25 Nëntor 2020

Validohen skuadrat e këmbësorisë në detyrat për mbrojtjen territoriale

Prishtinë, 29 tetor - Në poligonin e stërvitjeve kolektive taktike të FSK-së në Babaj të Bokës, u realizua Stërvitja fushore “ Ujku Alfa-1” me demonstrimin stërvitor pesëditor të shkathtësive operuese të njësiteve të Komandës së Regjimentit të Parë të Këmbësorisë  së Forcave Tokësore për validimin e tyre në detyrat e mbrojtjes territoriale.

Në këtë ngjarje të veçantë, morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe komandanti i Komandës së Forcave Tokësore, gjeneral brigade Fadil Hadërgjonaj dhe oficerë tjerë të lartë të FSK-së.

Ata u pritën nga komandanti i Regjimentit të Parë të Këmbësorisë, nënkolonel Albert Kuçi i cili me stafin e tij njoftuan lidhur me aktivitetet e zhvilluara në stërvitjen përkatëse, të arriturat, sfidat dhe qëllimin final të saj.

Në vijim, para fillimit të demonstrimit stërvitor, fjalën e mori ministri i Mbrojtjes Anton Quni i cili duke përshëndetur trupat e Regjimentit të parë të Këmbësorisë për këtë arritje të veçantë ndër të tjera u shpreh se Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë shënuar një pikë kthese në historinë e tyre, duke validuar sot aftësitë dhe kapacitetet e para ushtarake në nivel skuadre për mbrojtjen territorial të vendit dhe pjesëmarrjen dinjitoze krah për krah forcave aleate në operacione paqeruajtëse.

“Validimi i këtyre skuadrave shënon përmbushjen  më të rëndësishme deri më tani të detyrave tona që dalin nga Plani Gjithëpërfshirës të Tranzicionit . Me krenari këtë hap cilësor mund ta quajmë një ngjarje të veçantë në historinë e forcave tona”, - theksoi më tej ministri Quni.  

Nga ana e tij, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama  vlerësoi lartë validimin e skuadrave të para të Regjimentit të Parë të Këmbësorisë, si një arritje të veçantë, që i dedikohet punës, disiplinës, sakrificës dhe profesionalizmit të të gjithë personelit të kësaj njësie, për të cilët, ai shprehu edhe falënderimet dhe mirënjohjen e tij personale.

“Procesi i validimit sa krenari për ne më shumë nënkupton përgjegjësi dhe sakrificë. Ne do të vazhdojmë tutje deri në realizimin e plotë të objektivave tanë strategjik dhe vizionit tonë për të ardhmen” tha ndër tjera gjeneral Rama.

Kompania A e Regjimentit të Parë të Këmbësorisë gjatë stërvitjes validuese nga data 26.10.2020 iu nënshtrua një sërë skenarësh, të përgatitur mbi praktikat më të mira të stërvitjes dhe vlerësimit të vendeve të NATO-s dhe të bazuar në doktrinat e Aleancës të forcave këmbësorike, duke testuar kapacitetet zotëruese operacionale , por edhe aftësitë e tyre profesionale në fushën e luftimit.

Demonstrimi stërvitor u përmbyll me zhvillimin e operacionit luftarak në stacionit e fundit dhe konfirmimin e suksesit të plotë nga ana e gjeneral Hadërgjonaj.

Në këtë atmosferë të veçantë u ndanë edhe gradat për dy oficerë të angazhuar në stërvitje, respektivisht kapitenin e ri, Driant Hoti dhe togerin e ri, Valdrin Pollomi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 Nëntor 2020

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit njofton me ftesën e Gjykatës Kushtetuese adresuar Kryetarit të Komisionit për Legjislacion, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 9:00)

- Hapet edicioni i pestë të Panairit Nacional të Punës dhe të Karrierës, i cili për herë të parë do të organizohet online. (Përmes platformës virtuale: virtual.kosovafair.com, ora 9:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti merr pjesë në shënimin e 25 Nëntorit - Fushatës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:00)

