19 Prill 2024

Shënonet Dita Ndërkombëtare Kundër Trafikimit me Njerëz

Prishtinë, 19 tetor - Ministria e Punëve të Brendshme sot shënoi 18 tetorin, Ditën Ndërkombëtare Kundër Trafikimit me Njerëz, dhe njëkohësisht bëri hapjen e fushatës një mujore Kundër Trafikimit me Njerëz. 

Hapjen e kësaj ceremonie e bëri ministri i MPB-së, z. Agim Veliu, ndërsa pjesëmarrës ishin edhe Presidenti i Republikës së Kosovës, z.Thaçi, Kryeministri i Republikës së Kosovës z.Hoti, si dhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësuesi special i BE-së z. Szunyog.  

Gjatë kësaj ceremonie ministri Veliu theksoi se duke u referuar statistikave të viteve të fundit në Republikën e Kosovës ka një rënie të rasteve të trafikimit me njerëz dhe kjo ka ardhur si rezultat i punës së institucioneve të Kosovës.

“Për gati dy dekada, parandalimi i trafikimit njerëzor ka qenë një detyrë prioritare e Qeverisë së Republikës së Kosovës, e cila ka realizuar angazhimin e saj për eliminimin e këtij fenomeni me masa të shumta, gjithashtu duke caktuar koordinator kombëtar kundër trafikimit dhe krijimin e Autoritetit Kombëtar Kundër Trafikimit që nga viti 2008”, tha ministri Veliu.

Më tej, ai shtoi se Policia e Kosovës ka arritur që gjatë periudhës janar-shtator 2020 të bëjë identifikimin e 11 viktimave të trafikimit me njerëz, arrestimin e 59 personave të dyshuar për veprat penale të trafikimit dhe veprave që ndërlidhen me trafikimin, si dhe ka paraqitur 18 kallëzime penale në prokuroritë përkatëse për veprat e trafikimit me njerëz dhe atyre që ndërlidhen me trafikimin. 

Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, Presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaçi, deklaroi se Kosova ka arritur të krijonte infrastrukturë ligjore që lufton trafikimin e qenieve njerëzore.

 “Kosova i është mirënjohëse Bashkimit Evropian për parandalimin e trafikimit me qenien njerëzore. Trafikimin mund ta mundim vetëm duke bashkëpunuar”, tha Presidenti Thaçi. 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti theksoi se rënia e rasteve të trafikimit me njerëz ka ardhur si rezultat i punës së institucioneve. 

Ai theksoi se prioritet i Qeverisë është parandalimi i trafikimit me njerëz pasi që është shkelje fondamentale e të drejtave të njeriut. 

Ndërsa Përfaqësuesi Special i BE-së në Prishtinë, z. Tomas Szunyog, tha se lufta kundër trafikimit me qenie njerëzore nuk është individuale por duhet të jetë një luftë e përbashkët pasi që është një fenomen global.

Ai u zotua se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë institucionet e Republikës së Kosovës në luftimin e këtij fenomeni negativ.

Fushata Kundër Trafikimit me Njerëz do të zgjasë një muaj dhe synon ngritjen e vetëdijes së qytetarëve dhe fuqizimin e ndërgjegjësimit mbi këtë fenomen.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)