13 Gusht 2020

Federata e Bodybuildingut dhe Fitnesit të shqetësuar për ndërprerjen e punës

Prishtinë, 16 korrik - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, priti në takim drejtuesit e Federatës të Bodybuildingut dhe Fitnesit të Kosovës dhe Përfaqësuesit e Palestrave Private Sportive të Fitneseve të Kosovës, më të cilët diskutoi për shqetësimet e të gjitha klubeve të Bodibildingut dhe Fitnesit lidhur me ndërprerjen e punës së tyre për shkak të pandemisë.

Ministrja Dumoshi i informoj të pranishmit për sfidat me të cilat po ballafaqohet vendi ynë për shkak të pandemisë dhe i premtoi mysafirët që në bashkëpunim me Ministrin e Shëndetësisë dhe me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) do të shqyrtojnë mundësinë për riaktivizimin e të gjitha sporteve, duke pasur parasysh që të gjithë sportistët po ballafaqohen me vështirësi për t’i zhvilluar aktivitetet e tyre.

Ministrja Dumoshi tha se do të kërkojë që varësisht nga kapacitetet dhe rekomandimet e Institutit, të rishqyrtohet çështja e kërkesave që përfaqësuesit e fitneseve parashtruan, sepse edhe federata dhe klube tjera sportive kanë të njëjtat kërkesa, por që vendimmarrjen e kanë në dorë Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK-ja.

“Jam e vetëdijshme që të gjitha federatat po kalojnë një fazë të vështirë në këtë kohë, shkak të pandemisë, por ne si ministri dhe unë personalisht si ministre do të angazhohem që t’i adresojë shqetësimet dhe kërkesat e juaja tek ministri i shëndetësisë”, tha ministrja.

Ndërkaq, drejtuesit e federatave e falënderuan ministren Dumoshi dhe stafin e MKRS-së për punën dhe përkrahjen që po japin për sportin. Ata e informuan ministren për shqetësimet e tyre si dhe për planet e synimet që kanë pas riaktivizimit, kur institucionet relevante e lejojnë një gjë të tillë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 14 Gusht 2020

- Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, raporton në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale lidhur me menaxhimin e situatës me Covid-19. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 9:00) 
   
- Kuvendi i Kosovës mban seancën e radhës. Në rend dite edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës: shqyrtimi i parë i Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike etj. (Salla e seancave plenare, ora 10:00)  

- Organizata ETEA dhe Biblioteka “Hivzi Sulejmani” bëjnë publikimin e raportit hulumtues “Efekti i të lexuarit në mirëqenien psikologjike dhe inteligjencën emocionale të fëmijëve të Kosovës”. (Biblioteka “Hivzi Sulejmani”, ora 10:00)   

- Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, viziton komunën e Pejës ku do të pritet nga kryetari i kësaj komune, Gazmend Muhaxheri. (Ndërtesa e Komunës, Pejë, ora 10:00)   

- Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, së bashku me zhongluesin e mirënjohur nga Vitia, Agim Agushin, do të mbajnë konferencë për media. (Objekti i Komunës, Mitrovicë, ora 11:00)

- Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, mban konferencë për medie. (Komuna e Gjilanit, ora 12:00)