-  Komisioni për Buxhet dhe Transfere shqyrton raportet vjetore financiar të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, Zyrës Rregullative për Energji dhe Autoritetit Rregullativ për Komunikimeve Elektronike dhe Postare. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

- Ministria e Arsimit dhe Shkencës në bashkëpunim me Agjencinë Austriake për Zhvillim, nën përkujdesje të Ambasadorit Austriak, Christoph Weidinger dhe Ministrit Ramë Likaj, do të bëjë lansimin zyrtar të Projektit “Heras Plus”. (https://zoom.us/j/91960516678?pwd=cFRXZXVodTR1Q1ZnQVNIaWtwWTd2QT09, - Meeting ID: 919 6051 6678 dhe Passcode: 167271, ora 10:00)

- Drejtësia Sot, platformë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike organizon konferencën për media me temë “Si dështuan institucionet në trajtimin e rasteve të mosdeklarimit dhe deklarimit të rrejshëm të pasurisë”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës mbanë konferencë për shtyp, me qëllim të informimit për keqpërdorimin e punëtorëve në sektorin privat nga pronarët e kompanive dhe vet shteti. (Zyret e kësaj sindikate në objektin Ish Gërmia, ora 11:00)

- Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport interviston kandidatët për Anëtarë të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Komuna e Prizrenit organizon debat publik me temën “Gjendja e përgjithshme e komuniteteve jo shumicë në Komunën e Prizrenit dhe bashkëpunimi”. (Shtëpia e Kulturës “Xhemajli Berisha”, ora 11:00)

- Instituti i Prishtinës për Studime Politike organizon diskutimin “Reforma për Racionalizimin e Agjencive: Faza e Dytë”. (https://us02web.zoom.us/j/89564823471?pwd=VmcwY2J5TVpWZWhZUGl2SVIrTFJ5QT09 - Meeting ID: 895 6482 3471 dhe Passcode: 192988, ora 11:00)

- Shënohet 76 vjetori i themelimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe në hapësirat e Bibliotekës do të hapen dy ekspozita për nder dhe kujtim të profesor Anton Çettës, ku do të merr pjesë edhe Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi. (Biblioteka Kombëtare, ora 12:00)

- Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj- Halimaj pret në takim zëvendëskryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 12:00)

- Hapet ekspozita “Anton Çetta : 100-Vjetori i lindjes” me libra dhe artikuj të/për Anton Çettën në koleksionet e BKK-së si dhe ekspozita e fotografisë: “Anton Çetta: 30-Vjetori i pajtimit të gjaqeve” ku do të paraqiten fotografi të publikuara për herë të parë. ((Biblioteka Kombëtare, ora 12:40)

- Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë plotëson listën e dëshmitarëve dhe diskuton planin e punës për periudhën e mbetur. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 13:00)

- Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion organizon konferencë për media në të cilën do të publikohet analiza për rastin e Suzana Zogëjani Sekiraqa, e cila është shpallur fajtore për vrasje të rëndë të bashkëshortit të saj dhe është dënuar me 25 vjet burgim. (Zyret e organizatës QIKA, në rrugën Hajdar Dushi, C2, Hy2/6, Prishtinë, ora 13:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti nënshkruan deklaratën  kundër ngacmimit seksual në organet  administratës publike të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 13:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-I9 nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës dëgjon dëshmin e drejtorit te prokurimit në SHSKUK-së, Selami Krasniqi. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 14:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti i shoqëruar nga përfaqesues të Aleancës Kosovare e Bizneseve  viziton fabrikën Silcapor në Kaçanik ku do të përcjell eksportin e një kontigjenti të prodhimeve vendore në katër shtete regjionale e që kjo është edhe promovim i prodhimeve Made in Kosova në Ballkanin Perendimor. (Fabrika Silcapor, Kaçanik, ora 14:30)
 
- Kryeministri Avdullah Hoti merr pjesë në ceremoninë e ndriçimit të Ndërtesës së Qeverisë me ngjyrë portokalli, pjesë e aktiviteteve të Fushatës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 17:30)