22 Shkurt 2019

Ministria e Kulturës shpërblen xhudistët për të sukseset e arritura

Prishtinë, 24 janar - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka ndarë shpërblimet shtetërore për xhudistët Distria Krasniqi e Akil Gjakova dhe për trajnerin Driton Kuka, pas rezultateve të arritura në Kampionatin Evropian të Xhudos i cili u mbajt në nëntor të vitit të kaluar në Podgoricë, në një vlerë të përgjithshme prej 12.750 euro.

Në bazë të rregullores për ndarjen e shpërblimeve shtetërore për sportistët që arrijnë rezultate kulmore në garat ndërkombëtare, ministri Gashi, i ndau shpërblimin prej 5,000 euro xhudistes Distria Krasniqi, e cila fitoi Medaljen e Artë në këtë kampionat në kategorinë deri në 52 kg.

Ndërkaq, xhudistit Akil Gjakova i takoi shpërblimi në vlerë prej 3,500 euro, për fitoren e Medaljes së Argjendtë në kategorinë deri në 73 kg, kurse trajneri Driton Kuka mori shpërblimin 2,500 euro si trajner i Distria Krasniqit dhe 1,750 euro si trajner i xhudistit Gjakova.

Ministri Gashi duke vlerësimin për sukseset që kanë arritur sportistët e Kosovës tha se “Ministria do të vazhdojë të jetë në mbështetje dhe përkrahje të juaj por jo vetëm për xhudon por për të gjitha disiplinat sportive dhe në mbështetje të vazhdueshme edhe për Federatën.”

Ai po ashtu tha se të gjithë ata sportistë që sjellin rezultatet do të vazhdojnë të kenë mbështetjen e Ministrisë.

“Përkushtimi jonë si ministri nuk do të mungojë edhe në ditët në vazhdim. Sportistët të cilët po i sjellin rezultate Kosovës në vazhdimësi e veçanërisht sportistët e xhudos janë vërtetë krenaria jo vetëm e jona si Ministri por edhe e Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës”, u shpreh ministri, duke shprehur falënderim edhe për trajnerin Kuka që si rezultat i punës dhe angazhimit të tij vijnë edhe këto suksese.

Ministri Kujtim Gashi nënvizoi edhe nënshkrimin e Rregullores për sponorizim nga ana e MKRS-së e cila ju mundëson sportistëve dhe sportit në përgjithësi që të kenë edhe një mënyrë të re të financimit, përmes bizneseve dhe donatorëve të ndryshëm dhe kjo mundëson edhe më shumë zhvillimin e sportit në përgjithësi por edhe të sportistëve në veçanti.

Nga ana e saj, xhudistja Distria Krasniqi falënderoi ministrin Gashi për fjalët dhe mbështetjen. “Është kënaqësi kur mundi jonë shpërblehet në këtë mënyrë dhe kur e shohim që edhe institucionet shtetërore po na përkrahin dhe po besojnë në punën që po e bëjmë ne. Shpresoj që edhe në të ardhmen do të kemi suksese dhe këso lloj bashkëpunimi”, u shpreh xhudistja.

Akil Gjakova, tregoi se ndjehet i gëzuar që ka arritur të kthehet me medalje nga Kampionati Evropian. Ai theksoi se “do të vazhdojë të punojë që rezultatet të mos mungojnë. Sigurisht që këto shpërblime janë një shtytje më e madhe për neve që të punojmë edhe më tutje.”

Në anën tjetër, kryetari i Federatës së Xhudos, Agron Kuka, tha se është kënaqësi e veçantë që ndodhet në këtë ngjarje ku MKRS shpërblen sportistët për arritjet e tyre me çmime me vlerë monetare.

Kryetari Kuka ndër të tjera tha “I ftoj publikisht bizneset e në veçanti bankat që të bashkëpunojnë me sportin në përgjithësi duke mos i harruar sportet që i kanë sjell rezultatet më të mëdha sportit të Kosovës si sporti i xhudos, i karatesë dhe i boksit

Kurse trajneri Driton Kuka e falënderoi ministrin Gashi dhe punën që po bën MKRS-ja në fushën e sportit.

