19 Prill 2024

Bokseri Tahiraj tregon për takimin e parë me kongresmenin amerikan

Prishtinë, 10 nëntor - Sportistët e Kosovës janë ballafaquar me situata të ndryshme, sidomos në periudhën e viteve 1991-1999, kur Kosova ishte e okupuar nga pushtuesi serb.

Sportistët shqiptarë u dëbuan nga stadiumet dhe objektet sportive,  po ashtu nga puna, nga Universiteti i Prishtinës, nga shkollat dhe të nga të gjitha sferat.

Agim Tahiraj, ish boksier dhe aktualisht trajner e gjyqtar i boksit, ka pasur një jetë interesante dhe me batica e zbatica.

Ai përveç që kujton karrierën e tij sportive por edhe një takim që kurrë nuk i hiqet nga mendja, në kohën kur ishte i angazhuar në Shoqatën “Nëna Tereza”, kur takoi mikun e madh të shqiptarëve, kongresmenin amerikan Eliot Engel.

“Bota sot”: Kur filluat karrierën sportive, si boksier?

 Agim Tahiraj: Karrierën sportive e fillova në vitin 1978 (në fund të vitit). Thënë të drejtën kam filluar si futbollist, kam luajtur dy-tri ndeshje për KF Rilindja e Lugut të Baranit, dhe pas ardhjes në Prishtinë, në vitin 1977, atëherë nuk ishin kushtet sikur tash, kur të duash me ushtruar (që tani ka orare të ndryshme) dhe isha në gjimnazin Samio Frashëri (ish Ivo Llolla Ribari).

Terminet nuk më përgjigjeshin për futboll dhe me një shok të lagjes, në bisedë e sipërme, i thash: Eja të shkojmë në boks. Atëherë në boks kishte një termin më të volitshëm, kur kam shkuar ka qenë aty edhe Aziz Salihu dhe aty e kam filluar për herë të parë tamam jetën sportive, hapat e parë të boksit.

Më lindi ideja ashtu, kisha trajner Branko Dragishiq dhe Shefki Bogujevcin. Kështu filloi karriera ime, filluan disa turne, edhe pas një kohe, tek vitin 1980 u mbajt Kampionati i juniorëve të Kosovës, ku edhe për herë të parë mora pjesë dhe u bëra kampion në kategorinë deri 71 kg. Pastaj e përfaqësova Kosovën si junior në Kampionatin e ish Jugosllavisë dhe u bëra nënkampion në 71 kg.

Me patën ftuar edhe në përgatitje me ish Jugosllavinë për Kampionatin Ballkanik por për fat të keq me thirrën në shërbimin ushtarak, pas mbarimit të shkollës së mesme, kështu që nuk munda me shku. Pas shërbimit ushtarak jam kthyer, kam vazhduar karrierën, pak më Prishtinën, pastaj si huazim një sezon në ish Partizanin e Gjilanit, prapë u ktheva në Prishtinë, si zëvendësues i Nysret Rexhepit. Pas një kohe me erdh ftesa dhe kalova në Kristal të Zajeçarit në vitin 1983, kur garonin në ligën e Serbisë, kaluam në ligën e dytë ish jugosllave, pastaj u ngjitëm në ligën e parë. Në atëkohë Kristali kishte rezultatet më të mëdha që nga ekzistimi i atij klubit. Pastaj në vitin 1988, në vitet më të mira të karrierës, u dashtë ta ndërpres për shkaqe politike,  nuk mundja të vazhdoja më karrierën në Kristal.

“Bota sot”: Si e mbani mend Aziz Salihun?

Agim Tahiraj: E mbaj mend si një boksier i mirë për kategorinë e tij, i shpejt e teknik, i ka pasur të gjitha elementet e një boksierit të mirë dhen kampion.

“Bota sot”: Pas karrierës aktive si boksier, iu qaset zejes së trajnerit dhe të referimit?
Agim Tahiraj: Së pari kam filluar si trajner, prej pavarësimit të sportit të Kosovës në vitin 1991. Kam punuar si trajner në klubin e boksit Prishtina, bashkarisht me disa kolegë, si me Afrim Majancin e Beqir Berishën, deri në fillim të luftës. Menjëherë pas përfundimit të luftës, kam filluar si trajner në KBO Prishtina dhe pas disa rezultateve të mira, shkova në KBO Drenasin, ku jam themelues i saj, kemi qenë shumë të suksesshëm në katër vite, kemi krijuar boksier me emra, si Jeton Plakajn, Faton Ramadanin, Granit Qorrin, Bekim Demakun, Durim Bazajn, Liridon Rukiqin, Munir Mehmetin etj. 

