19 Prill 2024

Bayern dhe Lyon shkojnë në gjysëmfinale

Old Trafford, 8 prill - Bayern Munich dhe Lyon janë dy skuadrat të cilat kalojnë në gjysëmfinalen e Ligës së Kampionëve. Manchester Unitedi dhe Bayern Munich janë takuar në Teatrin e Ëndrrave për të zhvilluar ndeshjen kthyese të çerekfinales së Ligës së Kampionëve, e cila përfundoi me fitoren e Djajve të Kuq me rezultat 3-2, mirëpo ky rezultat i dërgon bavarezët në gjysmëfinale falë një goli më shumë të shënuar në terrenin mysafir.

Takimi i parë i zhvilluar në Allianz Arena përfundoi me rezultat 2-1 në favor të Bayernit, ndërsa ndeshja e të mërkurës mbrëma në Old Trafford i takoi skuadrës vendase, e cila fitoi me rezultat 3-2, megjithatë me rezultat të barabartë 4-4, në gjysmëfinale u kualifikua skuadra gjermane.

Ndërsa Bordeaux i cili priti skuadrën e Lyonit në ndeshjen kthyese çerekfinale të Ligës së Kampionëve, duke e mposhtur me rezultat minimal 1-0 që nuk mjaftoi që \'les Girondins\' të kualifikohen më tej. Bordeaux ishte skuadra më e mirë gjatë pjesës më të madhe të takimit duke shtruar dominimin e vet për shkak të rezultatit jo të favorshëm nga ndeshja e parë.

Serinë e golave e hapi Darron Gibson, i cili në minutën e tretë realizoi nga distanca. Pak minuta më pas (7’), Luis Nani dyfishoi epërsinë me një gol të bukur, pas një pasimi të Antonio Valencias. Të njëjtët lojtarë u përfshinë edhe në golin e tretë të vendasve, ndërsa sërish Nani në një mënyrë edhe më të bukur e mposhti portierin Butt (41’).

Pas një gabimi të mbrojtjes vendase, Ivica Olic mposhti portierin Van der Sar (43’) për të mbajtur gjallë shpresat për një kualifikim të mundshëm të Bayern Munichut në gjysmëfinale. Në minutën e 50-të, gjërat u vështirësuan për Manchesterin, pasi që Rafael Da Silva u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë pas një ndërhyrjeje në Franck Riberyn.

Me epërsinë numerike në fushë, mysafirët shtuan presionin përpara portës vendase duke kërkuar golin që i dërgonte në gjysmëfinale. Dhe këtë e arritën në minutën e 74, kur pas një krosimi nga këndi, Ribery e gjeti për mrekulli Arjen Robbenin, ndërsa ky i fundit në mënyrë edhe më të mirë shënoi golin e dytë të Bayernit, i cili do të thoshte se gjermanët luajnë në gjysmëfinale.

Në gjysmëfinale, Bayerni do ta ketë kundërshtar Lyonin që eliminoi skuadrën tjetër franceze, Bordeaux, me rezultat të përgjithshëm 3-2.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)