25 Prill 2024

Shënohet Dita Ndërkombëtare e Vetëdijesimit ndaj Minave

Prishtinë, 5 prill - Që nga viti 1999 në Kosovë janë pastruar 51,216, 184 metra katrorë dhe janë  asgjësuar 88,895 mina dhe mjete eksplozive të pashpërthyera. Nga minat dhe mjetet tjera të pashpërthyera kanë humbur jetën 117 qytetarë si dhe kanë marrë lëndime të rënda 463 veta.

Forca e Sigurisë së Kosovës së bashku me organizatat ndërkombëtare për deminim që veprojnë në Kosovë shënuan 4 Prillin-Ditën Ndërkombëtare të vetëdijesimit të rrezikut nga minat dhe mjetet e tjera të pashpërthyera.

Në shënimin e kësaj dite morën pjesë Shkolla ndërkombëtare e eliminimit të mjeteve të pashpërthyera (EOD) në Kosovë, MAT Kosova, HALO Trust dhe NPA. Shënimi i kësaj dite u organizua dje në Pejë.

Në shënimin e kësaj dite ndërkombëtare ishin të pranishëm: Gjeneral brigade Nazmi Brahimaj - drejtor i Departamentit të Operacioneve dhe Trajnimeve të MFSK-së, gjenerali Randy Powell - shef i Shtabit të KFOR-it, koloneli Nick Ducich - komandant i KFOR-it për Lindje në Bonstell, Ahmet Sallova - drejtor i Qendrës Koordinuese për Deminim në MFSK, si dhe përfaqësues të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe organizatave joqeveritare që veprojnë në Kosovë.

Në hapje të këtij organizimi drejtori i Qendrës Koordinuese për Deminim në MFSK, Ahmet Sallova, falënderoi SHBA-të për përkrahjen dhe ndihmën e vazhdueshme për Kompaninë e Deminimit të FSK-së, si me pajisje ashtu dhe trajnime dhe të gjithë donatorët tjerë, siç janë: Zvicra, Norvegjia, Holanda, Belgjika etj. Ai theksoi rrezikun e vazhdueshëm që ekziston nga minat dhe mjetet tjera të pashpërthyera në nivelin global dhe në Kosovë duke thënë se “Zonat e minuara nuk përbëjnë rrezik vetëm për jetën e banorëve, por vështirësojnë edhe gjendjen ekonomike, për shkak të pamundësisë qoftë për punimin e tokave bujqësore apo edhe për mos shfrytëzimin e zonave malore.

Prandaj, evitimi i rrezikut nga minat dhe mjetet tjera  eksploziveve është një parakusht për rindërtimin e vendit dhe shfrytëzimin e resurseve natyrore dhe ekonomike”.

Sallova foli edhe për sukseset e ekipeve të deminimit të FSK-së dhe bashkëpunimin me organizatat tjera ndërkombëtare si: HALO Trust dhe NPA, të cilat janë duke krijuar një mjedis të sigurt në fushat e rrezikuara, duke mundësuar zhvillimin e jetës normale në Kosovë.

“Këto rezultate  na bëjnë krenarë për punën e shkëlqyer që është duke u bërë nga ekipet e deminimit të FSK-së. Falë punës së tyre, janë shpëtuar shumë jetë njerëzish dhe njëkohësisht është kthyer një numër i madh i tokave komuniteteve të ndryshme për shfrytëzimin e tyre. Edhe përkundër pastrimit të shumë fushave të rrezikshme të minuara  në Kosovë kanë mbetur edhe 98 zona të afektuara nga minat apo bombat kasetore”.

 Sallova vazhdoi fjalën e tij duke i shpalosur disa tregues të rezultateve: “Prej fillimit të operacioneve të deminimit, pra që nga viti 1999, janë pastruar 51,216, 184 metra katrorë dhe janë gjetur dhe asgjësuar 88,895 mina dhe mjete eksplozive të pashpërthyera. Me gjithë këto rezultate nuk duhet të harrojmë faktin se që nga koha e luftës e deri më sot, 117 persona kanë humbur jetën si pasojë e minave dhe mjeteve tjera eksplozive dhe 463 veta kanë marrë lëndime të rënda trupore”.

Në fund u bë edhe prezantimi i pajisjeve të deminimit dhe të arriturave të përgjithshme të organizatave pjesëmarrëse në Kosovë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)