24 Shtator 2018

Pretendimet e Hasanit për Lumezin nuk janë të vërteta

Prishtinë, 14 nëntor - Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka përfunduar procesin e grumbullimit të të gjitha informacioneve dhe fakteve të nevojshme që kanë të bëjnë me pretendimet e ish rektorit të Universitetit të Prishtinës, Enver Hasani, se dosja e provimit të jurisprudencës e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, është e falsifikuar.

Hetimin e këtij rasti e ka bërë një prokuror vendor nën monitorimin e vazhdueshëm të një prokurori të EULEX-it.

Pas analizimit të hollësishëm të të gjitha informacioneve dhe provave të grumbulluara, si dhe deklaratave të siguruara nga të gjithë personat zyrtarë, të cilët në fillim të viteve nëntëdhjetë ishin përgjegjës për administrimin e procesit të paraqitjes dhe regjistrimit të provimit të jurisprudencës, si dhe të lëshimit të certifikatave për dhënien e këtij provimi, Prokuroria Themelore ka nxjerrë përfundimin se pretendimet e Hasani nuk janë të vërteta, ngase nuk janë të bazuara në fakte dhe nuk përputhen me provat e grumbulluara.

Gjetjet përfundimtare të hetimit zyrtar lidhur me këtë rast janë:

(1) dosja e z. Lumezi për provimin e jurisprudencës është konform dispozitave dhe procedurave të atëhershme për administrimin e këtij provimi;

(2) z. Lumezi në mënyrë të pakontestueshme e ka dhënë provimin e jurisprudencës;

(3) gabimet administrative-teknike në regjistrat zyrtarë si dhe mënyrat e atëhershme manuale e jo të përsosura për korrigjimin e tyre, siç ishte përdorimi i llakut të bardhë për korrigjimet në tekst, ishin rezultat i menaxhimit të mangët të regjistrave zyrtar nga shërbyesit e atëhershëm civil, që ishin përgjegjës për mirëmbajtjen e librave të provimit të jurisprudencës, dhe këto gabime nuk mund t’iu atribuohen kandidatëve për provim, siç këtë e kanë bërë z. Hasani dhe disa media që i kanë besuar atij.

Në bazë të provave të grumbulluara dhe gjetjeve të hetimit, Prokuroria Themelore ka konstatuar se jo vetëm pretendimet e ngritura fillimisht nga z. Hasani, por më vonë edhe nga disa media, janë tërësisht të pabazuara, të paqëndrueshme dhe të pambështetura në asnjë provë relevante. ]

Si rrjedhojë, analizimi i detajuar i provave në këtë rast përjashton mundësinë e ekzistimit të ndonjë vepre penale që është e inkriminuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Për këto prova dhe analizën e çdo detaji të tyre, që janë kryer nga prokuroria, nën monitorimin e prokurorit të EULEX-it, mediat dhe publiku mund të informohen më hollësisht nga aktvendimi mbi hedhjen nga prokurori i rastit si dhe dokumentacioni tjetër relevant në shtojcën e këtij dokumenti.

Në fund, Prokuroria Themelore ka konstatuar se mënyra dhe koha të cilat z. Hasani i ka zgjedhur për të ngritur pretendimet e veta dhe më pas, mënyra në të cilën këto pretendime janë eksploatuar nga disa media përderisa hetimi ishte në zhvillim e sipër, mënyrë kjo që i përngjan një fushate dhe presioni të orkestruar për të ushtruar ndikim mbi prokurorin e rastit, por edhe mbi të gjithë sistemin prokurorial, tregojnë se këto pretendime qëllimisht synonin nxjerrjen e rezultatit të pavërtetë dhe skajshmërisht të shtrembëruar.
 

Kalendari

Ngajrjet e datës 24 shtator 2018

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në të cilën do të behët shqyrtimi i Projektligjit për Transmetuesin Publik të Kosovës, shqyrtimi i Projektligjit për Pagat në Sektorin Publik, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Misioni i OSBE-së do të publikojë dy raporte që kanë të bëjnë me legjislacionin dygjuhësh dhe respektimin e të drejtave gjuhësore në Policinë e Kosovës, në kuadër të aktiviteteve të shumta për shënimin e Ditës Evropiane të Gjuhëve. (Swiss Diamond Hotel, ora 10:30)

- Grupi për Studime Juridike dhe Politike organizon tryezën e Diskutimit me temë "Monitorimi i Planit Strategjik të KPK-së: Ku po qëndron sistemi prokurorial në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik?". (Hotelin Swiss Diamond, ora 10:30)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit mban ceremonin e ndarjes së certifikatave për të rinj për shkathtësitë e buta. (Salla e konferencave Orion, përballë Kino ABC, ora 10:30)

- Në kuadër të Javës së Sportit Evripian Federate e çiklizimit te Kosovës organizon garën e hapur çiklistike për të gjitha kategoritë dhe grupmoshat nga 20 deri 100 km. (Gjilan, ora 11:00)

- Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi do të shoqëroj Drejtoreshën e Korpusit të Paqës, Dr. Darlene Grant, gjatë vizitës ku ata do të përcjellin një Vullnetare të Korpusit të Paqës në punë në shkollën e saj në një fshat të Kosovës. (Shkolla fillore “Nëna Tereza”, fshati Vranidoll, ora 11:15)

- Organizata ETEA, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, do ta organizojë “Ditën e Librit të Ndaluar” me temën “Librat digjen, (por) idetë jo”, si përgjigje ndaj cenzurës, me theks të veçantë te cenzurimi i librave. (Sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 12:00)

- Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa mban mbledhje me Grupin Parlamentar të LDK-së. (Hotel Sirius, ora 12:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale në të cilën do të behët shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Konfederatës së Zvicrës, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 13:00)

- Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa mban mbledhje me kryesinë e LDK-së. (Hotel Sirius, ora 14:00)

- Ministri i Financave Bedri Hamza dhe drejtoresha për Eksport në UniCredit Bank Austria AG Sabina Eder do të nënshkruajnë marrëveshjen për kredi në vlerë prej 5.349 milionë euro për financimin e projektit të trajtimit të ujërave të zeza në Komunën e Podujevës. (Ndërtesa e  Qeverisë, kati 11, ora 15:00)

- Mbahet diskutim i hapur me shkrimtarin dhe publicistin Veton Surroi mbi temën “Librat digjen, (por) idetë jo” me moderim nga Liridona Sijarina. (Lapidariumi i Muzeut Kombëtar të Kosovës, ora 15:00)

- Anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione takohen me Robert Gajda, Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Republikën e Shqipërisë.  (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 15:00)

- Organizohet shfaqja e filmit “Fahrenheit 451” në bashkëpunim me “Film n’park”. (Parku i Qytetit të Prishtinës, ora 19:00)