20 Prill 2024

Thaçi: Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani, figura të ndritura të lëvizjes kombëtare

Prishtinë, 14 maj - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore për 20 vjetorin e rënies së heronjve Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani.

Presidenti Thaçi ka thënë se Bahri Fazliun e ka njohur qysh në fund të vitit 89, vetëm pak ditë pas rënies heroike të vëllait të tij Fahriut.

“Atë kohë Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës ishte organizimi i vetëm politik kundër Serbisë i shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Ishte nder jetësor i imi që pata fatin të njoh dhe të bashkëveprojë me Bahri Fazliun dhe Afrim Zhitinë. Ata i njoha përmes Kadri Veselit, në njërën nga bazat ilegale në Prishtinë, në fillim të vjeshtës 89. Bahriu ishte i ri, energjik, inteligjent dhe shumë i lidhur me Lëvizjen Popullore. Ishte shume i lidhur me librin dhe teoritë e luftës çlirimtare”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai, po ashtu, ka thënë se edhe me Agron Rrahmanin janë njohur si studentë.

“Agroni ishte fjalë pak, i edukuar, por shumë trim. Në fillim të viteve 90-ta, organizimi ilegal u dobësua. Në shtëpinë e Bahriut mbanim takime. Bisedonim për nevojën e riorganizimit të lëvizjes klandestine në luftë kundër Serbisë. Me kalimin e kohës i takonim organizimeve të veçanta, por kishim një qëllim, organizimin e luftës çlirimtare. Në verë të vitin 1993 u detyruam të kalojmë në ilegalitet, edhe Bahriu, edhe Agroni, por edhe unë e shumë veprimtarë të tjerë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se Bahriu me shokët e tij të idealit kishte filluar edhe përgatitjen dhe botimin e gazetës “Çlirimi”,  ndërkohë që kishin filluar aksionet çlirimtare në Drenicë kundër policisë dhe ushtrisë serbe.

 “Bahriu aq sa vepronte në Prishtinë, shihej në Tiranë, por edhe koordinonte diasporën në Perëndim. Agroni vazhdonte të ishte çdoherë pranë tij kudo. Me fillimin e pranverës 1998, u bashkuan gjitha forcat rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky ishte qëllimi dhe ideali i Bahriut e Agronit, si dhe i të gjithëve, bashkimi i të gjitha forcave kundër Serbisë”, u shpreh ai.

Presidenti Thaçi theksoi se Bahriu dhe Agroni janë ndër figurat më të ndritura të lëvizjes kombëtare.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)