26 Shtator 2017

SHBA nuk mbështet version tjetër të Demarkacionit

Prishtinë, 13 shtator - Zyrtarë të Ambasadës Amerikane në Prishtinë kanë deklaruar për gazetën “Zëri” se e mbështesin Marrëveshjen për Demarkimin e Kufirit të arritur mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi në vitin 2015, e cila, sipas tyre, rezultoi me moshumbje të territorit nga këto dy shtete.

Në anën tjetër, kryeministri Haradinaj në ditën e parë të punës ka shkarkuar Komisionin për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) nuk mbështesin asnjë version tjetër të Demarkacionit me Malin e Zi, pos atij të arritur e të nënshkruar mes përfaqësuesve të të dyja shteteve në vitin 2015.

Kështu kanë bërë të ditur për gazetën “Zëri” zyrtarë nga Ambasada Amerikane në Prishtinë pas vendimit të kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili qysh në ditën e parë të punës së tij shkarkoi Komisionin për Shënjimin e Kufirit, të drejtuar nga Murat Meha.

Me këtë rast Haradinaj si drejtues të komisionit të ri caktoi ish-deputetin e LDK-së Shpejtim Bulliqin, i cili kishte qenë ndër kundërshtarët më të ashpër të versionit aktual të Demarkacionit. Por, pas këtij vendimi reagoi edhe pala malazeze, e cila tha se nuk është njoftuar fare rreth shkarkimit të Komisionit, transmeton zeri.info.

Mirëpo për dallim prej saj, Haradinaj gjatë mbledhjes në të cilën shkarkoi Komisionin deklaroi se institucionet janë në kontakt me Malin e Zi. Nga ana tjetër, vendimin për shkarkimin e Mehës dhe për emërimin e Bulliqit e ka mirëpritur edhe lëvizja “Vetëvendosje”, por jo edhe LDK-ja.

/Zëri/

Kalendari

Ngjarjet e datës 26 Shtator 2017

- Shoqata e pemëve “Pema” nga Kovraga me përkrahjen e programit AGRO të USAID-it organizon tryezën e rrumbullakët me temë “Prodhimtaria e mollës në Kosovë - gjendja aktuale, perspektiva dhe sfidat”. (Fshati Kovragë i Istogut, vendi ku është organizuar zakonisht “Dita e Mollës”, ora 10:30)

- Ministria e Drejtësisë organizon konferencë për media, në të cilën do të marrin pjesë, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi. (Ndërtesa e Ministrisë e Drejtësisë, ora 11:30)

- Ambasadori I ShBA-ve Greg Delawie do të flas në ceremonin e lansimit të Trekandit, kompania e parë e financuar dhe mbështetur  nga Gjirafa Lab. (Sheshi 21, ora 17:15)

- Muzeu i Kosovës, në kuadër të Ditëve të Trashëgimisë Evropiane me moton Ditët e Hapura hap ekspozitën me fotografi nga autori nga Turqia, Erhan Bayladi. (Muzeu i Kosovës, ora 19:00)

- Shfaqjet performanca teatrale “Copë Copë”. (Teatri i Qytetit “Adriana Abdullahu” në komunën e Ferizajit, ora 20:00)

 

Ngjarjet e fushatës zgjedhore


- Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, takohet me përfaqësueset e shoqatave te grave, i pranishëm do të jetë kryetari i LDK-së, Akademik Isa Mustafa. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Kandidati i AKR-së për kryetar të Prishtinës, Selim Pacolli, mban konferencën për medie për të diskutuar problemet dhe brengat e qytetarëve të Prishtinës. (Sheshi Skënderbeu, pranë ndërtesës së Qeverisë, ora 11:00)

- Dega e NISMA për Kosovën në Klinë do të bëj hapjen e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale. (Shtëpia e kulturës “Jehona e Dukagjinit” në Klinë, ora 13:00)
 
- Dega e NISMA për Kosovën në Istog do të bëj hapjen e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale. (Restaurant Freskia në Istog, ora 15:00)

- Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë tubimin zgjedhor në qytetin e Vitisë, marrin pjesë kryetari Visar Ymeri, deputeti Albin Kurti, deputetja Shqipe Pantina dhe kandidati për kryetar të Vitisë, Salih Salihu. (Restaurant Lindi në Viti, ora 17:00)

- Dega e NISMA për Kosovën në Pejë do të bëj hapjen e fushatës zgjedhore. (Restaurant Universi në Pejë, ora 17:30)

- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mban tubim zgjedhor në Pejë, merr pjesë edhe Kryeministri dhe Kryetar i AAK-së Ramush Haradinaj. (Hotel Dukagjini, ora 18:00)

- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mban takim me fermerë të Pejës, merr pjesë Kryeministri dhe Kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj. (Restoran Koha 3, ora 19:00)

- Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të komunës të Prizrenit Dr. Hatim Baxhaku shpalos programin qeverisës dhe prezanton kandidatët për Asamble Komunale. (Kompleksi Lidhja e Prizrenit, ora 19:30)