20 Prill 2024

Sejdiu priti në takim lamtumirës komandantin e KFOR-it

Prishtinë, 25 gusht - Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti sot në takim lamtumirës komandantin e KFOR-it, gjeneralin Markus Bentler, i cili përfundon mandatin në fund të këtij muaji.

Presidenti Sejdiu edhe me këtë rast foli për bashkëpunimin shumë të mirë të institucioneve të Republikës së Kosovës me KFOR-in, si dhe për besimin e madh që populli i Kosovës ka në këtë forcë, e cila për një mandat u udhëhoq nga gjenerali Bentler.

Presidenti Sejdiu e falënderoi gjeneralin Bentler për angazhimin e tij në krye të KFOR-it dhe i dëshiroi sukses në angazhimet e tij të mëtejshme në vendin e tij.

Po kështu, Presidenti Sejdiu theksoi se populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës nuk kanë vizion tjetër përveç synimit këmbëngulës për anëtarësimin sa më të shpejtë të vendit tonë në institucionet ndërkombëtare dhe një ditë edhe në NATO.

Ai falënderoi për kontributin e madh që po jep KFOR-i në fushën e sigurisë dhe sidomos në trajnimin dhe përgatitjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila po përgatitet dhe po profesionalizohet sipas standardeve të NATO-s.

Ai tha se KFOR-i ka bërë dhe po bën një punë shumë të madhe për ruajtjen e qetësisë dhe stabilitetit në Kosovë, shenjë e të cilit është edhe kalimi i përgjegjësisë për ruajtjen e monumenteve kulturore nga KFOR-i tek Policia e Kosovës.

Ndërsa, komandanti i KFOR-it, gjenerali Markus Bentler, pasi falënderoi Presidentin Sejdiu për bashkëpunim gjatës periudhës sa ai ishte në krye të trupave të NATO-s në Kosovë, tha se KFOR-i mbetet i përkushtuar për ta siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)