28 Mars 2024

Qeveria e Kosovës ndan mjete për koalicionin anti ISIS

Prishtinë, 20 tetor - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, ka zhvilluar mbledhjen e saj të nëntë, të rregullt, në të cilën ka miratuar shtatë projektligje dhe vendime tjera të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Projektligji mbi masat doganore për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale është projektligji i parë, nga shtatë, që kanë marrë miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme. Ky Projektligj rregullon të drejtat, përgjegjësitë, parimet dhe masat doganore për mallrat të cilat shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale.

Në vazhdim, Qeveria ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes financiare për projektin e konkurrueshmërisë dhe gatishmërisë për eksport ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim. Marrëveshja siguron financimin në vlerë prej 14,3 milion eurove, me normë efektive të interesit vjetor prej 1,20 për qind, me greis periudhë për pesë vite dhe afatin e shlyerjes për 20 vite.

Edhe Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare financiare për projektin për bujqësi dhe zhvillim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim ka marrë miratimin e Qeverisë. Marrëveshja siguron financim në vlerë prej 20,8 milionë eurove.

Është miratuar edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror. Qëllimi i plotësimit dhe ndryshimit të këtij ligji është transpozimi i legjislacionit evropian për krijimin e një kodi të unionit mbi rregullat e lëvizjes së personave.

Qeveria ka dhënë miratimin edhe për Projektligjin për infrastrukturën kritike, i cili ka për qëllim ruajtjen dhe mbrojtjen e infrastrukturës  kritike kombëtare dhe evropiane, mbrojtjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës, parandalimin e incidenteve dhe minimizimin e dëmit potencial për infrastrukturën kritike, pasurinë e përgjithshme, humbjet ekonomike dhe sociale, sigurinë dhe stabilitetin e qeverisë si dhe rritjen e qëndrueshmërisë.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe Projektligjin për standardizim, i cili përcakton rregullat dhe parimet për zhvillimin e aktiviteteve të standardizimit në Republikën e Kosovës, si dhe organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kosovare të Standardizimit.

Edhe Projektligji për shoqëritë tregtare ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme. Projektligji përcakton llojet e shoqërive tregtare që kërkohet të regjistrohen në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës. Organizimin  dhe kompetencat e Agjencisë së shoqërive tregtare dhe të drejtat dhe detyrimet e aksionarëve, përfaqësueseve të autorizuar, pronarëve, drejtorëve dhe palëve të treta në lidhje me shoqëritë tregtare.

Në mbledhjen e sotme Qeveria ka miratuar vendimin për përmbushjen e kontributit vjetor të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Qendrën Rajonale të Nismës Rajonale për Migrim, Azil dhe Refugjat (MARRI), me seli në Shkup. Kontributi për vitin 2017  kap vlerën prej 17.580 euro.

Me kërkesë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Qeveria ka ndarë 27,857 euro për pagesën e punonjësve për shërbime të veçanta në rezidencën presidenciale Ibrahim Rugova.

Me dy vendime të ndara, Qeveria i ka rekomanduar Presidentit të Republikës së  Kosovës që të autorizojë ministrin e Drejtësisë për nënshkrimin e Traktatit për Transferim të Personave të Dënuar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Hungarisë dhe ka aprovuar në parim nismën për lidhje të Marrëveshjes për ekstradim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Hungarisë.

Me propozim të Ministrisë së Drejtësisë, Qeveria ka miratuar vendimin për propozim e anëtarëve të Komisionit për dhënien e provimit të jurisprudencës, në përbërje:

1.      Aleksandër Lumezi – kryetar i komisionit, pyetës në lëndën E drejta penale, zëvendës Besim Kelmendi;

2.      Prof.dr. Haxhi Gashi -  anëtar, pyetës në lëndën E drejta civile, zëvendës Albert Zogaj;

3.      Nebojsha Boriqiq – anëtarë, pyetës në lëndën E drejta tregtare, zëvendës Çerkin Berisha;

4.      Prof.dr. Kadri Kryeziu – anëtarë, pyetës në lëndën E drejta kushtetuese, organizimi i sistemit gjyqësorë të Kosovës, bazat e sistemit të Bashkimit Evropian dhe të drejtat e njeriut, zëvendës Ivan Çukalloviq;

5.      Enver Peci – anëtarë, pyetës në lëndën E drejta e punës dhe E drejta Administrative, zëvendës Emine Kaqiku.

Propozimi do të procedohet për shqyrtim dhe miratim nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Me vendimin e miratuar sot nga Qeveria e Republikës së Kosovës janë ndarë mjete financiare në vlerë prej 100,000 US$ (njëqindmijë dollarë Amerikan) për koalicionin anti-ISIS. Qeveria e Republikës së Kosovës gjithashtu është e gatshme të përkrahë iniciativën për kthimin e banorëve të dëbuar nga shtëpitë e tyre në Irak dhe Siri, duke ofruar asistencë në deminimin e zonave si dhe ndihmë humanitare në projektet që kanë të bëjnë me strehim, ushqim, shëndetësi, energji dhe nevojave tjera.

Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për ndarjen e 40 mijë eurove për të financuar renovimin e shkollës fillore në fshatin Somolicë të komunës së Bujanovcit.

Qeveria ka vendosur që të përkrah kërkesën e Komunës së Gjilanit për të mbështetur financiarisht realizimin e projektit për ndërtimin kapërderdhësës për largimin e ujërave në pendën Përlepnicës.

Ministria e Integrimeve Evropiane ka prezantuar Raportin vjetor mbi aktivitetin e donatorëve për vitin 2016. Shuma totale e financimeve në këtë vit është 173,622 milionë euro. Donatori më i madh është Bashkimi Evropian me mbi 61 milionë euro. Donatorët tjerë të mëdhenj bilateral janë Agjencia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtarë me 33,6 milionë euro, Gjermania me 19,6 milionë dhe Zvicra me 15,4 milionë euro.

Qeveria ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Infrastrukturës për hartimin e Planit për Zonë të Veçantë të segmentit rrugor Kijevë-Zahaq.

Kryeministri ka njoftuar kabinetin qeveritar për vizitën e Këshillit të NATO-s dhe të kongresistit Eliot Engel në Kosovë gjatë ditëve në vijim.

Kryeministri gjithashtu ka vlerësuar demokratik procesin e deritashëm të fushatës për zgjedhjet lokale në Kosovë. Të dielën do të zhvillohet votimi për autoritetet lokale, ka thënë kryeministri dhe ka ftuar të gjithë pjesëmarrësit në këto zgjedhje të tregojnë kulturë të lartë demokratike dhe të dërgojnë mesazh sa më pozitivë për shoqërinë tonë.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka informuar kabinetin qeveritar për nënshkrimin e një deklarate të pajtimit për fushën e hulumtimeve në fushën e energjisë së ripërtëritshme, që do të ndodhë gjatë javës që vjen në Gjenevë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)