01 Dhjetor 2020

Me urdhër të Prokurorisë Speciale ndalohet i dyshuari Kadri Shala

Prishtinë, 26 tetor - Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se, sot ka lëshuar aktvendim për ndalimin e personit të arrestuar, të dyshuarit me inicialet K.Sh, me dyshimin se ka qenë i përfshirë në rastin e keqpërdorimit të ndodhur në Departamentin e Thesarit/Ministria e Financave e Republikës së Kosovës.

Prokuroria Speciale njofton se do të ndërmerren të gjitha veprimet përkatëse ligjore brenda afateve të përcaktuara me ligj.

Shala besohet se është pronar i kompanisë LDA Group, ku punonjësi i Thesarit të Kosovës, Labinot Gruda, përmes katër transferimeve, ka dërguar mbi 2 milionë euro.

Prokuroria e Kosovës pretendon se Gruda i ka bërë këto transferime më 9 tetor, ndërsa është arrestuar më 20 tetor.

Sipas organit të hetuesisë, Gruda i ka bërë këto veprime në një periudhë prej 8 minutash.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 22 tetor, i ka caktuar Grudës masën e paraburgimit prej një muaji.

Ministrja e Financave në Qeverinë e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se transferimi i mbi 2 milionë eurove është bërë përmes një sulmi kibernetik.

“Ky është krim ekonomik, i realizuar përmes një krimi të thellë kibernetik, ku janë bërë qasje të paautorizuara, janë tejkaluar autorizimet ligjore, është bërë keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe janë thyer fjalëkalimet”, ka deklaruar ministrja Bajrami.

Kompania LDA Group, sipas Agjencisë së Regjistrit të Bizneseve, është regjistruar si biznes në gusht të vitit 2019.

Si pronarë të këtij biznesi figurojnë K.Sh dhe V.Sh, ndërsa si veprimtari kryesore e ka të përcaktuar ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore, ndërsa veprimatri dytësore demolimin e objekteve.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 1 Dhjetor 2020

- Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë në të cilën do të behët plotësimi i listës së dëshmitarëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 9:00)

- Drejtorit të AKI-së raporton para Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë lidhur me gjendjen e sigurisë në vend. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 9:30)

- Campus France, Ambasada Frnceze në Kosovë, Aleanca Franceze e Prishtinës dhe Universiteti i Prishtinës organizojnë Panairin e tretë Universitar Francez në Kosovë. (online -https://tourneebalkanskosovo.com, ora 10:00)

- Mbahet edicioni i 5-të virtual i Green Business Expo. (Businessexpo.greenkosovo.com, ora 10:30)

- Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj raporton para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me raportin e auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të vitit 2019, për Ministrinë e Shëndetësisë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike diskuton lidhur me rekomandimet e dala nga “Raporti për vendin për vitin 2020, i Komisionit Evropian” me të ftuar ministrat dhe përfaqësuesit e agjencive të pavarura. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 11:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston drejtorin e Departamentit të mjedisit dhe ujërave Muhamet Malësiu dhe drejtorin e Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore, nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, Gani Berisha lidhur me lejet e lëshuara për operimin e dy hidrocentraleve nga kompania “Kelkos Energy”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N225, ora 11:00)

- Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëkohësisht, kryetari i Degës së PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj, i shoqëruar nga deputetja Eliza Hoxha, mbajnë konferencë për media në të cilën do të flasin për shtatoren e re të Skënderbeut, punën e dobët artistike dhe lokacionin jo adekuat. (Zyret e PDK-së në Prizren, ora 11:00)  

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N225, ora 13:00)

- Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Prishtinë, do të mbajë konferencë për medie. (Te stacioni i autobusëve urbanë “Katedralja”, ora 13:00)

- Zyrtarët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë raportojn para Komisionit për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis rreth importimit të vajit të palmës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 13:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon diskutimin online "Kuvendi përballë dialogut Kosovë-Serbi”, me deputetët e Kuvendit të Kosovës. (Paltforma Zoom dhe Live në faqen e KDI-së në Facebook, ora 13:00)

- Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) mban diskutimin “Rimëkëmbja nga viti 2020: Si të rindërtojmë ekonominë dhe politikat sociale në vitin 2021?”. (Hotel Sirius, ora 17:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti mban konferencë për media lidhur me menaxhimin e situatës me pandeminë Covid-19. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 17:00)