27 Qershor 2019

Oficeri i FSK-së përzgjidhet instruktor në Akademinë Ushtarake 'Sundhurst'

Prishtinë, 19 mars - Bazuar në marrëveshjen ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, Forca e Sigurisë e Kosovës(FSK) do të dërgojë oficerin, kapiten Ismail Hoxha, si instruktor në Akademinë Ushtarake Mbretërore “Sandhurst”.

Me këtë rast, komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama ka pritur në zyrën e tij, kapitenin Ismail Hoxha për t`i uruar suksese dhe për  t’i ofruar përkrahje të vazhdueshme gjatë angazhimit të tij në këtë akademi, e cila cilësohet si njëra ndër akademitë ushtarake më prestigjioze në botë.

Gjatë takimit, gjeneral Rama tha: 'Kam nderin që t’ia dorëzoj flamurin e Kosovës kapitenit  Ismail Hoxha, i cili me angazhimin e tij si instruktor do ta përfaqësojë në mënyrë të denjë vendit tonë në Akademinë Ushtarake Mbretërore “Sandhurst”.

Procesi i përzgjedhjes së oficerëve për të qenë instruktorë në këtë akademi është tejet rigoroz, prandaj FSK-ja po dëshmon se në strukturat e saj ka kuadro të përgatitur dhe të trajnuar sipas  sipas standardeve të NATO-së, dhe të aftë për të dhënë kontribut në ngritjen e kapaciteteve edhe në akademitë ushtarake me renome botërore.

Për më tepër, angazhimi i kapitenit  Ismail Hoxha padyshim se do të kontribuojë në ngritjen e imazhit të FSK-së, jo vetëm në Mbretërinë e Bashkuar por edhe në mbarë botën.

Kapiten Ismail Hoxha në këtë akademi do të jetë i angazhuar për dy vite rresht, për të vazhduar  më pas kontributin e tij në ngritjen e kapaciteteve trajnuese në FSK sipas mandatit  të ri.

Kontributi i Mbretërisë së Bashkuar që nga vitit 2009 është i pazëvendësueshëm për zhvillimin dhe edukimin profesional të oficerëve të FSK-së. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 qershor 2019 - Ministria e Punëve të Brendshme, Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar dhe Programi për Kontrollin e Eksportit dhe Sigurinë e Kufijve të Ambasadës Amerikane do të bëjnë "Demonstrim të drejtpërdrejtë" të sistemeve të QKMK-së ku përfshihen: aftësia e pranimit të thirrjeve të telefonatave përmes VOIP, Sistemi për Menaxhimin e Rasteve dhe veglën për Analizë Inteligjente të Biznesit. (Objekti qendrorë i MPB-së, ora 9:00)

- Ministria e Administratës Publike organizon seminarin për Monitorimin e Treguesve të Kontratës për Reformën Sektoriale të Reformës së Administratës Publike në Kosovë - Rezultatet e para të vlerësimit të ekspertëve të BE-së. (Swiss Diamond Hotel, ora 9:00)

- Let’s Do It Kosova” organizon Forumin “EverGreen Kosovo”. (Hotel Emerald, ora 9:00)

- Mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të behët votimi në lexim të dytë i Projektligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

 - Komuna e Prizrenit do të bëj shpërndarjen e granteve për fermerët përfitues nga projekti i përbashkët i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural me Caritas Switzerland, "Prosperiteti i prodhimtarisë agrare në Kosovë nga investimet e qëndrueshme rurale – PASURI". (Hapësira e parkingut prapa Shtëpisë së Bardhë, ora 10:00)

- Mbahet seanca e Kuvendit të Komunës së Gjilanit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Gjilanit, ora 10:00)

- Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës organizon ceremoninë solemne të inaugurimit të Nënstacionit 220kV Drenasi. (Objekti i ri në Drenas, ora 11:00)

- Mbahet ceremonia e diplomimit të kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. (Kazerma e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes në Ferizaj, ora 11:00)
 
- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, merr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Nënstacionit 220/10 (20), në Drenas. (Objekti i ri në Drenas, ora 11:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të FSK-së, gjenerata 2019. (Kazerma “Skënderbeu”, Ferizaj, ora 11:00)

- Mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me gjendjen në arsim dhe vendimet e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Republikën e Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 11:00)

- Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm, KOSID, organizon një konferencë për media “Publikimi i letrës së re që KOSID i ka dërguar OPIC-ut, bankës që po e kosnideron përkrahjen ndaj Kosovës së Re”. (Shtëpia e Evropes, ora 11:30)

- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi do të ndajë certifikatat për pjesëmarrës e kampit veror “Change-Makers”. (Parku i Gërmis, te koshat, ora 12:00)

- Kosovo 2.0 sjell themeluesin e revistës MyKali, Khalid Abdel Hadi i cili do të flasë për rolin e artit në ballafaqimin me çështjet si identiteti gjinor në shoqëritë ku dominojnë disa norma të posaçme, si dhe për sfidat dhe përvojat e tij në zhvillimin e revistës MyKali. (Hapësira e K2.0, ora 18:00)