15 Dhjetor 2017

MD nënshkroi Memorandum me KMDLNJ për monitorimin e Shërbimit Korrektues

Prishtinë, 7 dhjetor - Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka nënshkruar sot Memorandum të Bashkëpunimit me kryetarin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, z. Behxhet Shala, për monitorimin e punës së Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Ministri Tahiri u shpreh i bindur se ky Memorandum do të rrisë transparencën e këtij Shërbimi, dhe do të avancojë edhe më tutje respektimin e të drejtave të të burgosurve në Republikën e Kosovës.

Përvoja e gjatë që KMDLNJ ka në monitorimin e burgjeve, bënë që ministri Tahiri të besojë që këshillat dhe rekomandimet e tyre do t’i mundësojnë Ministrisë së Drejtësisë që të trajtojnë të privuarit nga liria konform konventave ndërkombëtare.                                                                                                                                                                                 

“Ata njerëz që sot vuajnë dënimin për çfarëdo vepre, që janë në qendrat Korrektuese në Republikën e Kosovës, nesër kur të dalin nga aty, të jenë të gatshëm të jenë pjesë e shoqërisë sonë” ka thënë ministri Tahiri.

Për z. Shala, që bënë monitorimin e burgjeve që nga themelimi i institucioneve të Kosovës, Shërbimi Korrektues, krahasuar me shërbimet e ngjashme në rajon,  është më i miri.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës ka qenë institucioni më transparent dhe më llogaridhënës duke mos na penguar asnjëherë në asnjë proces të monitorimit.

Raportet tona kanë qenë rekomanduese, në mënyrë që përmes përmirësimit të kushteve të të burgosurve, që është objektiv i yni, ta ndihmojmë punën e Shërbimit Korrektues” ka thënë Shala.

Ndër të tjera, ai ka kërkuar që t’i kushtohet vëmendje edhe të punësuarve në këto Qendra dhe stafit tjetër administrativ, ndërkohë që është shprehur i bindur që rritja e buxhetit, që parashihet të bëhet pas 4 viteve që ishte i pandryshuar, do të rris cilësinë e trajtimit të të burgosurve.

Ministri Tahiri e ftoj z. Shala që të jetë pjesë e plotësim ndryshimit të Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale, që me rekomandime dhe këshilla të ndikoj direkt që ky ligj të bëhet konform konventave ndërkombëtare. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 15 Dhjetor 2017 - Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 8:00)

- Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Tregti dhe Industri i Kuvendit të Kosovës, do të takojë Janez Kopac, drejtor i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, me seli ne Vjenë ku do te bisedoj lidhur me gjendjen aktuale të përputhshmërisë me Traktatin e Komunitetit të Energjisë, nga ana e Kosovës. (Ndërtesae Kuvendit, salla N-303, ora 9:00)

- Ministrit të Punëve të Brendshme Flamur Sefaj raporton para Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës rreth zbatimit të Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së dhe Marrëveshjeve të Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë;. (Ndërtesae Kuvendit, salla N 302, ora  10:00)

- Caritas Kosova do të dhurojë 25 shtretër me dyshekë dhe komodina, donacion për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. (Objekti i Klinikës së Kirurgjisë, ora 11:00)

- Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, do të fillojnë me nënshkrimin e Peticionit, përmes të cilit kërkojnë që Kuvendi i Kosovës të bëjë ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, për çështjen diskriminuese ndaj Kosovës. (Sheshi Skenderbeu, ora 11:00)

- ARDA organizon ceremoninë e hapjes së Panarit Dimëror në Prishtinë. (Sheshi Skënderbeu, ora 11:00)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizon ceremoninë e ndajres së certifikatave për 200 të rinj për pjesëmarrjen e tyre në trajnimin “Ndërmarrësi për të rinjtë e Kosovës”. (Ish Instituti i Historisë, tani ndërtesa e administratës së UP-së, afër Institutit Albanologjik të Kosovës, ora 11:30)

- Mbahet një konferencë për media lidhur me deklaratën e përbashkët të dhjetëra subjekteve joqeveritare për Projekt-ligjin për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës së Paluajtshme të Komunës, i cili është duke u draftuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe parashihet t'i dërgohet Kuvendit të Kosovës. (Qendra Informative dhe Kulturore e BE-se, ora 13:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj takim me punonjësit e Administratës Tatimore të Kosovës. (Hotel Swiss Diamond, ora 14:00)

- Rrjeti Ballkanik i Gazetarise Hulumtuese, BIRN Kosova, ne bashkepunim me Qendren e Avokimit per Kulture Demokratike, ACDC, do te organizoje nje koktej rasti per ceremonine e ndarjes se çmimeve per 3 storiet me te mira gazetareske, ne kuader te iniciatives se perkrahur nga Ambasada Holandeze ne Kosove. (Kafe-librari, Dit' e Nat', 18:00)

- Qendra Kinematografike e Kosovës shfaq premierën e mbyllur të filmit të shkurtër ‘Një Muaj’ nga Zgjim Terziqi. (Cineplexx, salla nr. 5., ora 18:00)

-  Hapet ekspozita "Bri plagomës prej nga derdhet dhimbja" me fotografi të refugjatëve nga Kosova në Kukës gjatë luftës së vitit 1999, të autorit Fatos Lubonja. (Modelariumin e Arkitekturës mbrapa Ministrisë së Arsimit, ora 19:00)