16 Janar 2018

Ministri Tahiri siguron mbështetje për profesionalizimin e Qendrave Korrektuese

Gjilan, 12 janar - Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka vizituar sot Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, ku është pritur nga drejtori i kësaj qendre, Shefik Sylejmani.

Ministri Tahiri u zotua edhe njëherë në angazhimin për profesionalizimin e kësaj Qendre, si me pajisjet e sigurisë, po ashtu edhe në shtimin e numrit të oficerëve.

"Si ministër i Drejtësisë u zotova se në një të ardhme të afërt, ashtu siç e kam theksuar edhe më herët, se do të punojmë për të plotësuar nevojat e tyre, duke rritur numrin e oficerëve korrektues për këtë qendër,  besojmë që do të jenë diku 30 apo 40 të rinj që do t’i sjellim nga një proces rekrutues në një të ardhme të afërt" tha ministri Tahiri.

Poashtu, ministri Tahiri u shpreh i bindur që gjatë këtij viti do të avancohet edhe me tutje Shërbimi Korrektues.

Këtë bindje me të e ndan edhe drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj, i  cili tha se 2018-ta do të dalloj për të mirë nga vitet tjera.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 16 Janar 2018 - Mbahet mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal në të cilën do të behët shqyrtimi i Raportit me Rekomandime për Projektligjin nr.06/L-019 për Standardizim, shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë për emërimin e anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, etj.. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 11:00)

- Shoqata Down Syndrome Kosova organizon hapjen e hapësirave të renovuara për ofrimin e shërbimeve terapeutike për fëmijët me sindromë Down pranë qendrës Down Syndrome Kosova në Prishtinë. (Zyrat e Down Syndrome Kosova, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi në të cilën do të behët shqyrtimi i Planit të punës së Komisionit për vitin 2018. (Ndërtesa e Kuvendit, salla S-I, ora 11:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon konferencën për media lidhur me vazhdimin e Dialogut Kosovë-Serbi. (Zyrat e KDI-së, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit në të cilën do të behët shqyrtimi i Projektligjit nr. 06/L-004 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, 13:00)

- Mbahet ceremonia zyrtare e fillimit të zhvillimit të kurseve trajnuese për pjesëtarët e FSK-së në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes të FSK-së. (Kazerma e FSK-së "Skënderbeu" në Ferizaj, ora 13:00)

- Ministria e Integrimit Evropian organizon takimin politik për Instrumentin e Para Anëtarësimit për vitet programuese 2018 dhe 2019”. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P-38, ora 13:30)

- Drejtori i Misionit të USAID-it James Hope, i shoqëruar nga Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Arta Rama-Hajrizi, do të flasë me rastin e përurimit zyrtar të faqes së re të internetit të Gjykatës Kushtetuese. (Sheshi 21, ora 15:30)