28 Mars 2024

Prokurori i Shtetit vazhdon të ngrit aktakuza ndaj të vdekurve

Prishtinë, 18 korrik - Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit dhe NED-it, të hënën ka mbajtur një konferencë për media në të cilën është prezantuar raporti “Sfidat në trajtimin e krimeve të përgjithshme”, i cili raport derivon nga monitorimi sistematik që IKD u ka bërë Divizioneve Penale të gjykatave.

Hulumtuesi i IKD-së, Mirvet Thaqi tha se Divizionet Penale të gjykatave edhe gjatë vitit 2021 janë ballafaquar me një numër të madh të lëndëve të pazgjidhura, ku në fund të këtij viti të pakryera kanë mbetur edhe 31,314 lëndë penale të përgjithshme. Një fenomen i tillë sipas Thaqit është ndër arsyet kryesore se pse lëndët në Divizionet Penale të Gjykatave të Kosovës zvarriten dhe nuk trajtohen brenda afateve ligjore.

Sipas Thaqit, gjetjet e IKD tregojnë se gjykatësit e GjTh në Prishtinë janë gati pesëfish më shumë të ngarkuar me lëndë të tilla në krahasim me gjykatësit e GjTh në Mitrovicë. Për këtë arsye, ai tha se Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) duhet të ndërmarrë masa për shpërndarjen proporcionale të gjykatësve, duke aplikuar edhe transferimin e tyre, në mënyrë që të sigurohet procedimi efikas i lëndëve dhe që gjykatësit të kenë një numër të menaxhueshëm të lëndëve në punë.

Thaqi tha se prokuroria më e ngarkuar me lëndë DP gjatë vitit 2021 ka qenë PTh në Prishtinë me 9,780 lëndë në punë, derisa më së paku lëndë të tilla ka pasur PTh në Ferizaj me 2,120 lëndë DP. Sipas Thaqit, Prokuroria e Prishtinës prin edhe sa i përket ngarkesës mesatare me lëndë DP për një prokuror, ku një prokuror i kësaj prokurorie ka pasur në punë gjithsej 407,5 lëndë DP, derisa më pak të ngarkuar gjatë vitit 2021 ishin prokurorët e PTh në Ferizaj, me një mesatare prej 212 lëndëve në punë për një prokuror.

Monitorimi sistematik i punës së divizioneve penale, sipas Thaqit, ka vënë në pah një trajtim jo efikas të aktakuzave të ushtruara ndaj politikanëve. Kjo sipas tij manifestohet me faktin se gjykatat gjatë procedimit me lëndë të tilla nuk kanë respektuar afatet ligjore, duke i lënë këto lëndë të pagjykuara për vite me radhë. Ai shtoi se në parim kjo zvarritje, e cila ka qenë karakteristikë e rasteve të politikanëve të cilat trajtohen në këto departamente krijon një përcepcion negativ tek publiku për mungesë të guximit të gjyqësorit në trajtimin e rasteve të politikanëve, veçanërisht nëse rastet e të njëjtëve parashkruhen. Sipas tij, zvarritjen në këto raste janë shumë më të mëdha se sa zvarritjet e rasteve të tjera të kësaj natyre.

Ndërsa, hulumtuesi Gzim Shala ka thënë se sikurse edhe në vitet e kaluara, Prokurori i Shtetit ka vazhduar të ngrit aktakuza ndaj të vdekurve. Sipas tij, mos zhvillimi i hetimeve ka sjellë në situatat që Prokurori i Shtetit të ushtrojë aktakuza të tilla, të cilat përveçse të paqëndrueshme në aspektin juridik, e kanë ngarkuar pa nevojë gjyqësorin me lëndë. Ushtrimi i aktakuzave të tilla, sipas Shalës, dëshmon për një mungesë profesionalizmi të prokurorëve që veprojnë në kuadër të sistemit prokurorial, e po ashtu, kjo përbën edhe shkelje të detyrave dhe kompetencave të prokurorit të shtetit, të cilët duhet të zbatojnë standardet më të larta të kujdesit gjatë kryerjes së funksioneve zyrtare. Ai ka shtuar se këto situata prokurorët mund ti evitojnë përmes aplikimit adekuat të Sistemit për Menaxhimin Informativ të Lëndëve. Mungesë profesionalizmi sipas Shalës, Prokurori i Shtetit kishte dëshmuar edhe me rastin e ngritjes së aktakuzave ndaj personave të gabuar dhe për çështjet e gjykuara.

Në kuadër të këtij raporti analitik Shala tha se është trajtuar edhe procedimi i rastit ndaj ministrit aktual të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla nga gjyqtari i GjTh në Prishtinë Eroll Gashi. I njëjti tha se ky gjykatës për shkak të lëshimeve të raportuara gjatë trajtimit të këtij rasti, tashmë ka humbur kredibilitetin për gjykimin e kësaj lënde. Andaj, ai tha se ky rast duhet ti ndahet në punë një gjyqtari tjetër, në mënyrë që të mos vihet në dyshim paanësia e tij për trajtimin e këtij rasti.

Sa i përket të dhënave të siguruara nga analizimi i 100 aktgjykimeve penale ku është shqiptuar dënimi i kushtëzuar, Shala tha se gjetjet flasin për aplikim “shabllon” të dënimit me kusht, i cili nuk kombinohet ashtu siç e parasheh ligji, me urdhra tjerë të veçantë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)