Kështu që, pasi që kushtet ishin jo të mira, prapë jam kthyer në Prishtinë. Në vitin  2001 fillova karrierën si gjyqtar. E dua këtë profesion si edhe atë të trajnerit.

“Bota sot”: Cili është profesioni më i vështirë, trajner apo gjyqtar?

Agim Tahiraj: Thënë të drejtën, profesioni gjyqtar është më i vështirë sepse njerëzit nuk e kuptojnë. Puna e gjyqtarit është punë e vështirë, për hir që nuk janë gjithmonë njerëzit e kënaqur, mirëpo e vlerësoj edhe e çmojë këtë punë, mund të them se jemi gjyqtar jo vetëm në rajon  por edhe më gjerë më të mirë. Duke iu falënderuar kolegëve më të vjetër, kemi arritur që më të vërtetë që të jemi gjyqtar si në poentim si në ring shumë të mirë.

“Bota sot”: Një kohë si aktivist?

Agim Tahiraj: Të tregoj të drejtën, që nga themelimi i LDK-së, në vitin 1989, nga dhjetori, kam qenë që nga fillimi aktivist, kam qenë themelues i nëndegës së tretë në Kodrën e Trimave, edhe kam qenë tri mandate kryetar i aktivit, po ashtu në vitin 1990 kemi formuar edhe degën e Kodrës Trimave të Shoqatës së “Nëna Terezë”, themelues ishim Gani Demolli, Agim Shefqeti dhe unë. Pastaj kam udhëhequr nëndegën e tretë të shoqatës “Nënë Tereza”.

“Bota sot”: Në vitin 1997 takuat kongresmenin amerikan Eliot Engel.

Agim Tahiraj: Ndoshta pak njerëz e kanë njohur atëkohë në Kosovë, përveç njerëzve që ishin aktiv, ai ka ardhur me rastin e hapjes së ambulancës (maternitetit) ‘Nëna Tereze’, i kemi bërë pritje atëkohë,  ishte nder dhe respekt për ne, që të na vizitoj një njeri çfarë ishte kongresmeni Eliot Engel, miku më i madh i shqiptarëve. Që nga qershori i vitit 1997 e deri në bombardimet NATO-s ndaj caqeve të agresorit serb, nuk jam ndal kurrë, duke iu ndihmuar me ndihma popullatës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në tërë territorin e Kosovës.

“Bota sot”: Në një rast, me autoambulancën “Nëna Terezë”, keni udhëtuar për në Preshevë për të mbajtur Kampionatin e Kosovës, si rrodhi ky plan?

Agim Tahiraj: Kampionati i Kosovës mbahej në Preshevë dhe si të shkonim ne atje, ne u konsultuam me Shoqatën “Nëna Tereze”, me doktor Gani Demollin sepse ai ishte drejtor i kësaj nëndege, dhe me drejtorin e Shoqatës “Nëna Tereze”, Jak Mita, ku iu treguam se e kemi kampionatin dhe si të shkojmë. A ka mundësi që ta marrim veturën? Me thanë: Me plot kënaqësi e keni veturën në shfrytëzim dhe mund të shkoni.  Në autoambulancë me mu kanë ardhur kolegët Beqir Berisha, Afrim Majanci dhe në krevatin e ambulancës si pacient ka qenë Ilmi Cakolli, babai i një boksierit, gjoja si një pacient dhe që ta kalojmë më mirë rrugës dhe kemi kaluar pa asnjë problem.

“Bota sot”: Ku gjendet aktualisht Agim Tahiraj?

Agim Tahiraj: Tash punoj në ministrinë e arsimit, punoj normalisht edhe në sport si rekreacion, si gjyqtar aktiv i boksit, për momentin në sallën e klubit të boksit Prishtina me disa të rinj, e udhëhoqi shkollën e  boksit.

“Bota sot”: Si e sheh cilësinë?

Agim Tahiraj: Ka filluar që të ngritët niveli, kemi për momentin tre boksierë e një boksiere, që me të vërtet janë të mirë. Shpresojmë që boksi është në rrugën e mirë të tij, unë një gjë mund e them, duhet falënderuar edhe trajnerët të cilët punojnë me këta të rinj dhe punojnë pa të ardhura, me vet vullnetin e tyre.

Kështu që, personalisht mund t’i falënderojë të gjithë trajnerët që punojnë me vullnet, është një kënaqësi që punohet për t’i larguar të rinjtë nga rruga. Qëllimi ynë kryesor është që t’i largojmë të rinj nga rruga por suksesi i tyre varet edhe nga trajnerët edhe nga të rinjtë sa kanë dëshirë që të punojnë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)