17 Korrik 2019

Prokuroria Speciale ftohet të hetojë rastin e dëbimit të shtetasve turq

Prishtinë, 15 maj - Komisioni Hetimor Parlamentar i Kuvendit të Kosovës, për rastin e dëbimit të shtetasve turq, ka miratuar të mërkurën draft raportin e tij.

Komisioni i cili ishte funksionalizuar në korrik të vitit të kaluar, për të hetuar se çfarë kishte ndodhur me rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova, ka evidentuar 31 shkelje ligjore gjatë procesit të arrestimit dhe dëbimit të shtetasve turq.

Shkeljet më të mëdha, sipas udhëheqësve të këtij Komisioni, ishin bërë nga dy agjencitë kryesore të sigurisë në Kosovë, përkatësisht Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe Policia e Kosovës.

Kryetari i Komisionit, deputeti, Xhelal Sfeçla, gjatë një konference për media ka ftuar Prokurorinë Speciale që të merret me raportin e miratuar nga Komisioni dhe të fillojë hetimet.

“Prokuroria Speciale të merret seriozisht me raportin e miratuar, sidomos pas dëshmive të fundit ku është thelluar kontradiktat ndërmjet ish- shefi të Agjencisë se Kosovës për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi dhe ish–shefi i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni sa i përket përgatitjeve paraprake të operacionit për dëbim”, ka thënë Sfeçla.

Nënkryetari i këtij Komisioni Parlamentar, Driton Selmanaj, theksoi se personat përgjegjës për rastin e dëbimit të shtetasve turq duhet të dalin para drejtësisë. Ai ka ftuar Prokurorinë Speciale të ndërmarrë veprime konkrete.

“Ky raport është i mirë me të gjetura faktike por do të ishte edhe më i plotë sikur ta kishim dëshminë e detajuar të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, pasi që mbrapa kësaj pune qëndron ai, por që për fatin e keq ai nuk ishte i gatshëm të dëshmojë”, tha Selmanaj.

Në një nga takimet e këtij Komisioni, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte paraqitur për t’u intervistuar lidhur me dëbimin e shtetasve turq, por ai nuk e ofroi këtë dëshmi, duke thënë se Komisioni kishte bërë shkelje të mëdha ligjore në punën e tij.

Më 29 mars 2018, me kërkesë të autoriteteve turke, Policia e Kosovës kishte arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë qytetarë turq.

Dëbimi i tyre ishte realizuar përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova. Por, presidenti, kryeministri, kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe deputetët, patën deklaruar se nuk kishin qenë fare të informuar lidhur me rastin.

Kalendari

Ngjarjet e datës 17 korrik 2019 - Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë organizon konferencë të jashtëzakonshme për media lidhur me rastin e fundit i vdekjes së fëmijës në rrethana të dyshimta në Fushë Kosovë. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Lansohet Plani i Integritetit të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Ministrisë se Mbrojtjes, ora 10:00)

- Me rastin e shënimit të “Epopesë së Korrikut 1998’’ në Rahovec, Komuna e Rahovecit do të bëj homazhe dhe ndërim për të rënet. (Rahovec, ora 10:00)

- Kryetari i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Ramiz Azizi do të mbajë konferencë për media. (Objekti i Gjykatës Themelore në Gjilan, Kati i III, Salla 306, ora 10:30)

- Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi mban dëgjim publik lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Trashëgiminë Kulturore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 203, ora 11:00)

- Policia e Kosovës do të mbajë një konferencë për media, ku do prezantohet raporti gjashtëmujor  janar-qershor 2019 duke u fokusuar edhe në aktivitetet më të rëndësishme të policisë gjatë kësaj periudhe. (Stacioni policor Qendra në Prishtinë, ora 11:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj pret në takim Azgan Haklaj, president i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 11:00)

- Ministria e Tregtisë dhe Industrisë organizon panairin “Gratë në Biznes dhe artizanate tradicionale” në të cilin do të marrin pjesë rreth 32 biznese dhe shoqata të grave ndërmarrëse nga komunitete të ndryshme të Kosovës. (Sheshi “Para Teatrit” në Gjilan, ora 11:00)      
 
- Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës lanson fushatën vetëdijësuese “10 Rregullat e Arta të Sigurisë Rrugore. (Pika kufitare e Merdares, ora 11:00)

- Partia Socialdemokrate mban konferencë për media. (Zyrët qendrore të PSD-së në lagjen Arbëria, ora 11:30)

- Komuna e Rahovecit organizon akadmi përkujtimore me rastin e 21 vjetorit shënimit të “17 korrikut - Epopesë së Rahovec’’. (Shtëpia e Kulturës 'Mentor Zyberaj" në Rahovec, ora 12:00)

- Agjencia Kosovare e Privatizimit mban ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve përmes Likuidimit nr.48. (Hoteli Grand, ora 12:30)

- Mbledhja e komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale në të cilën do të behët shqyrtimi i Projektligjit për Inspektoratin e Punës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 13:00)

- Komuna e Rahovecit organizon dëgjim publik për përgatitjen e buxhetit për vitit 2020 më banorët e fshatit Hoçë e Madhe. (Shtëpia e Kulturës në fshatin Hoçë e Madhe, ora 14:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj zhvillonë një vizitë pune në Komunën e Malishevës. (Malishevë, ora 15:00)

- Komuna e Rahovecit organizon dëgjim publik për përgatitjen e buxhetit për vitit 2020 më banorët e lagjeve III- dhe IV të qytetit të Rahovecit. (Shkolla fillore “Isa Boletini” në Rahovec, ora 19:00)