Ai tha se xhudoja qysh në fillim të vitit ka arritur rezultat të jashtëzakonshëm duke theksuar faktin se është hera e parë që një garues mashkull të fitojë medaljen.

Ai po ashtu tha se kategorizimi i sporteve, sportistëve dhe trajnerëve dhe Rregullorja për sponsorizime është ajo që i ka munguar legjislacionit për sport.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 shkurt 2019 - Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti do të​ takohet me Kryetarin e Federatës së Shahut, Nysret Avdiu (Objekti i Kryeministrisë, kati VIII, zyra 806, ora 8:30)

-  Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, Shefi i Ambasadës Japoneze në Kosovë, Mitsunori Ogasawara dhe Drejtori gjeneral i kompanisë Jetro Vjenë, Satoshi ABE vizitojnë kompaninë Gjirafa. (Kompania Gjirafa, Dragodan, ora 9:30)

- Let’s Do It do të mbajë konferencën “Efiçienca e energjisë dhe Ruajtja e ujit”, në bashkëpunim me Oden e Gjelbër Ekonomike te Amerikës. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

- Koordinatori  Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës Rexhep Hoti do të mbajë takim me drejtorët e shkollave të komunitetit boshnjak në Komunën e Prizrenit ku do të prezantohet Programi Nacional për Rininë. (Drejtoria Komunale e Arsimit, Prizren, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në të cilën do të shqyrtohet raporti i auditimit për pasqyrat vjetore financiare të ZKM-së, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 10:00)

- Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, mban konferencë për media. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 11:00)

- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi i shoqëruar nga kryetari i Komunës se Rahovecit, Smajl Latifi do të vizitojë Palestrën e Sportit, ku do të shohë punimet e realizuara deri më tani në këtë objekt sportiv, projekt kapital në të cilin MKRS-ja ka investuar. (Komuna e Rahovecit, ora 11:00)

- Mbahet debati publik me temën 'Transparenca e punës së komunës së Graçanicës'. (Qendra Mediale në Çagllavicë, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor në të cilën do të shqyrtohet projektligjit për pijet e forta alkoolike, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 11:00)

- Ambasada Norvegjeze në Prishtinë, IPKO Foundation dhe RIT Kosova organizojn ngjarjen për projektin KosLift i cili ka për qëllim të mbështesë deri në 1000 student të Universitetit të Prishtinës dhe RIT Kosovë si dhe 60 biznese kosovare në sektorët e energjisë, TIK-ut dhe prodhimit në ngritjen e aftësive të nevojshme dhe kapaciteteve për të rritur konkurrueshmërinë e tyre në sektorin e biznesit në Kosovë dhe rajon. (Residenca Norvegjeze në Fshatin Ndërkombëtar, ora 12:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media. (Zyret qendrore të Vetëvendosjes, ora 13:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës Rexhep Hoti i shoqëruar nga Drejtori Komunal i Arsimit, Agim Blakçori do të vizitojë shkollat “Ibrahim Rugova”, “Naim Frashëri”, dhe “Aleksandër Xhuvani”, në Podujevë për të përcjellë mbarëvajtjen e garës. (Podujevë, ora 13:30)

- Kryeministri Ramush Haradinaj vizitë pune në Komunën e Mamushës. (Fshati Mamushë, ora 14:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj viziton disa sera në Komunën e Mamushës. (Fshati Mamushë, ora 14:40)

 - Kryeministri Ramush Haradinaj vizitë pune kompanisë “Liri” në Prizren. (Prizren, ora 17:00)

- Fondacioni Lumbardhi dhe Fondacioni Kosovar i Arkitekturës kanë kënaqësinë organizojnë ligjeratën publike “Bukuria e asaj që mbetet” të arkitektes Aslıhan Demirtaş. (Kino Armata, ora  17:00)