23 Prill 2024

Policia e Kosovës është themel i rëndësishëm i shoqërisë

Prishtinë, 6 shtator - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në ceremoninë solemne të 19-vjetorit të Ditës së Policisë së Kosovës.

“Themelet e jetës sonë të re në Kosovë kemi filluar t’i vendosim të gjithë së bashku. Një themel i rëndësishëm i jetës sonë të re është Policia e Kosovës, e cila është e të gjithëve dhe është krijuar me ndihmën e të gjithëve”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj falënderoi të gjitha qeveritë, udhëheqësit e shteteve, të gjitha organizatat që kanë ndihmuar në krijimin dhe forcimin e Policisë së Kosovës.

“Jeni përballur me shumë dilema, ju dhe familjet e juaja, por asnjëherë nuk keni dështuar edhe pse në shumë etapa të jetës tonë, vendi, jeta ju ka nxjerrë para shumë sfidave, ju nuk keni dështu, por e keni mbajtur nivelin e duhur, përgjegjësinë në punë, përgjegjësinë ndaj ligjit dhe ndaj qytetarëve dhe Kosova nuk do të dështoj ndaj jush, do t’ju dalë zot”, tha kryeministri Haradinaj.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj përmendi faktin se Qeveria vitin që shkoi me kujdesin më të madh i është përgjigjur kërkesave të policisë për një pagë meritore, duke shtuar se ligji i ri i aprovuar nga Qeveria, e vlerëson dhe e respekton policinë me pagë të dinjitetshme.

Kryeministri Haradinaj tha se çdo ditë e më shumë Kosova është me e aftë që t’i kryejë punët në rend dhe ligj, dhe vetëm duke e bërë një Kosovë më të qetë dhe më të sigurt për të gjithë ata që jetojnë këtu, e ndihmojmë botën për një botë më të sigurt.

“Si Kosovë, ne për çdo ditë që kalon jemi më të zot në rend dhe ligj në vend por edhe për t’i kryer detyrat tona”, shtoi Kryeministri Haradinaj.

“Ju siguroj se kërkesa e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL e ka një motiv të shenjtë. Dëshirojmë të jemi bashkë me ju me të gjithë popujt e lirë, institucionet e lira me gjithë ju institucione të rendit dhe ligjit në botë, që edhe ne të ndihmojmë. Nëse Kosova anëtarësohet në INTERPOL këtë vit, askush nuk humb, humb vetëm krimi transnacional”, tha kryeministri Haradinaj, duke thënë se është gabim nëse Serbia mbanë pozicion kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.

Kryeministri Haradinaj me këtë rast, kërkoi ndihmën e të gjithëve që ta përkrahin Kosovën në anëtarësimin në INTERPOL, anëtare e familjes së policëve të botës dhe të ndihmojmë në luftimin e krimit transnacional, dukuri kjo e cila i rrezikon të gjithë.

Kryeministri Haradinaj falënderoi Policinë e Kosovës për shërbimin ndaj atdheut për gjithë këto vite, për besimin e palëkundur në rend dhe ligj, duke siguruar se do të jetë gjithmonë në mbështetje të Policisë së Kosovës.

Në ceremoninë e 19-vjetorit të Ditës së Policisë së Kosovës, folën edhe presidenti Hashim Thaçi, drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ndërsa të pranishëm përveç pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, ishin edhe përfaqësues të tjerë nga institucionet dhe organizatat e tjera nga vendi dhe bota.

 

 

 

 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)