20 Prill 2024

Përurohet ura mobile e ndërtuar nga FSK-ja në Shqipëri

Korçë, 15 shkurt - Me ceremoni solemne u bë sot përurimi i urës mobile në fshatin Zëmblak të prefekturës së Korçës-Shqipëri, ndërtuar nga xhenierët e FSK-së.

Në ceremoninë e përurimit ishin të pranishëm: ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, znj. Olta Xhaçka, zëvendësministri i MFSK-së, Burim Ramadani, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, shefi i Shtabit të FA të Republikës së Shqipërisë, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, ambasadori i Kosovës në Tiranë, Sylë Ukshini, atasheu i FSK-së, kolonel Enver Dugolli, oficerë të lartë të Ushtrisë së Shqipërisë dhe FSK-së, udhëheqës të Korçës dhe banorë të fshatrave  përreth.  

Në emër të Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe të ministrit Rrustem Berisha, zëvendësministri Burim Ramadani përgëzoi xhenierët e FSK-së dhe të Shqipërisë, për punën e shkëlqyeshme që kanë bërë në ngritjen e urës në fshatin Zëmblak të Korçës.

Ai, veç tjerash tha se ,, jemi këtu për të dëshmuar gatishmërinë e Kosovës, institucioneve dhe FSK-së, që të ofrojmë  ndihmë edhe për të tjerët, për Shqipërinë, për rajonin, si edhe më gjerë. Rruga e vetme që sjellë sukses dhe qëndrueshmëri për të gjithë ne, në rajon, është rruga e bashkëpunimit të plotë ndërshtetëror, rruga e mbështetjes së njeri-tjetrit, rruga e integrimit euroatlantik”.

Ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, znj. Olta Xhaçka ka falënderuar Qeverinë e  Kosovës dhe FSK-në, për ndihmën në sanimin e shpejtë të  gjendjes pas vërshimeve në Shqipëri.

"FSK-ja dhe Qeveria e Kosovës na u përgjigjën që në minutat e para të emergjencës së dhjetorit, në përballimin e pasojave të saj. Ky kontribut këtu sot, për hir të së vërtetës, nuk është aspak i vogël, është një urë 54 metra, mjaft e konsiderueshme si aspektin e ndërtimit ashtu edhe në konstruksionin teknik të saj, por edhe si kontribut i Qeverisë së Kosovës dhe FSK-së, për këtë zonë."

"Përmes ndërtimit të kësaj ure keni lehtësuar komunikimin e 32 mijë banorëve me qendrat shëndetësore, me shkollat, me lëvizjen e lirë dhe komunikimin, me akset kryesore rrugore, që janë jashtëzakonisht të rëndësishme për jetën edhe për përditshmërinë e mijëra banorëve të kësaj zone”.  

Znj. Xhaçka, në fund duke falënderuar edhe një herë Qeverinë e Kosovës dhe FSK-në, tha: ,,Jam shumë e lumtur që ky 10 vjetor i Pavarësisë së Kosovës na gjenë bashkë duke ndërtuar ura në frymën me të mirë të bashkëpunimit dhe duke ju ardhur në ndihmë qytetërove tanë”.
 
Ndërsa komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pasi përgëzoi ushtarët për ngritjen e urës, shtoi se kjo është një dëshmi e mirë, dhe njëherësh  kënaqësi për neve, që kemi pasur mundësi me kapacitetet që kemi, t’iu dalim në ndihmë qytetarëve dhe këtij komuniteti që t’iu mundësohet lëvizje e lehtësuar.

Gjeneral Rama falënderoi Shtetin Shqiptar për përkrahjen dhe ndihmat e mëparshme dhe shtoi se ,,kjo ndihmë nuk krahasohet me përkrahjen që e kemi pasur nga Shteti Shqiptar, në kohërat më të vështira”.

Në fund  gjeneral Rama tha:  ,Ne si Forcë jemi shumë profesionale dhe kjo urë si dhe të tjerat janë dëshmia më e mirë për ketë.  Ne sadopak, ndihmën e juaj në kohërat më të vështira që e kemi pasur; nga ana e Shtetit Shqiptar dhe nga Forcat e Armatosura, po mundohemi sot ta kthejmë me shpresë që nuk do keni nevojë me për të tilla emergjenca. Por sido që të jetë, ne jemi në një botë reale dhe mund të kemi nevojë për njeri- tjetrin, prandaj me kapacitetet tona do të jemi të gatshëm në çdo kohë dhe në çdo moment t’ju përkrahim”.

Batalioni i Xhenios i FSK-së, në Shqipëri, filloi ngritjen e urës mobile ,,Mabey Johnson” në fshatin Zëmblak të prefekturës së Korçës, më 3 shkurt dhe përfundoi ngritjen e saj në një afat rekord.

Ura ka një gjatësi prej 54 metrash; është ngritur mbi lumin Devoll, dhe është nyje e rëndësishme për lëvizjen e përditshme të mijëra banorëve të fshatrave të prefekturës së Korçës .  



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)