07 Shkurt 2023

Vrasja e shtatzënës ka ardhur edhe si pasojë e papërgjegjësisë institucionale

Prishtinë, 1 dhjetor - Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka vlerësuar se rasti i mbrëmshëm i vrasjes së shtatzënës 35-vjeçare në Prishtinë ka ardhur edhe si pasojë e papërgjegjësisë institucionale.

“Sipas informacioneve nga Policia e Kosovës, viktima e kishte raportuar në korrik të këtij viti të dyshuarin për dhunë fizike e psikike, por prokuroria personin e dyshuar e kishte liruar në procedurë të rregullt."

"Është një papërgjegjësi institucionale, është një papërgjegjësi e prokurorit të rastit sepse ne në vazhdimësi po bëjmë thirrje për mbrojtjen e grave dhe vajzave.  Sikur prokuroria të ishte në krye të detyrës rasti i tillë mund të ishte parandaluar”, ka theksuar ministrja Haxhiu pas takimit të sotëm ndërministror.

Ajo ka theksuar se ka edhe informacione tjera, por që për shkak të hetimeve nuk mund t’i bëj të ditura për publikun.

“Ju garantoj secili prej institucioneve, qoftë nga policia, qoftë nga ministria e Shëndetësisë, qoftë nga Qendra për punë sociale janë të obliguar dhe kanë marrë përgjegjësi për të verifikuar secilin veprim institucional prej momentit të parë kur është raportuar dhuna ndaj viktimës."

"Kjo vrasje e dyfishtë, sepse u vra gruaja dhe foshnja që priste ta sillte në jetë, na tregon që edhe përkundër veprimeve që kemi ndërmarrë, kemi edhe shumë punë për të bërë. Rasti i mbrëmshëm nuk guxon të na zmbrapsë."

"Nuk guxon femicidi të na dorëzojë, por rasti i mbrëmshëm duhet të na bëjë të gjithëve që të angazhohemi edhe më fortë e më fuqishëm derisa të ofrojmë siguri të plotë dhe drejtësi për të gjitha gratë e vajzat e Kosovës”, ka shtuar tutje Haxhiu.

Ajo ka pranuar që në takimin e sotëm nuk kanë qenë të pranishëm as përfaqësuesi i Prokurorisë e as përfaqësuesi nga gjyqësori.

“Në fakt do të duhej të kishin më shumë ndërgjegje morale, njerëzore e profesionale. Nuk kam koment për veprimet e tyre”, ka thënë Haxhiu.

E pyetur nëse do të japë dorëheqje ajo ose dikush tjetër pas këtij rasti, ministrja ka thënë se pas verifikimit të të gjitha informacioneve do të kërkohet përgjegjësi nga personi përgjegjës.

“Në momentin që do të verifikohet dështimi institucional, hallka që ka dështuar, pra personi përgjegjës do të japë dorëheqje. Të gjithë ne që jemi në pozicionet që mbajmë kemi përgjegjësi në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kompetencat janë të ndara por ju garantojmë se nëse shohim se ka dështuar dikush do të ketë dorëheqje, do të ketë shkarkim."

"Por të keni parasysh, dorëheqjet e shkarkimet janë kërkuar edhe në rastet e kaluara kur ka dështuar prokuroria, por nuk ka pasur asnjë dorëheqje, asnjë shkarkim. Dhe këto raste, këto mosveprime, kjo neglizhencë po i inkurajon kriminelët, po i inkurajon vrasësit. Nuk kemi sot asnjë prokuror, asnjë gjyqtar që ka dhënë dorëheqje që se ka kryer detyrën."

"E dini se sistemi i drejtësisë në bazë të Kushtetutës është i pavarur. Ministrja e Drejtësisë nuk  ka të drejtë të shkarkojë prokurorët dhe gjyqtarët. Po e përmend këtë sepse në vazhdimësi kur po vriten gratë po kërkohet nga ministrja e Drejtësisë të shkarkojë prokurorët dhe gjyqtarët”, ka nënvizuar Haxhiu.

Ajo ka thënë se tashmë e ka përfunduar reformën në drejtësi dhe kjo reformë së shpejti pritet të votohet në Kuvendin e Kosovës.

“Jam e bindur që në momentin që do ta kemi reformën në drejtësi s’do të ketë prokuror e gjyqtar që nuk do t’i kryejnë detyrat e tyre. Rasti i mbrëmshëm është i rëndë dhe secili që nuk e ka kryer detyrën, më e vogla është dorëheqja e shkarkimi, por këtu vjen në shprehje edhe përgjegjësia penale nëse vërtetohet që personat zyrtar nuk e kanë kryer detyrën”, ka theksuar ministrja Haxhiu.

Ministrja ka thënë se janë duke i pritur raportet  dhe se nuk mund të japë detaje për shkak  të ndjeshmërisë së rastit.

“ Do të ketë raporte e vlerësime të situatave. Madje edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla do të kërkojë nga Inspektorati Policor që të verifikojë edhe veprimet e policisë, sepse viktima ka pasur urdhër të mbrojtjes, duhet të verifikohet nëse viktima ka pasur kontakte me policinë, me Qendrën për Punë Sociale e rrethana të tjera që të japin një pasqyrë më të qartë të situatës”, ka përfunduar Haxhiu.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 7 shkurt 2023

 - Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport, shqyrton Projektligjin pÑ‘r Agjencinë e Kosovës për Akreditim. (Kuvendi i Kosovës, salla N303, ora 10:00)
    
- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, shqyrton Planin e Performancës për vitin 2023, të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. (Kuvendi i Kosovës, salla N10, ora 11:00)
    
- Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me përfaqësuesit e grupeve të qytetarëve organizon ceremoninë për nënshkrimin e Agjendës së Kontratës Sociale për Gjilanin, që është zotim i përbashkët nëpërmjet zyrtarëve të Komunës dhe qytetarëve për të përmirësuar komunikimin, bashkëpunimin dhe veprimet kolektive. (Shkolla e Mesme e Muzikës, Gjilan, ora 12:00)
    
- Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, raporton në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim. Temë diskutimi është plani Hapësinor i Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”. (Kuvendi i Kosovës, salla N302, ora 13:00)

- Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, do të dorëzojë Kallëzim Penal në Prokurorinë Speciale në Prishtinë, për keqpërdorimin e mjeteve të Qeverisë së Kosovës nga ana e Këshillit Kombëtar Shqiptar. (Ndërtesa e Prokurorisë, ora 14:00)  
    
- Një delegacion i ambasadorëve të shteteve të QUINT-it në selinë e OSBE-së në Vjenë të Austrisë, vizitojnë Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. I pranishëm do të jetë dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. (Akademia për Siguri Publike, Vushtrri, ora 14:25)