25 Prill 2024

Shënohet Dita Ndërkombëtare e Grave për Paqe dhe Çarmatim

Prishtinë, 24 maj - Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës, shënuan sot Ditën Ndërkombëtare të Grave për Paqe dhe Çarmatim me një konferencë shtypi.

Folësit diskutuan mbi rolin e armëve e sidomos atyre të paligjshme në incidentet e dhunës në familje dhe çfarë janë duke bërë  institucionet qëndrore për të luftuar dhunën në bazë gjinore. Përveç kësaj, folësit nxorrën në pah rolin që luan UNDP, në bashkëpunim me Ministrinë së Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës, në zvogëlimin e armëve të vogla dhe të lehta dhe krijimin e një shoqërie paqësore.

Z. Izmi Zeka, Zëvendësministër i Punëve të Brendshme dhe Koordinator Kombëtar për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta (AVL) theksoi suksesin e vazhdueshëm të fushatës së legalizimit të armëve dhe rolin që luajnë armët e paligjshme në krimet e dhunshme.

“Ministria e Punëve të Brendshme po punon vazhdimisht për të rritur sigurinë për të gjithë qytetarët e saj ndërsa Policia e Kosovës vazhdon të konfiskojë armët e paligjshme. Sipas statistikave, të gjitha incidentet që përfshijnë armë zjarri kryhen nga armët ilegale.” theksoi ai.

Zëvëndës Ministri Zeka gjithashtu informoi të pranishmit për të dhënat më të fundit në lidhje me kërkesat për legalizime e armëve të paligjshme dhe apeloi përsëri tek të gjithë qytetarët që posedojnë armë ilegale t’a shfrytëzojnë këtë fushatë.

“Ministria po zbaton me sukses një fushatë legalizimi dhe deri më tani janë marrë mbi 990 kërkesa dhe janë lëshuar 577 pëlqime për leje. Unë u bëj thirrje qytetarëve që posedojnë armë ilegale që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për legalizim.”

Znj. Marta K. Gazideda, Zëvendës Koordinatore e Programit në UNDP, foli për rolin bashkëpunues që UNDP ka me Ministrinë e Punëve të Brendshme në fushën e sigurisë.

“Angazhimi i UNDP-së në Kosovë në fushën e sigurisë bazohet në krijimin e një mjedisi të sigurtë për qytetarët përmes zvogëlimit të numrit të armëve të vogla dhe të lehta, fushë në të cilën punojmë në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme për më se një dekadë. Fushëveprimi ynë përshin aspektin strategjik, hartimin e ligjeve dhe akteve nën-ligjore, forcimin e kapaciteteve individuale dhe atyre organizative duke u thirrur në Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZhQ-të) për shoqëri demokratike (OZhQ 16) dhe barazi gjinore (OZhQ 5).” u shpreh ajo.

Znj. Gazideda gjithashtu theksoi rolin negativ që luajnë armët ilegale në rastet e dhunës në familje.

“Armët e vogla dhe të lehta janë instrumentet kryesore të dhunës në konflikt. Kur këto armë, sidomos ato të mbetura nga konflikti apo edhe ato që janë ilegale, janë në qarkullim, rritet mundësia për krim dhe dhunë në familje e që pastaj, ndikon në varfëri, traumatizim të viktimave dhe shoqëri të pasigurt.”

Rreshtere Xhemile Behluli prezantoi punën e policisë në trajtimin e dhunës në baza gjinore dhe asaj në familje ndërsa Rozafa Kelmendi nga UN Women bëri thirrje për përfshirje më të madhe të grave në çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë në Kosovë me fokus të veçantë gjatë trajtimit të çështjeve që kanë të bëjnë me armët e vogla dhe të lehta.

Në Ditën Ndërkombëtare të Grave për Paqe dhe Çarmatim, shënojmë rolin historik dhe të vazhdueshëm të grave në ndërtimin e paqes dhe çarmatimin. Në Kosovë, gratë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e paqes dhe krijimin e komuniteteve më të sigurta përmes zvogëlimit  të armëve të paligjshme.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)