09 Dhjetor 2018

Gjilani nis rindërtimin e stadiumit të qytetit, kosto 6 milionë euro

Gjilan, 10 nëntor - Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri dhe përfaqësuesit e klubeve “Drita” dhe “Gjilani”, kanë vënë sot gurthemelin e rindërtimit të stadiumit të qytetit.

Kryetari i Gjilanit tha se rindërtimi i stadiumit i dedikohet “Gjilanit” dhe “Dritës”, përkatësisht “Intelektualëve” dhe “Skifterave”.

“Ky stadium i destinohet “Intelektualëve” dhe “Skifterave” dhe dy klubeve të qytetit, të cilat tashmë janë në elitën e futbollit dhe shpresoj shumë që të jenë edhe në gara ndërtkombëtare. Rindërtimi i stadiumit po bëhet në këtë vend, në të cilin është vendosur nga baballarët tanë. Nuk kam dashur ta ndërroj vendin, zemrën e qytetit, e cila i dedikohet sportit”, ka thënë kryetari Haziri.

Kryetari Haziri ka falënderuar legjendat e futbollit për kontributin e madh që sporti të mos shuhet kurrë, përderisa ka thënë se stadiumi po rindërtohet sipas standardeve të FIFA dhe UEFA.

“Ky stadium është i kategrorisë së katërt sipas standardeve të FIFA dhe UEFA. E falënderoj kryetarin Vokrri që ekspertët e UEFA e kanë licensuar projektin sepse është dashur të kalohet në procedurë për t’i plotësuar të gjitha kërkesat. Ky stadium i plotëson të gjitha kriteret për lojëra ndërkombëtare për të gjitha grupmoshat. Ne i falemi kujtimit të punës së veteranëve të futbollit”, tha Haziri.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ka thënë se është i kënaqur dhe i privilegjuar që ka filluar rindërtimi i këtij stadiumi.

“Sipas kërkesës së kryetarit Haziri dhe dy klubeve, sigurisht se do të jemi krah i fortë i dy klubeve dhe i futbollit të Gjilanit. Ju faleminderit dhe e gëzofshi”, është shprehur Vokrri.

Pronarët e klubeve të futbollit “Drita” e “Gjilani” kanë falënderuar Komunën e Gjilanit për fillimin e këtij projekti të madh, përderisa kanë kërkuar nga kryetari Lutfi Haziri që të ndalohen tubimet politike në stadium, pasi siç thanë ata, do të dëmtohej drenazha.

E kryetari Haziri i është përgjigjur kërkesës së klubeve.

“Përkundër përgatitjes dhe vullnetit tonë, si kandidat i këtij qytetit për kryetar komune, ju siguroj nuk do të mbajmë tubim politik në stadium, në mënyrë që t’ua lëmë këtë hapësirë futbollit dhe të mos e dëmtojmë. Për partinë tjetër unë e kam bërë aprovimin, por është vlerësim i tyre. Unë e respektoj kërkesën e dy klubeve”, është shprehur kreu i Gjilanit.

Përndryshe, vlera e rikonstruimit të stadiumit është 6 milionë euro, ndërkaq deri tani janë të siguruara e të kontraktuara 3.2 milionë euro.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 10 dhjetor 2018 - Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip S. Kosnett së bashku me ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar, Italisë dhe Francës,  të ngarkuarin me punë të ambasadës gjermane, Kryesuesen e Zyrës së BE-së në Kosovë, si dhe një përfaqësues të organizatës Iniciativa për Progres do të flasin gjatë hapjes së Javës kundër korrupsionit në Kosovë. (Sirius Hotel, ora 9:30)

- Institucioni i Avokatit të Popullit në bashkëpunim me organizatat joqeveritare dhe shoqërinë civile të Kosovës organizojnë aktivitetin “Çohu për të Drejtat e Njeriut” për shënimin e 10  dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.​  (Teatri Kombëtar të Kosovës, ora 10:30)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal në të cilën do të behët shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Protokollin Shtesë 5 të Marrëveshjes për Amendimin dhe Aderimin në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore si dhe shqyrtimi i vendimit të Qeverisë për emërimin e anëtarëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 11:00)

- Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve organizon konferencën për avancimin e shërbimeve shëndetësore dhe rehabilituese për fëmijë. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Mbahet konferenca e Forumit të Rinisë së LDK-së me temën “Pa-siguria Sociale dhe Ekonomike e të Rinjve në Kosovë”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Mbahen punimet e Forumit Kosovaro-Maqedonas të Sigurisë 2018, që organizohet nga Fondacioni “Konrad Adenauer Stiftung”, Kolegji AAB dhe Universiteti Kliement Ohridski, Fakulteti i Sigurisë, Shkup. (Kolegji AAB, ora 10:00)

- Klubi  Dëshira organizon promovimin e programit të Ndërmarrjes Sociale Dëshira. (Hotel Prishtina, ora 10:00)

-  Në kuadër të Javës Kundër Korrupsion, Demokraci Plus organizon debatin publik në lidhje me gjetjet e monitorimit të prokurimit publik në Komunën e Vushtrrisë. (Restaurant Holiday, ora 11:00)

- Muzeu i Kosovës për nder të ditës ndërkombëtare të drejtave të njeriut do të bëjë promovimin e katalogut me imazhe taktile dhe të përkthyer në Brail në bashkëpunim me shoqatat e të verbërve në Kosovë. (Muzeu i Kosovës, ora 11:00)

- Koalicioni i OJQ-ve “Java Kundër Korrupsionit 2018” organizon tryezën e diskutimit me temë “Parandalimi dhe luftimi i konfliktit të interesit në pushtetin gjyqësor”. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti do të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me kryetarin e Komunës së Klinës Zenun Elezaj. (Objekti i Komunës së Klinës, ora 11:30)

- Institucioni i Avokatit të Popullit në bashkëpunim me organizatat joqeveritare dhe shoqërinë civile të Kosovës organizojnë marshin “Çohu për të Drejtat e Njeriut”, i cili fillon nga sheshi “Skënderbeu” deri te sheshi “Zahir Pajaziti”. (Sheshi “Skënderbeu”, ora 12:00)

 - Mbahet mbledhje e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi në të cilën do të behët shqyrtimi në parim i Projektligjit për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës(Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 13:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti do të nënshkruajë marrëveshje me kryetarin e Komunës së Junikut Agron Kuçi. (Objekti i Komunës së Junikut, ora 13:30)

- Me rastin e 10 Dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Kolegji AAB në bashkëpunim me KMDLNJ organizojn tryezë që i kushtohet Adem Demaçit, fitues i Çmimit Saharov dhe çmimeve të tjera ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. (Qendra Mediale e Kolegjit AAB, ora 14:00)

- Qendra Kinematografike e Kosovës në bashkëpunim me Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc organizojn Javën e Filmit të Kosovës në Bujanoc. (Shtëpia e Kulturës në Bujanoc, ora 17:00)

- Mbahet ceremonia e dorëzimit të çmimit që shënon Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit për të falenderuar publikisht kontributet e gazetarëve të guximshëm të cilët zbulojnë rastet e korrupsionit dhe për të rritur ndërgjegjësimin përmes tregimeve të tyre. (Grand Hotel, ora 17:30)