19 Prill 2024

Ministri Berisha priti në takim lamtumirës Ambasadorin e Kanadasë

Prishtinë, 1 korrik - Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, priti sot në takim lamtumirës Ambasadorin jorezident të Kanadasë në Republikën e Kosovë, Daniel Maksymiuk.

Ministri Berisha e falënderoi Ambasadorin Maksymiuk për përkrahjen dhe bashkëpunimin e jashtëzakonshëm me Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në gjatë mandatit të tij.

Më pas Ministri e njoftoi Ambasadorin për progresin e arritur në zbatimin e Planit Gjithëpërfshirës së Tranzicionit të FSK-së gjatë fazës së parë 120 ditëshe si dhe sfidat të cilat janë duke u adresuar në bashkëpunim me aleatët.

Ministri Berisha e ritheksoi se objektiv strategjik i Republikës së Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe kontributi përmes FSK-së në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në botë.

Ministri i Mbrojtjes shprehu konsideratë të lartë për përkrahjen gjithëpërfshirës të Kanadasë për popullin dhe shtetin e Kosovës, duke përfshirë edhe shërbimin e 4,500 pjesëatarëve të Ushtrisë së Kanadasë, në kuadër të KFOR-it, për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në Kosovë e rajon.

Ambasadori Maksymiuk e çmoi lart bashkëpunimin e shkëlqyer me Ministrin Berisha dhe qasjen e hapur dhe transparente gjatë gjithë procesit të zhvillimeve të rëndësishme në Ministri dhe FSK.

Ai u shpreh i mahnitur me sukseset e Ministrisë në zhvillimin e FSK-së si një forcë profesionale, të besueshme dhe multi-etnike.

Duke vlerësuar aspiratat e Republikës së Kosovës për anëtarësim në NATO, ambasadori Maksymiuk tha se shpreson që një ditë trupat kanadeze krah për krah me pjesëtarët e FSK-së do të kontribuojnë së bashku për paqe dhe siguri.

Ai më tutje konfirmoi se është në interes të Kanadasë që ta vazhdojë edhe më tej angazhimin në Kosovë dhe ta thellojë edhe më tej bashkëpunimin me vendin tonë dhe rajonin.

Ambasadori Maksymiuk nënvizoi që ka vendosur që pikërisht në Kosovë ta festojë sot ditën kombëtare të Kanadasë bashkë me ushtarët kanadezë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)