18 Prill 2024

Qeveria i jep prioritet Parkut Inovativ Trajnues Kosovaro - Gjerman

Prizren, 5 nëntor - “Politika e politikanët vijnë e shkojnë, por popujt jetojnë, popujt kur kanë lidhje të shtrira te familjet, miqësi e dashuri ajo jeton më gjatë. Besoj se ne sot jemi duke krijuar një bazë të fortë të një miqësie Kosovë-Gjermani”, kështu tha Kryeministri Ramush Haradinaj pas vizitës që i bëri kampit të KFOR-it ushtarak gjerman në Prizren, tani me vendim të qeverisë i shndërruar në Park Inovativ Trajnues Kosovaro - Gjerman.

Në këtë vizitë Kryeministri Haradinaj ishte i shoqëruar nga disa zëvendëskryeministra dhe ministra, për siç tha Kryeministri Haradinaj për ta dëshmuar që Qeveria e Kosovës e ka marrë me përkushtim angazhimin në këtë projekt dhe do të vazhdojë ta ketë prioritet të saj.

Kryeministri Haradinaj bashkë me delegacionin kosovarë dhe përfaqësues nga institucione të tjera dhe GIZ gjerman, panë nga afër të gjitha resurset infrastrukturore që ofron ky kamp dhe të cilat tani do të jenë pjesë e kampit të ri dhe të gatshme për të pritur investitorët e huaj.

"Janë rreth 60 objekte të natyrave të ndryshme dhe të madhësive të ndryshme që kapin vlerën prej 40 milionë eurove të investuara nga shteti gjerman dhe të cilat tani po i trashëgon Kosova dhe projekti i Parkut Inovativ dhe Trajnues" , tha Kryeministri Haradinaj, duke shtuar se një punë e filluar shumë më herët ka arritur në fazën finale  dhe për këtë ka falënderuar popullin gjerman, Bundesverin për një qasje të dobishme për Kosovën.

Kryeministri Haradinaj më tej në fjalën e tij ka falënderuar 50 mijë ushtarët e Bundesverit që kanë shërbyer në Kosovë, disa prej të cilëve kanë humbur jetën duke shërbyer për paqen e të gjithë neve.

“Falënderoj për përkrahjen që i kanë dhënë Kosovës gjatë gjithë këtyre viteve, e së fundi edhe për donacionin për FSK-në, për mjetet e motorizuara, shumica prej tyre të reja dhe në gjendje të mirë, që është një veprim i dobishëm për FSK-në, sepse me atë donacion kursehen paratë e popullit të Kosovës”, tha kryeministri Haradinaj, duke e quajtur lajm të mirë edhe dhurimin e pajisjeve të tjera përcjellëse të Kampit nga Ministria e Mbrojtjes së Gjermanisë për Kosovën, në vlerë prej 2 milionë euro.

Kryeministri Haradinaj tha se të gjithë ne dëshirojmë që flamuri gjerman të vazhdojë të valojë lartë në Prizren dhe në Kosovë dhe tani në projektin e ardhshëm të zhvillimit ekonomik, të aftësimit të të rinjve tanë për punë dhe vende të punës.

“E di se fillimet janë të vështira dhe e di se ashtu sikur nuk ka qenë e lehtë për KFOR-in gjerman, për ushtarët gjerman, që të aktivizojnë këtë kamp më 1999, megjithatë e kanë ngrit, unë i siguroj ushtarët, komandantin Offerman dhe gjithë ata që e presin suksesin tonë, se nuk do të dështojmë dhe në janar do të jemi funksional, e po ashtu në vitin që vjen, në këtë kohë, në këtë kamp do të ketë shumë aktivitete trajnuese, inovative, e shumë të rinj të aftësuar”, tha kryeministri Haradinaj.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri Haradinaj tha se Kosova beson në Gjermaninë, beson në popullin gjerman, në dashurinë e Gjermanisë dhe popullit të saj për Kosovën e shprehur gjatë gjithë këtyre dekadave, dhe dëshirojmë që t’i ofrojmë popujt tanë mes vete, pra Kosovën e Gjermaninë.

“Politika e politikanët vijnë e shkojnë, por popujt jetojnë, popujt kur kanë lidhje të shtrira te familjet, miqësi e dashuri ajo jeton më gjatë. Besoj se ne sot jemi duke krijuar një bazë të fortë të një miqësie Kosovë-Gjermani”, theksoi kryeministri Haradinaj.

Duke i uruar mirëseardhje kryeministrit Haradinaj dhe ministrave në kampin ushtarak, komandanti i kontingjentit gjerman të KFOR-it, nënkolonel Eric Offerman, tha se prezenca 19 vjeçare e Bundesverit në Prizren është duke marrë fund. Po ashtu, komandanti Offerman falënderoi kryeministrin Haradinaj për pjesëmarrje në parakalimin lamtumirës të trupave ushtarake gjermane, më 4 tetor në Sheshin “Shadërvan”.

“Gëzohemi që edhe më tej do të jemi pjesë e KFOR-it në Prishtinë dhe do të kontribuojmë në ndërtimin e FSK-së. Në këtë kamp ushtarak të krijuar gjatë 19 viteve, Gjermania ka investuar më se 40 milionë euro. Në muajin e ardhshëm do të jemi gati që këta 40 hektarë t’i dorëzojmë Qeverisë së Kosovës. E vetmja gjë që do të na përkujtojë misionin e Bundesverit këtu, do të jetë kjo shtëpizë historike e rojës prapa meje. Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar GIZ me vendosmëri do ta përcjellë  krijimin e “Parkut të Trajnimit dhe Inovacionit” në Prizren”, tha nënkoloneli Eric Offerman, duke theksuar se infrastruktura në kampin ushtarak në Prizren ofron mundësi të mira për zhvillimin e mëtejmë të rajonit dhe të Kosovës.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt tha se i kujtohet dita e parë me kryeministrin Haradinaj kur ky projekt ka qenë vetëm në letër dhe se tash po i afrohet realizmit të tij. “Prezenca e kaq shumë përfaqësuesve qeveritarë sot tregon për interesimin e këtij kampi në një projekt të tillë që do të na ndërlidhë të gjithëve, shoqërinë gjermane e kosovare, një projekt madhështor që do ta tejkalojë shtrirjen e Prizrenit, por do të jetë më i gjerë në Kosovë e rajon”, tha ambasadori Heldt, duke shtuar se të gjitha këto projekte do të kenë mundësinë të implementohen qysh në fillim të vitit të ardhshëm.

Gjatë vizitës që i bënë kuzhinës ku janë shërbyer paqeruajtësit gjermanë, nënkoloneli Eric Offerman, tha po ashtu se të gjitha aparatet, veglat e punës dhe pajisjet teknike për menaxhimin e ndërtesës pas dorëzimit të kampit ushtarak do të mbeten këtu për Parkun Inovativ.

Gjatë vizitës në këtë kamp, kryeministri Haradinaj ka vizituar fjetoret dhe ish-spitalin ushtarak, memorialin e ri për ushtarët gjerman, kuzhinën dhe objekte të tjera përcjellëse.

Të pranishëm në këtë vizitë ishin ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heltd, zëvendëskryeministrat Enver Hoxhaj e Dardan Gashi, ministrat Bedri Hamza, Valdrin Lluka, Shyqiri Bytyqi, Mahir Jagxhilar, Besim Beqaj dhe Endrit Shala.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)