i privatizimit në të ardhmen dhe i njëjti të kthehet për shfrytëzim nga Federata e Futbollit të Kosovës”, tha ministri.

Ministri Gashi nënvizoi se do të arrihen marrëveshje tri palëshe mes MKRS-së, FFK-së dhe Komunave për investime në infrastrukturën sportive, në fusha ndihmëse, me qëllim që klubet tona të futbollit të kenë hapësirat e nevojshme për të zhvilluar aktivitetet e tyre dhe futbolli të avancohet në përgjithësi.

Ministri tha se në fund të prillit ose në fillimi të muajit maj, stadiumi i Prishtinës do të jetë i gatshëm për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare.

Gashi dhe Vokrri kanë diskutuar edhe për aspektin e menaxhimit të fushave dhe terreneve sportive. “Ne për vitin 2018 kemi planifikuar si ministri ta kemi edhe një ligj të veçantë që quhet Ligji për menaxhim të objekteve sportive dhe besoj që kjo i paraprin këtij komunikimi që po e bëjmë me Federatën, me Komunat dhe me gjithë akterët e përfshirë në këtë proces”, tha ministri.

Ndër të tjera, ministri Gashi dhe kryetari Vokrri diskutuan në veçanti edhe për ecuritë e procedurave rreth ndërtimit të Stadiumit Nacional dhe fazën e diskutimeve me partnerët hungarezë të cilët do të ndihmojnë përmes një kredie të butë për ndërtimin e këtij objekti të rëndësishëm jo vetëm për futbollin por edhe për interesin e vendit tonë.

Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin dhe bashkëpjesëmarrjen dy palëshe në projekte të natyrave të ndryshme të cilat kanë një rëndësi të veçantë për avancimin e mëtejmë të futbollit të Kosovës.  

Kalendari

Ngajrjet e datës 21 shtator 2018

- Kolegji “Tempulli” i mbeshtetur nga Oda Ekonomike Gjermane dhe Asociacioni Kosovar i Motorizimit organizojnë tryezë diskutimi për të shënuar Ditën Evropiane pa Viktima në Rrugë. (Ndërtesa e OEGJK, në Zonën Industriale në Fushë Kosovë, ora 9:00)

- Let’s Do It Kosova organizon aksioni i radhës në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”. (Pranë stadiumit “Fadil Vokrri”, ora 9:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në aksionin e pastrimit në kuadër të Task Forcës “Ta pastrojmë Kosovën”. (Deponia pranë Stadium “Fadil Vokrri”, ora 9:00)

- Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan organizon provimin pranues për studentë të rinj. (Universiteti i Gjilanit, ora 9:00)

-  Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizon tryezën e titulluar “Disponueshmëria e Fuqisë Punëtore në Kosovë”. (Salla e Konferencave Orion, ora 10:00)

- Projekti rajonal "Rrjeti i Veprimit për Ndërtimin e Ripërtritjes Urbane në Evropën Juglindore" organizon një ceremoni nënshkrimi të Marrëveshjes Ndër - Komunale për themelimin e rrjetit "Ripërtëritja nga Fatkeqësitë për komunat e Istogut, Klinës, Malishevës dhe Pejës”. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

- Në Kuvendin e Republikës së Kosovës bëhen homazhe me rastin e rivarrimit të Kolonel Ahmet Krasniqi dhe Qazim Jakupi. (Holli i Kuvendit, ora 10:00)

- Kryeparlamentari Kadri Veseli bënë homazhe me rastin e rivarrimit të dëshmorit Ahmet Krasniqi. (Holli i Kuvendit, ora 10:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj bënë homazhe pranë arkivolit të Dëshmorëve të Kombit, Kolonel Ahmet Krasniqi dhe Qazim Jakupi. (Holli i Kuvendit të Kosovës, ora 10:00)

- Ushtrues i Detyrës së Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi  do të vizitojë Komunën e Prizrenit, ku së bashku me kryetarin e kësaj komune, Mytaher Haskuka do të nënshkruajnë një memorandum bashkëpunimi për ndërtimin e deponisë së mbeturinave inerte. (Ndërtesa e komunës se Prizrenit, ora 10:15) 

-  Promovohet raporti 'Stafi Akademik i UP-së - studimet, angazhimet tjera, plagjiaturat, vlerësimet e profesorëve dhe përpjesa staf-studentë e studentë-hapësirë', mes tjerash, do të publikohen rastet e 16 profesorëve të Universitetit të Prishtinës që ndër vite kanë kryer plagjiaturë. (Qendra Informative Kulturore e BE-së, ora 11:00)

- Kryeparlamentari Kadri Veseli merr pjesë në manifestimin për 20 vjetorin e rënies së Dr. Lec Gradica. (Fshati Gradicë në Drenas, ora 12:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në Akademinë Përkujtimore për Dëshmorët e Kombit, Kolonel Ahmet Krasniqi dhe Qazim Jakupi. (Teatri Kombëtar, ora 12:30)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në Rivarrimin e Dëshmorëve të Kombit, Kolonel Ahmet Krasniqi dhe Qazim Jakupi. (Varrezat e Dëshmorëve, ora 14:00)

- Mbahet ceremonia e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit në mes të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe EuroMetal-it. (Rektorati i UPHP-së, ora 14:00)

- Academic English Center KS  organizon ngjarjen e promovimit të librit të parë me thënje në gjuhën angleze, botim i parë i këtij lloji me autor kosovar i lindur në Libi. (Ambientin e qendrës Academic English Center KS, afër sheshit “Zahir Pajaziti” , mbrapa bankës TEB, ora 19:00)