03 Mars 2021

Për dhjetë muaj, Prokuroria e Pejës ka parashtruar 107 kërkesa për sekuestrim

Pejë, 23 nëntor​ - Prokuroria Themelore në Pejë njofton opinionin publik se në periudhën kohore janar-tetor të këtij vitit ka bërë gjithsej 107 kërkesa për sekuestrimin e mjeteve, të cilat dyshohen të jenë përdorur apo përfituar përmes veprave të ndryshme penale.

Nga muaji janar i këtij vitit ​gjer në muajin tetor, kjo prokurori ka parashtruar në gjykatat kompetente kërkesa për sekuestrimin e 76 (shtatëdhjetë e gjashtë) mjeteve të transportit, ndër to: 33 (tridhjetë e tri) vetura të llojeve të ndryshme, 17 (shtatëmbëdhjetë) mjete transporti (kamionë, ekskavatorë, kombi), 15 (pesëmbëdhjetë) traktorë dhe 11 (njëmbëdhjetë) rimorkio të mjeteve të ndryshme të transportit.

Nga Prokuroria Themelore e Pejës janë kërkuar të sekuestrohen 6250 (gjashtë mijë e dyqind e pesëdhjetë) kilogramë miell gruri për dhjetë muajt e këtij viti. Po ashtu, edhe pako me cigare të llojeve të ndryshme në vlerën prej 3223 (tre mijë e dyqind e njëzet e tre) eurosh dhe para të gatshme në vlerën prej 2552 (dy mijë e pesëqind e pesëdhjetë e dy) eurosh.

Në Prokurorinë Themelore të Pejës janë kërkuar të sekuestrohen 167 m³ (njëqind e gjashtëdhjetë e shtatë) masë drusore në dhjetë (10) raste të kërkesave për sekuestrim gjatë periudhës kohore janar-tetor të vitit 2020.

Vlen të theksohet se shumica e kërkesave të parashtruara për sekuestrim nga Prokuroria Themelore e Pejës janë aprovuar nga gjykatat.

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 Mars 2021 - Kolegji Ndërkombëtar i Biznesit në Mitrovicë inauguron projektin “Fuqizimi i autonomisë universitare dhe rritja e llogaridhënies e transparencës së universiteteve të Ballkanit Perëndimor”. (Selia e Kolegjit IBCM, ora 9:00)

- Mbahet seanca gjyqësore kundër të pandehurit Enis Ramadani për vepren penale 'Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve'. (Gjykata Themelore në Ferizaj, ora 9:30)

- Avokati i Popullit, Naim Qelaj viziton ekspozitën për fëmijët e vrarë gjatë luftës “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë”. (Biblioteka “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë, lagjja Dardania, ora 10:00)

- Parlamenti i dytë rural shqiptar organizon konferencë për të diskutuar sfidat dhe veprimet konkrete për mirëqenien e banorëve të zonave rurale. (Platforma Zoom, ora 10:00)

- Pas rritjes së numrit të rasteve me COVID-19 në Gjilan, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, mban konferencë për media pas takimit të Komitetit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19. (Zyra e krytarit Haziri, ora 10:30)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizon ceremoninë e shpërndarjes së librave të botuar dhe të blerë me financimin e Departamentit të Kulturës në MKRS. (Biblioteka Kombëtare e Kosovës, ora 11:00)