25 Qershor 2019

Përurohen bustet e dëshmorëve Tefik e Hanumshahe Zymberi

Gjilan, 15 prill - Në Gjilan sot janë përuruar bustet e Tefik dhe Hanumshahe Zymberi në 20-vjetorin e Betejes së Zhegocit, përkatësisht të rënies së tyre, organizuar nën përkujdesjen e kryetarit Lutfi Haziri, ku kanë marrë pjesë përpos strukturave komunale, edhe përfaqësues nga Qeveria, deputetë, nga policia dhe FSK.

Nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, tha me këtë rast se gjaku i Tefik dhe Hanumshahe Zymberi u bë drita e lirisë së sotme.

“Këta dy dëshmorë, nuk kanë qenë vetëm të Karadakut e Gjilanit, por kanë qenë dhe do të mbeten të gjithë Kosovës. Republika jonë kurrë nuk do të zhbëhet, jo për shkakun tonë, por për shkak të themeleve që i kanë vënë me gjakun e tyre Tefiku e Hanumshahja dhe të gjithë dëshmorët e kombit. Përulemi përjetësisht para sakrificës së tyre”, ka thënë Ismajli.

Ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, njëherit deputet i Kuvendit të Republikës, Ahmet Isufi, ka deklaruar se kemi të bëjmë me një rast të veçantë të flijimit për liri që rrallë ndodhë në histori.

“Pikërisht rënia e tyre ka bërë që të ngriten qindra e mijëra njerëz dhe të rreshtohen në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Rënia e Nushit dhe Tefikut ka qenë një dhimbje e madhe për Brigadën 171 Kadri Zeka, për në vend të rënies së rënies së moralit, ka pasur një ngritje të urrejtjes ndaj armikut dhe një mobilizim më të madh. Dhimbja është kthyer në krenari dhe një angazhim shumë më të fuqishëm për t’i dhënë sulmin e fundit armikut”, ka thënë Isufi.

Në emër të familjes ka folur djali i dy dëshmorëve, Atdheu, i cili ka falënderuar kryetarin Haziri dhe këshillin organizativ për iniciativën për ndërtimin e këtyre busteve.

Përndryshe, në mëngjes, nënkryetari Arbër Ismajli së bashku me bashkëpunëtorët kanë bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në shenjë nderimi për Betejen e Zhegocit.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 qershor 2019 - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli do ta presë në takim ministren e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Ine Eriksen Søreide. (Hapësirat e MPJ-së, ora 8:30)

- The Siracusa International Institute for Criminal Justice and Human Rigths, një Organizatë Joqeveritare italiane organizon Dialogun Strategjik Kombëtar mbi temën e luftës kundër trafikut të paligjshëm. (Hotel Swiss Diamond, ora 9:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi në të cilën do të diskutohet lidhur me kërkesat e Këshillit Kombëtar Shqiptar nga vizita e përbashkët e realizuar në Luginë të Preshevës (Ndërtesa e Kuvendi, salla C 203, ora 10:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit dhe NED-it do të mbajë konferencë për media, në të cilën do publikohet raporti analitik: “Dështimet në rastet e shënjestruara”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, do të vizitojë Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, ku do të bëhet dorëzimi i pajisjeve për klubet e mediave, që është donacion i GIZ-it.  (Shkolla “Pjetër Bogdani”, ora 10:00)

- Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë organizojnë konferencën për media lidhur me Projektligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve. (Sheshi “Ibrahim Rugova” përpara objektit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ora 10:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj pret në takim Ministren e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Ine Eriksen. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:05)

- Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina organizon ceremoninë me rastin e shënimit të ditës më të madhe për qytetarët e Fushë Kosovës, lëshimin në funksion të linjës magjistrale për furnizim 24 h me ujë të pijshëm. (Rr. Hajrullah ZymiFushë Kosovë, ora 10:30)

- Drejtoria e Emergjencës dhe Sigurisë në Komunën e Prizrenit organizon aktivitete solemne me rastin e Ditës së Zjarrfikësve të Prizrenit duke filluar me defileun e automjeteve dhe mjeteve zjarrfikëse në unazën e qytetit. (Nisja nga objekti i Shërbimit Zjarrfikës në Prizren, ora 11:00)

- Ministria e Punëve të Brendshme së bashku me UNDP do të organizojnë konferencën për media për vazhdimin e kampanjës për legalizimin e armëve. (Objekti qendrorë i MPB-së, salla P-02, ora 11:00)

- Kryetari Shpend Ahmeti takohet me Kryetarin e qytetit të Des Moines, Iowa të SHBA,  Thomas  Cownie. (Ndërtesa e vjetër e Komunës, ora 11:00)

- Drejtoria e Administratës në Komunën e Prizrenit në bashkëpunim me OJQ Nevo Koncepti organizon tryezë diskutimi me temën Trajtimi i Fëmijëve në Raste të Dhunës dhe Abuzimit. (Hotel Centrum, ora 11:00)

- Ministri i arsimit, Shyqiri Bytyqi raporton para Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi lidhur me tekstet e reja shkollore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 12:00)

- Drejtoria e Emergjencës dhe Sigurisë në Komunën e Prizrenit bën demonstrimin i ushtrimeve të kërkim-shpëtimit dhe shuarjes së zjarrit në objektin e shkollës fillore “Heronjtë e Lumës” në fshatin Vërmicë. (Vërmicë, ora 12:00)

- Balkan Green Foundation, Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Instituti për Politika Zhvillimore organizojnë tryezën e rrumbullakët "Kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme dhe kost-efektiviteti i tyre,". (Hotel Sirius, ora 13:00)

- Ministri i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj raporton para Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal lidhur me monopolin në fushën e homologimit të veturave. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja e rregullt e Qeverisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 14:00)

- Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim organizon ceremoninë e nënshkrimit të kredisë prej 18 milionë eurosh që BERZH-i i ka dhënë parkut energjetik me erë të Kitkës. (Hotel Sirius, ora 15:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në Ekspozitën e Artizanaleve të ndryshme, nga organizata e grave “Orkide”, në Prizren. (Qendra Kulturore “Yunus Emre”, Prizren, ora 18:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në shënimin e Javës Egjiptiane në Gjakovë. (Pallati i Kulturës “Asim Vokshi”, Gjakovë, ora 19:00)

- Shkolla Amerikane e Kosovës organizon Inagurimi i kampusit të ri të Shkollës Amerikane të Kosovës. (Shkolla Amerikane e Kosovës, Shkabaj, Prishtinë, ora 20:00)