25 Prill 2024

NATO e gatshme për të ruajtur qëndrueshmërinë në gjithë Kosovën

Mitrovicë, 1 shkurt - Komandanti i Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, admirali James Foggo, tha sot në Mitrovicë se forcat paqeruajtëse të NATO-s janë të gatshme për të ruajtur qëndrueshmërinë dhe paqen e sigurinë në gjithë territorin e Kosovës.

Ai tha se kishte planifikuar më herët vizitën në këtë qytet të ndarë në dy komuna, veriun me shumicë serbe dhe jugun me shumicë shqiptare, por e kishte shtyrë vizitën për shkak të situatë së krijuar pas vrasjes së politikanit lokal serb Oliver Ivanoviç në mëngjesin e 16 janarit.

Vrasja e tij ngjalli reagime të shumta në Kosovë dhe Serbi ndërsa ngriti shqetësime për rritjen e tensioneve ndër etnike në vend. Vrasja nxiti reagime në shkallë të gjerë edhe të institucioneve ndërkombëtare të cilat krahas thirrjeve për ndriçimin sa më të shpejtë të vrasjes, bënë thirrje për qetësi, me drojën që incidenti mund të rrisë tensionet posaçërisht në veriun e Kosovës.

“KFOR-i ka 18 vite që ofron siguri në mbarë Kosovën. Sido që të jetë KFOR-i sipas politikave të NATO-s është shkalla e tretë e përgjegjësisë. E para është policia e Kosovës dhe me çfarë kam parë e dëgjuar nga oficerët e mi këtu, policia e Kosovës është një forcë mjaft efektive, këtu ka sundim të ligjit. I dyti është EULEX-i , misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit dhe i treti është KFOR-i. Por në rast se do të kishte zvogëlim të sigurisë pa dyshim ne të gjithë punojmë së bashku, dhe KFOR-i është këtu për ju”, tha admirali Foggo.

Këto komente ai i bëri mbi urën kryesore mbi lumin Ibër, ku u shoqërua nga komandanti i KFOR-it, Salvatore Cuoci, si dhe kryetarët e komunave të Mitrovicës, asaj jugore dhe veriore.

Komandanti i KFOR-it, Salvatore Cuoci, tha se shpreson që ura të hapet sa më parë që është e mundur.

“Do të donim që ky simbol që ende paraqet një barrierë për tejkalimin e problemeve etnike që ekzistonin në të kaluarën , do të rihapet së shpejti dhe do të jap një sinjal të ri të vullnetit të mirë që njerëzit e Kosovës të jetojnë së bashku, në paqe dhe të mendojnë për ardhmërinë e tyre e ta ndërtojnë së bashku atë”, tha ai.

Ura kryesore e qytetit ishte mbajtur mbyllur nga serbët lokalë që nga korriku i vitit 2011 në shenjë kundërshtimi ndaj ndërhyrjes së forcave të posaçme të policisë së Kosovës për të vënë nën kontroll vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në veri.

Më pas ajo iu nënshtrua një rindërtimi dhe rihapja e saj pritet të ndodhë së shpejti si pjesë e trysnisë mbi Beogradin për të zbatuar në terren marrëveshjet e arritura në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)