03 Mars 2021

Zgjedhet Kryeprokurori i Apelit dhe kryeprokurorët e 6 prokurorive themelore

Prishtinë, 24 dhjetor - Këshilli Prokurorial i Kosovës, i drejtuar nga Kryesuesi Bahri Hyseni, ka mbajtur takimin e 191-të me radhë.

Takimi i sotëm ka filluar me shqyrtimin e Rregullores për angazhimin dhe përcaktimin e tarifave për kompensimin e përkthyesve dhe interpretëve që angazhohen në sistemin prokurorial, Rregullore e cila edhe u miratua nga anëtarët e Këshillit.

Në vazhdim u prezantua dhe u diskutua Raporti i Komisionit për rishqyrtim të kundërshtimeve të paraqitura nga kandidatët për kryeprokurorë të prokurorive themelore të Gjakovës, Gjilanit, Prizrenit dhe Pejës.

Pas diskutimeve, Këshilli ka miratuar pjesërisht këtë raport, ku si rrjedhojë u refuzuan kundërshtimet e paraqitura nga kandidatët.

Më pas, Këshilli ka zhvilluar procesin e votimit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit dhe kryeprokurorëve të 6 prokurorive themelore.

Kryeprokuror i Prokurorisë së Apelit, me 11 vota për dhe asnjë kundër, është zgjedhur Xhevdet Bislimi.

Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Pejës, me 11 vota për dhe asnjë kundër, është zgjedhur Agim Kurmehaj.

Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, me 11 vota për dhe asnjë kundër, është zgjedhur Shukri Jashari.

Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, me 10 vota për dhe 1 kundër, është zgjedhur Ismet Ujkani.

Për Kryeprokuror të Prokurorisë Themelore në Prizren gara u zhvillua në mes të prokurorëve Admir Shala dhe Ervehe Gashi, ku pas procesit të votimit Admir Shala është zgjedhur kryeprokuror i kësaj prokurorie me 7 vota për. Ndërsa kundër kandidatja e tij mori 4 vota.

Për Kryeprokuror të Prokurorisë Themelore në Gjilan gara u zhvillua në mes të prokurorëve Arben Kadriu dhe Agron Uka, ku pas procesit të votimit Arben Kadriu është zgjedhur kryeprokuror i kësaj prokurorie me 6 vota për. Ndërsa kundër kandidatja e tij mori 5 vota.

Ndërsa, për Prokurorinë Themelore të Gjakovës do të rishpallet konkursi, sepse kandidatja për kryeprokurore, Ardita Beqiraj-Hyseni nuk u votua për këtë pozitë.

Në fund të takimit, Këshilli miratoi Raportin e Komisionit për rivlerësimin e performancës së 4 prokurorëve.​

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 Mars 2021 - Kolegji Ndërkombëtar i Biznesit në Mitrovicë inauguron projektin “Fuqizimi i autonomisë universitare dhe rritja e llogaridhënies e transparencës së universiteteve të Ballkanit Perëndimor”. (Selia e Kolegjit IBCM, ora 9:00)

- Mbahet seanca gjyqësore kundër të pandehurit Enis Ramadani për vepren penale 'Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve'. (Gjykata Themelore në Ferizaj, ora 9:30)

- Avokati i Popullit, Naim Qelaj viziton ekspozitën për fëmijët e vrarë gjatë luftës “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë”. (Biblioteka “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë, lagjja Dardania, ora 10:00)

- Parlamenti i dytë rural shqiptar organizon konferencë për të diskutuar sfidat dhe veprimet konkrete për mirëqenien e banorëve të zonave rurale. (Platforma Zoom, ora 10:00)

- Pas rritjes së numrit të rasteve me COVID-19 në Gjilan, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, mban konferencë për media pas takimit të Komitetit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19. (Zyra e krytarit Haziri, ora 10:30)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizon ceremoninë e shpërndarjes së librave të botuar dhe të blerë me financimin e Departamentit të Kulturës në MKRS. (Biblioteka Kombëtare e Kosovës, ora 11:00)