14 Tetor 2019

MKRS në mbështetje të sportistëve të suksesshëm

Prishtinë, 19 shtator - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka pritur në takim ish-mundësin Sadik Ferati, fitues i dy medaljeve botërore.

Ferati e zuri vendin e parë në stilin e lirë më 1991 në Kampionatin Botëror mbajtur në Kanada dhe vendin e tretë në stilin greko-romak.

Më këtë rast, ministri Gashi tha se ndihet i nderuar që ndan mirënjohje për mundësin Sadik Ferati dhe në të njëjtën kohë ai premtoi se me ndryshimet e reja të rregulloreve për sport do të ofrojnë mundësinë që të gjithë sportistët, sikurse mundësi Sadik Ferati, të cilët sjellin medalje, të përfitojnë shpërblim nga ana e shtetit.

“Në kohën kur Ferati ka filluar të ushtojë profesionin e mundësit nuk ka qenë e lehtë, sepse në atë kohë vendi ynë ka pasur sfida të mëdha politike dhe vendi ynë ka qenë i izoluar. Andaj, ne si MKRS, zotohemi që do të mbështesim sportistët  dhe arritjet e tyre, sepse ata po mundësojnë që vendi ynë të njihet anë e kënd botës” tha ministri Gashi.

Ndërkaq, mundësi Sadik Ferati falënderoi ministrin Gashi për pritjen e ngrohtë dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj sportistëve. Ai tha se “pas 20 vjetësh për herë të parë po hyj në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe jam shumë mirënjohës që ministri Gashi më ofroi këtë mundësi. Viteve të fundit i përcjelli me vëmendje rezultatet e sportistëve dhe pa mbështetjen e ministrit Gashi nuk do të kishim këto arritje që i kemi sot”.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 14 tetor 2019

- Shefja e BE-së në Kosovë, Ambasadorja Apostolova, do ta hapë vitin e ri akademik në Kolegjin Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë. (Kampusi i IBCM-së, Mitrovicë e Jugut, ora 10:00)

- Drejtoria për Ekonomi, Zhvillim dhe Turizëm në komunën e Rahovecit mban sesionin informues në thirrjen për aplikim të publikuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë me bizneset e komunës. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, ora 10:00)
 
- Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në bashkëpunim me agjencitë, fondet, programet dhe entitetet e OKB-së në Kosovë - Ekipin e OKB-së së Kosovës nën koordinimin e Zyrës e Koordinatores për Zhvillim do të shënojë Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë. (Menza Ramiz Sadiku, ora 15:00)