25 Shtator 2022

Policia godet një grup të madh trafikantësh me emigrant

Prishtinë, 31 korrik - Policia e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se hetuesit policorë nga Departamenti i Kufirit, që nga muaji mars 2022, kanë filluar hetimin rreth dyshimit se disa persona janë përfshirë në ‘kontrabandim me emigrant’.

Numri i personave të dyshuar, të përfshirë në hetim ka qenë i madh. Ata dyshohet se emigrantët (kryesisht aziatik), i kanë depërtuar ilegalisht nga Shqipëria, duke i kaluar deri në pjesën veriore të Kosovës, e qëllim i mbërritjes së emigranteve ishin shtetet perëndimore.

Më 14.07.2022 hetuesit nga Sektori i Hetimeve kanë arrestuar të dyshuarin M.A., shtetas sirian, i cili ka qëndruar në Kosovë duke organizuar kontrabandën. Kurse, më 30.07.2022, policia kufitare e ka finalizuar operacionin policor të koduar “Shkoza”.

Më 30.07.2022, derisa ishte në zhvillim e sipër kontrabandim i radhës, pas marrjes së urdhrit nga Gjykata Themelore Prishtinë, fillojnë kontrollimet policore në fshatin Shkozë të Prizrenit në tri lokacione.

Në njërin nga lokacionet një i dyshuar tenton t’i godasë me veturë zyrtarët policorë.

Ai është arrestuar për ‘sulm ndaj personit zyrtar’ dhe dërguar në mbajtje, ndaj tij është veçuar lënda nga të dyshuarit tjerë të përfshirë në ‘kontrabandë me emigrantë’.

Gjatë operacionit policorë janë arrestuar edhe gjashtëmbëdhjetë të dyshuar për përfshirje në kontrabandim me emigrantë, po ashtu edhe një për armëmbajtje pa leje.

Nga të dyshuarit janë sekuestruar katër armë zjarri, nëntëdhjetë e pesë copë fishekë, tre autobusë, dy vetura, dy radiolidhje dhe shtatëmbëdhjetë telefona celular.

Pas intervistimit të tetëmbëdhjetë të dyshuarve të trajtuar në këtë operacion policor, me aktvendim të prokurorit shtatëmbëdhjetë nga të dyshuarit dërgohen në mbajtje, kurse ndaj njërit vazhdon procedura e rregullt.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 shtator 2022

- Federata Atletikës së Kosovës dhe Departamenti i Sporteve, organizon maratonën “Prishtina 2022”, në të cilën marrin pjesë mbi 500 garues. (Nisja bëhet nga Teatri Kombëtar, ora 9:00)

- Me qëllim të koordinimit ndër-institucional mes Qeverisë dhe Pushtetit Lokal mbahet takimi i përbashkët me Kryeministrin, Albin Kurti, Ministrin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, Ministrin e Financave, Hekuran Murati, Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Kryetarët e Komunave me ç ‘rast do të diskutohet performanca buxhetore e Komunave dhe Investimet Kapitale, energjia, etj... (Hotel Dukagjini në Pejë, ora 10:00)

- Partia Demokratike e Kosovës mban Konventën Programore të Gruas Demokratike të Kosovës.  (Hotel Emerald, ora 10:00)  

- Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Gjilan mban konventën e madhe programore. (Salla e Teatrit të Qytetit në Gjilan, ora ora 11:00)

- Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë bën prezantimin e instalacionit simbolik “Fëmijët në Shkolla”. (Sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë, ora 12:00)
 
- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Redžepi, marrin pjesë në hapjen solemne të Qendrës Kulturore Boshnjake, me rastin e festimit të Ditës Kombëtare të Boshnjakëve. (Qendra Kulturore Boshnjake në Prizren, ora 14:00)